Takime me familjarët, biseda telefonike e ushqim nga qyteti, si do të jetë 24 orëshi i radhës për Thaçin në EULEX

21 mars 2025 | 20:03

Ish-presidenti Hashim Thaçi, për herë të parë prej nëntorit të vitit 2020, kur shkoi në Hagë, sonte do ta kalojë natën në Kosovë, nën mbikëqyrjen e rreptë të Gjykatës Speciale. Thaçi do të kalojë natën në zyrat e EULEX-it në Kosovë.

Nën masa të rrepta sigurie ai sot e vizitoi varrin e babait që vdiq ditë më parë, e në varrimin e të cilit nuk mori pjesë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Mbi varrin e babait ai vendosi një kurorë lulesh me një mesazh prekës: “Te varri yt erdha i fundit, babë. Para meje erdhën mijëra qytetarë. Së shpejti, dorë më dorë, do t’i falënderoj të gjithë! Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës”.

Sot ai takoi nënën e tij, Hyrën dhe bashkëshorten Lumnien. Kurse, Nesër pritet që të takojë vëllezërit dhe të birin, Endritin.

Një situatë të ngjashme e kishte përjetuar edhe kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, i cili kishte humbur babanë e tij gjatë kohës sa kishte qenë duke u mbajtur në qendrën e paraburgimi në Hagë dhe ishte lejuar që të realizonte një vizitë në Kosovë dhe të qëndronte për një natë në EULEX, ka treguar në detaje se si është qëndrimi brenda EULEX-it, si funksionojnë vizitat, ushqimi dhe deri në sa ora mund të qëndrojë ish presidenti Hashim Thaçi nesër në Kosovë.

Gucati ka treguar se ditën e dytë e kanë lejuar që të qëndrojë në Kosovë deri në orën 16:30, dhe se gjatë ditës i është lejuar që të takohet me motrat vëllezërit dhe fëmijët.

“Aty kam bujtë një natë, më kanë vizituar motrat, vëllezërit dhe fëmijët. Nga 1 orë e gjysmë kam pasur vizitë. Deri në orën 4 e 30 minuta, ditën e dytë. Kam fjetur aty”, ka thënë Gucati në T7.
Duke folur për kushtet që janë në EULEX, Gucati ka thënë se edhe po të jetë si hotel me pesë yje, ai vend përsëri është një burg. Kreu i OVL-së ka treguar se brenda janë pesë qeli, të cilat rrinë të hapura deri në orën 10 të mbrëmjes.

Ai tutje ka thënë se shpreson që Thaçit do t’i lejohet të ketë takime me familjen deri në orën katër pasdite të 22 marsit dhe se në orën gjashtë pasdite udhëton për në Hagë.

“Aty edhe me qenë hotel me pesë yje, emrin e ka burg. Dera është e hapur. Ata e njohin z. Thaçi dhe e dinë autoritetin e tij. Janë pesë qeli brenda, derën do të ketë të hapur deri në 10 të mbrëmjes, ushqimin e ka brenda aty, një kuzhinë e vogël që është bashkë me sigurimin. Nuk janë kushtet e rënda. Unë shpresoj që do ta ketë një takim shumë të mirë me familjen deri në orën 4, dhe në orën 6 pasdite udhëton për në Hagë, sepse ashtu e kanë “, ka thënë Gucati.

Gucati ka treguar se në EULEX të lejohen takimet dorë me dorë me familjarët dhe se sot gjatë ditës mund të flasë edhe në telefon në prani të përkthyesit me ata familjarë të cilët Thaçi është pyetur paraprakisht t’i caktojë.

“Kufizime s’ka. Ka të drejtë të flasë dorë më dorë me familje. Ka të drejtë të flasë në telefon me anëtarët e familjes, kënd e ka të programuar z. Thaçi. Telefonin ia japin sigurimi i Hagës, por flet gjithmonë në prezencë të përkthyesit. Ushqimi vjen prej qytetit, të pyesin, çka dëshiron”, ka shtuar tutje Gucati

Gucati ka thënë se beson që do t’ia lejojnë të takojë bashkëshorten, djalin, vëllezërit apo motrat.

“ Besoj që z. Thaçi e ka dorëzuar listën më herët. Avokati mua më ka pyetur se kë dëshiron ta takosh. Unë kam kërkuar motrat, vëllezërit, bashkëshorten dhe fëmijët e mi. Mi kanë ndarë në grupe nga 1 orë e gjysmë. Kënd ka kërkuar z. Thaçi, besoj se do t’ia lejojnë, edhe pse janë disa masa. Por s’besoj që do t’ia ndalojnë ta takojë bashkëshorten, djalin apo vëllezërit e motrat, s’besoj se do t’ia ndalojnë”, ka përfunduar Gucati.

Avokati i Thaçit, Luka Misetiq, kishte bërë të ditur se kërkesa është bërë ditën e hënë në orën 14:00.

“Z. Thaçi ka bërë kërkesë dje para orës 14:00 për të marrë pjesë në varrimin e sotëm. Zoti Thaçi nuk do të marrë pjesë në varrimin e sotëm. Nuk do të kem asnjë koment të mëtejshëm për momentin”, ka shkruar Misetiq.

Për këtë ka dalur me reagim edhe Gjykata Speciale, por pa dhënë shumë detaje.

Specialja ishte arsyetuar me çështje organizative.

“Për momentin, gjykata nuk është në gjendje të japë informacion për ndonjë kërkesë apo vendim konkret në lidhje me z. Thaçi. Kjo për shkak se kërkesat e një të paraburgosuri dhe vendimet për ato kërkesa fillimisht janë gjithmonë konfidenciale për arsye që përfshijnë privatësinë dhe sigurinë operacionale. Pas përfundimit të një vizite humanitare, gjykatësit zakonisht i riklasifikojnë këto dokumente në mënyrë që publiku të mund të informohet më detajisht. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se ndërsa vizita të tilla, kur urdhërohen nga gjykatësit, organizohen sa më shpejt që të jetë e mundur, kjo mund të marrë ca kohë, duke kërkuar koordinim të ngushtë me një numër aktorësh dhe marrëveshje komplekse logjistike, duke përfshirë fluturimet dhe sigurinë”, thuhet në komunikatë.

Kjo ka shkaktuar reagime të shumta në publik.

Emisari i Posaçëm për Misione të Posaçme i ShBA-së, Richard Grenell, ka ripostuar shkrimin e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili e quajti Gjykatën Speciale një tribunal që, tha ai, ka shndërruar drejtësinë ndërkombëtare në një farsë.

Reagimi i Ramës erdhi pas vendimit të Speciales për të mos lejuar ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, i cili u nda nga jeta më 16 mars. Reporteri

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-nënkryetari i OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka folur për…