Takime të Ministrisë së Diasporës në Austri për unifikimin e shoqatave shqiptare
Në Austri, në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë, përfaqësuesit e Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike patën takime me përfaqësuesit e Këshillit koordinues të shoqatave shqiptare në Austri, konkretisht me kryetaren e këshillit, Sara Michel, dhe me anëtarë të tjerë të këshillit të shoqatave shqiptare.
Në këtë takim, këshilli i shoqatave shqiptare u njoftua për projektin që ka nisur MDIS-i për unifikimin e shoqatave shqiptare në diasporë, nismë kjo që u mirëprit.
Ndërkaq, anëtarët e Këshillit koordinues të shoqatave shqiptare shpalosën mënyrën e funksionimit të këshillit, përbërjen e tij, anëtarësinë e shoqatave brenda këshillit, planin për zgjerimin e këshillit dhe më gjerë, planifikimin e aktiviteteve në fusha të ndryshme etj.
Gjatë këtij takimi u dakorduam që këtë praktikë të mirë të funksionimit të këshillit të shoqatave ta përcjellim edhe në vende të tjera ku veprojnë ato.
Në takim me ta u diskutuan dhe u harmonizua agjenda për aktivitetet e përbashkëta ndërmjet Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike dhe Këshillit koordinues të shoqatave shqiptare në Diasporë, konkretisht për organizimin e “Ditëve të Kulturës Shqiptare në Austri”, të cilat do të zgjasin deri në dhjetor.
Anëtarët e këtij këshilli e falënderuan MDIS-in për mbështetjen e vazhdueshme që u japin për aktivitetet kulturore në Austri.