Takimi i dy kolosëve, shpresë për Mitrovicën, Kosovën, Shqipërinë, mbarë shqiptarinë e, sidomos, për Serbinë!

24 janar 2019 | 14:59

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Titanët nga balta: Dje ishte një ditë e jashtëzakonshme që do të shënohet në të gjithë kalendarët botërorë; pagan, julian, gregorian dhe shënstefanian. U takuan dy kolosë që, po t’i qesësh në kandarë, nuk ka kandar që i peshon për shkak të kontributit të jashtëzakonshëm, shumëdimensional, konfidencial dhe triumfal. U takuan dy burra që të njëjtë nuk mund t’i gjeni në Kosovë, Shqipëri, Euroazi dhe Tanzani, as nga pamja e sidomos nga përmbajtja.

Agim Bahtiri është njeriu më inteligjent, më i mençur, më i emancipuari intelektualisht dhe kombëtarisht, gjeni i fshehur nën rrënjë të tartufëve (lloji më i kushtueshëm i kërpudhave), erudit i papërsëritshëm, prandaj i kërkoi falje publike që më herët pata menduar krejt të kundërtën e asaj që po shkruaj sot. I kërkoj falje publike edhe Albin Kurtit dhe Behgjet Pacollit; të parit sepse pata dyshuar në Albinin kur thoshte se Agim Bahtiri është 100 për qind vetë Hasan Prishtina dhe doli të jetë pikërisht ashtu. Më fal Albin për shpërfilljen e profecisë tënde për Agim Bahtirin. Behgjet Pacollit nuk i kërkoj falje për asgjë, por për Agim Bahtirin, po t’i mos kërkoja falje, në planin e ndershmërisë do të bëhesha karikaturë mizerie. Begja, sigurisht duke i dituar kualitetet e Agim Bahtirit, më pati thënë se ky do të bëhet kryeministër i ardhshëm i Kosovës dhe, mbase, edhe president i Kosovës nëse Pacolli do të vendoste të mos merrej më me politikë e që për mua do të ishte e paimagjinueshme ta shoh Begjen jashtë politikës. Si i sinqertë që është, ekuivalent i vetëm për të do të ishte po ta trashëgonte postin e Naim Tërrnavës dhe Begjës ky post do t’i shkonte për mrekulli. Kërkoj shumë falje, tovarish Behgjet Pacolli, sinqerisht!

Kolosi numër dy i këtij takimi, i pari është Agim Hasan Prishtina, është presidenti ynë i madhërishëm, Shkëlqesia e Tij, Zotëri Hashime Thaçi. Nëse doni ta gjeni një personalitet ku në ADN-në janë integruar të gjitha virtytet më të larta njerëzore, kombëtare dhe morale, atëherë, ky, pa asnjë dyshim, është zotëri Hashim Thaçi, president i Kosovës. Presidenti ynë është i njohur për sinqeritetin e tij, mbajtjen e fjalës publike të dhënë, respektues të besës që as Kanuni i Lekës nuk e ka të përshkruar, skajshmërisht i ndershëm, moralisht i papërsëritshëm, sakrifikues biblik, erudit i pasionuar, guximtar i pamohueshëm, modest dhe asket si me qenë misionar i rendit të Gjergj Fishtës, i lexuar si Aristoteli, njohës më i mirë i matematikës dhe algjebrës se vet Pitagora biznesmen më i suksesshëm se vet Ali Baba dhe Xhef Bezosi i Amazonit, më elegant se Klaudia Kardinale, me shije të veshjes që ia kalon edhe vet Xhoko Armanit, më i mëshirshëm dhe më i drejtë se vet Robespjeri, më orator se Ciceroni dhe Dantoni, më poliglot se Zylfikar Haxhi Merxha, më katolik (në politikë) se Papa Françesku, më donzhuan se vet Don Zhugani, më humanist se vet Hugo Çavezi dhe shumë cilësime, që për momentin, për shkak të emocioneve të mëdha nuk po më kujtohen e që, sikur me rastin e Agimit pata menduar se krejtësisht të kundërta më këto që po i shkruaj sot! Lëri pallavrat Behxhet e na trego për takimin parahistorik që ndodhi dje në Mitrovicë midis dy kolosëve, jo të Rodosit por të Burojës dhe Patosit! Takimit midis dy dinozaurëve, jo fosile antike por fosile politike!

