Takimi drejt normalizimit të marrëdhënieve mes ShBA-së dhe Kinës
Arta Haxhixhemajli
Vizita në Kinë e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, e dëshmoi kthesën tjetër në marrëdhëniet mes superfuqisë amerikane dhe shtetit të fuqishëm të Kinës. Pas incidentit me ballonin kinez të spiunazhit, Kina dhe ShBA-ja ishin në tensione aq të larta saqë çdo vizitë e paraparë u shty për një kohë te pacaktuar.
Para vizitës në Kinë, Blinkeni u shpreh se do ta diskutojë çështjen e Tajvanit, luftën në Ukrainë, arrestimin e qytetarëve amerikanë nga Kina dhe krizën e fentanilit. Fokusi tjetër i Blinkenit ishte bashkëpunimi për komunikim ushtarak mes dy shteteve.
Megjithatë, vizita së Blinkenit ndodhi pikërisht në kohën kur tensionet mes ShBA-së dhe Kinës ishin në pikën ku kërkohej stabilizimi dhe komunikimi i menjëhershëm.
Tensioni mes Kinës dhe ShBA-së u shtua kur 37 aeroplanë kinezë e kaluan zonën e mbrojtjes së Tajvanit. Në anën tjetër, ShBA-ja vazhdon të mbrojë Tajvanin duke e mbështetur në mënyrë ushtarake dhe politike. Ky veprim i Kinës nxiti tensione, sepse Kina e shkeli ligjin e hapësirës ajrore të Tajvanit.
Një tjetër faktor që ka ndikuar në marrëdhëniet e tyre është situata në Kubë. Sipas raportimeve dhe analizave, Kina dhe Kuba në mënyrë diskrete kanë rënë dakord për ndërtimin e një qendre të spiunazhit pranë bregut të Floridës në ShBA. Andaj, vizita e Blinkenit mund të analizohet si zbutje e tensioneve. Por, deri në çfarë pike, kjo ende nuk dihet pasi gjithçka varet nga interesat gjeostrategjike dhe nga shërbimet sekrete të Kinës.
Një tjetër faktor qe ka ndikim te madh është edhe “kërcënimi” për varësinë nga Kina – për zhvillimet e teknologjisë. Krerët e kompanive të mëdha teknologjike amerikane, Elon Musk dhe David Solomon, e vizituan Kinën dhe i analizuan mundësitë për bashkëpunim ekonomik dhe për zgjerimin e mundësive biznesore në fushën e teknologjisë. Jo vetëm kaq, por Tesla ka një fabrikë [Gigafactory] në Shangai ku planifikon të hap një tjetër po në të njëjtin vend. Vizitat dhe marrëveshjet mund të nënkuptojnë interesin e përbashkët në forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe zgjerimin e mundësive të biznesit, duke i anashkaluar tensionet gjeopolitike.
Arsyeja kryesore e rëndësishme e takimit, është qasja dhe qëndrimi se të dy shtetet po marrin pjesë në një diskutim produktiv për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Duke pasur parasysh situatën gjeopolitike, ruajtja e paqes dhe stabilitetit po bëhen gjithnjë e më komplekse dhe më të vështira. Marrëdhëniet ndërkombëtare paraqesin situatën ku duhet te ketë kompromis për të vendosur bazën e përbashkët për të ardhmen më të mirë.
Takimi mund të balancojë marrëdhënien mes ShBA-së dhe Kinës, pasi një mori situatash kanë ndikuar në përçarjen mes tyre. Situata në Detin e Kinës Jugore, spiunazhi, fentanili, Tajvani, të drejtat e njeriut edhe supremacia në teknologji, janë disa nga çështjet që kanë ndikuar në destabilizimin e marrëdhënieve.
Arsyeja e tretë është qëllimi për restaurimin e komunikimit ushtarak mes ShBA-së dhe Kinës, pasi ky komunikim fare nuk vazhdon dhe ngjarjet e fundit kanë ngritur shqetësimet se marrëdhëniet mund të devijojnë në konflikt.
Gjithashtu, vizita e Blinkenot ka vlerë shtesë për diplomacinë, duke e shmangur komunikimin konfliktuoz të vjetëve të fundit. Kjo vizitë paraqet mundësinë për besimin dhe bashkëpunimin e mëtejshëm. Por, vizita nuk mund ta ndalojë konkurrencën mes dy fuqive te mëdha.
Edhe pse komunikimi zyrtar u zhvillua, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, pas vizitës shprehu shqetësimin dhe e drejtoi gishtin kah lideri i Kinës në lidhje me sistemin e tij të qeverisjes dhe llojin e diktaturës që përfaqëson. Theksoi se presidenti i Kinës, Xi Jinping, udhëheq sistemin ku vetëm një parti politike dominon. Dhe, të gjithë ata që janë kundër presidentit të Kinës censurohen në internet dhe nuk e kanë lirinë e shprehjes së lirë. Gjithashtu, Bideni ceku se Kina përballet me vështirësi ekonomike dhe se nuk është aq e fuqishme në aspektin ekonomik. Nga ana tjetër, Kina u kundërpërgjigj duke thënë se deklaratat e Bidenit paraqesin një provokim politik që dëmton Kinën dhe dinjitetin e saj.
Mund të pretendohet që deklaratat e Bidenit bëhen për shkak të kampanjës elektorale për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. Po ashtu, ai ka edhe kritika prej republikanëve se është i dobet ndaj Kinës.
Sidoqoftë, rezultati më konkret i vizitës ishte përkushtimi për stabilizimin e mëtejmë diplomatik. Të dy shtetet diskutuan për sigurinë globale. Blinkeni e bëri të qartë se ShBA-ja duhet të bashkëpunojë në adresimin e sfidave të përbashkëta ndërkombëtare. Gjithashtu, shtetet u pajtuan për takime të mëtejshme të nivelit më të lartë ne Uashington dhe në Pekin.
Një nga çështjet kryesore qe nuk u zgjidh ishte komunikimi ushtarak ndërmjet ShBA-së dhe Kinës. Ky lloj tensioni dhe i mungesës së komunikimit është indikator i shqetësimeve se marrëdhënia mund të ketë pasoja të mëdha për rendin dhe për stabilitetin e sigurisë në botë. Edhe pse Kina nuk ka pranuar iniciativat e ShBA-së, kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë një zgjidhje në fund.
Takimi mes dy shteteve nuk solli zgjidhje finale, por takimi ishte rifillimi i mirëkuptimit si proces për një zgjidhje. Pritet që zyrtarët e tjerë të Kinës do ta vizitojnë ShBA-në në muajt në vijim. Por, duke e analizuar komentin e Bidenit, gjërat mund të shkojnë në një tjetër drejtim.
Për fund, vizita e Blinkenit në Kinë është më shumë se një angazhim diplomatik; është nismë drejt kompromisit dhe qetësimit të ngjarjeve, duke arritur në një nivel të koordinimit më të lartë. Vizita mund të ndikojë në të ardhmen; mund të shërbejë si hap për rikthimin e dialogut dhe normalizimin e marrëdhënieve. Gjithashtu, vizita mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te aleatët e ShBA-së, si në Evropë ashtu edhe në vendet aziatike. Kjo mund të çojë në ndryshime të mëtejshme në raportet ndërkombëtare. Në përgjithësi, e ardhmja do të varet nga angazhimi i të dy palëve për të zgjidhur dallimet e tyre dhe për ta gjetur gjuhën e përbashkët.
(Autorja është hulumtuese në Institutin për Studime të Kërcënimeve Hibride – “Octopus”)