Takimi i Brukselit, Vuçiqi thotë se nuk kanë arritur marrëveshje me Kurtin
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se në bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për çështjen e targave, nuk është arritur asnjë marrëveshje.
“Për arsye të paqarta, nuk kemi arritur absolutisht asnjë marrëveshje”, ka thënë Vuçiqi pas bisedimeve disaorëshe, të hënën në Bruksel.
“Nuk do të jetë një periudhë e lehtë”, ka thënë Vuçiqi, duke paralajmëruar se këtë javë do t’i drejtohet publikut serb.
Në Bruksel ka përfunduar takimi i përbashkët ndërmjet kryediplomatit evropian, Josep Borrell, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Takimi është mbajtur me ftesë të kryediplomatit evropian, Josep Borrell, ndërsa ka nisur rreth orës 10:00.
Fillimisht, Borrell mbajti takime ndaras me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq.
Borrell ka thënë mbrëmë se e ka thirrur këtë “takim urgjent”, për shkak të nevojës për të shtensionuar situatën.
“… t’i japim fund menaxhimit të krizave të vazhdueshme dhe në vend të kësaj të fillojmë të përparojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, ka shkruar ai në “Twitter”.
Që nga vendimi i qeverisë për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato të Kosovës në fund të qershorit, situata në veri është e tensionuar. /REL