Si shkoi takimi: Pasi u ulën burrërisht, u besatuan se do të jetë vetëm një Mitrovicë, ajo e Agim Bahtirit kurse ajo e Goran Rakiqit, me korrigjim të kufijve i takon Vojvoda Aleksandër Vuçiqit. Se po e marrim Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën nuk ka asnjë dyshim, askush nuk beson për këtë përveç Nexhat Dacit dhe një këshilltari të presidentit që, Luginën e Preshevës e ka aq afër sa që e ka edhe Luginën e Silikonit ku Kardashianka ka fërkuar prapanicën dhe amortizatorët e parë sikur edhe disa yje dhe yllesha të estradës kosovare dhe mbarëshqiptare. Dhe disa politikanë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët, çfarëdo që bëjnë, nuk skuqen, me të drejtë shkaku se fytyrën origjinale e kanë zëvendësuar me Fytyrën e Silikonit!

Le të dali një birë nëna, shqiptar apo joshqiptar, burrë, burrneshë apo lëneshë e që të dyshojë se Agimi dhe Hashimi nuk do ta bashkojnë Mitrovicë, si hap i parë e pastaj do ta bashkojnë Milloshevën me Svetozarevën, si hap i dytë për ta bashkuar Kosovën me Shqipërinë pasi që Edi Rama ta ketë bashkuar Shqipërinë me Serbinë e që në planin ekonomik thuaja se e ka bërë.

Para se të shkojë në Forumin Ekonomik në Davos ku do të flitet për çështje të mëdha ekonomike botërore dhe ku, mungesa e Hashim Thaçit do të ishte me pasoja katastrofale për rendin ekonomik botërorë, sikur që në kohë të lashta shkonin për këshilla te Orakulli i Delfit, edhe Hashimi shkoi për këshilla te Tarantulla e Agimit dhe suksesin e ka të garantuar! Kur bëhen bashkë dy mendje të ndritura atëherë kombi mund dhe duhet të flejë rehat. Për veten time, pas këtij takimi nuk mbaj mend të kem fjetur më rehat dhe më ëmbël. Me këtë budallallëkun tim, e lodhja kokën (nuk e di se çfarë përmbajtje ka) me tema të mëdha botërore dhe me problemet e kombit, sikur të gjithë shqiptarët! Tash e kemi një krijesë, me dy koka, një shqiponjë dykrenare, njëra e Agimit, tjetra e Hashimit. Prandaj, Bac u kry, na u kajt nëna! Tash, në vend të këngës për Zhuj Selamin, Dedë Gjo Lulin dhe Selmanë Kadrinë po e këndoj këngën: “Moj Dudija jonë me limona o, a po e pranon korigjimin e kufijve a t’u kajt nona o … “më mirë se vet Linda Morina, primadona shqiptare e këngëve të vjetra katundare dhe thesar i eposit për të gjitha figurat e shquara të kombit! Po e bëtë një pordhë, të pazëshme afër Goran Rakiqit në Mitrovicën e Veriut, pas pesë minutave pasi e ka marrë kabllogramin, Linda ta ka kushtuar një këngë, dhe, po i bëtë dy pordhë patriotike si Edi Rama në Beograd, Linda Morina ta ka kushtuar një potpuri këngësh. Më duket se Linda ka kënduar, edhe për Agimin, edhe për Hashimin për shkak të kontributit të tyre të fundit për bashkimin e Mitrovicës por se i ka diskriminuar shumë e që nuk e ka bërë më herët; për dy pordhë e ka bërë një këngë të vetme! Po ndryshon bota, po ndryshon edhe Linda, si pasojë e ngrohjes globale!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ka pritur të enjten në…