Takimet për planin franko-gjerman në Bruksel fillojnë prej orës 15:00, takimi Kurti-Vuçiq pas bisedave ndaras
Të hënën pritet të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, për të diskutuar lidhur me planin franko-gjerman.
Takimet pritet të fillojnë në orën 15:00, sipas një komunikatë zyrtare të Shërbimit të Jashtëm Europian, ku bëhet e ditur se Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell, i mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajčák, do të zhvillojë takime të ndara me liderët, duke filluar nga ora 15:00, pasuar nga një takim i përbashkët.
Ky është lajmërimi i plotë:
Të hënën, më 27 shkurt, Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendës Presidenti Josep Borrell do të thërrasë një takim të nivelit të lartë të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti konfirmuan pjesëmarrjen e tyre.
Përfaqësuesi i Lartë, i mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajčák, do të zhvillojë takime të ndara me liderët, duke filluar nga ora 15:00, pasuar nga një takim i përbashkët. Në takim do të diskutohet për Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në fund të takimit do të ketë një deklaratë për mediat nga Përfaqësuesi i Lartë.