Takimi i fundit me komandantin, Hyzri Talla

28 nëntor 2022 | 00:15

RRËFIME NGA DITARI I LUFTËS

Haqif Mulliqi

Mëngjesi i 28 nëntorit i vitit 1998. Vit lufte. Sapo kishte aguar, me tim vëlla, Hakiun mbërritëm në Llapashticë. Ishte një nëntor feste me borë dhe këtë nuk do ta harroj përjetë. Jo për shkak të të ftohtit të acartë që na përcëllonte mbi fytyrë, nga vendi ku e parkuam kerrin, e deri tek Shtabi i UÇK-së të Zonës Operative të Llapit, që, prej disa muajsh ishte vendosur në një shtëpi dykatëshe në Llapashticë, por, nga fakti se, asaj dite, e pata takimin e fundit me Heroin e Kosovës dhe luftëtarin e rrallë, Hyzri Tallën.

S’do men se, unë Hyzriun e njihja që më parë. Ndërsa, gjëja që e dija për të, para luftës, apo edhe diçka që mund ta pandehja, ishte se ai, sigurisht po militonte në radhët e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK) me ilegalët dhe militantët e së cilës tashmë kisha kontakte të afërta dhe një formë të bashkëpunimit që nga viti 1995. Pandehma për këtë më bëhej më e besueshme edhe nga fakti se familja e Hyzriut dhe ajo e Fatmir Humollit kanë lidhje familjare.

Hera e parë kur qëndruam bashkë, për më gjatë, ishte ajo e natës së tretë të betejës së famshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Qafë të Kaçanollit, betejë në të cilën për ato ditë sa zgjati isha pjesëmarrës edhe unë. Në atë betejë, Hyzriu qe plagosur. Poende asaj nate të messhtatorit, në zyrat e Shtabit të Zonës Operative të Llapit (ZOLL), në Majac, me Hyzriun biseduam gjerë e gjatë për shumëçka: për luftën tonë, për betejën e fundit, për LKÇK-në, për betejën e Hades, për Ademin dhe Hamzën, për Prekazin dhe miqtë e tij (gruan e ka të familjes së luftëtarëve të shquar nga ky fshat – Lushtaku) dhe për mikun e tij të ngushtë, gazetarin Afrim Maliqi.

“Afrimin e kam mik për krye kreje”, më tha Hyzriu.
“Është vërtetë një njeri shumë i mirë dhe profesionist i medies”, ia ktheva unë.
Mirëpo, ndërsa, të vetmen gjë që nuk e zuri në gojë, asaj nate, ishte plaga që e kishte marrë në betejën e jashtëzakonshme të UÇK-së kundër serbëve, në ditët që i kishim lënë pas e në të cilën nga radhët tona ishin vrarë shtatë ushtarë pjesëtarë të Brigadës 152 “Shaban Shala”: Bekim Maliqi nga Batllava, Bekim Lushaku nga Hërtica, Habib Zeka nga Rakinica, Fadil Sejdiu nga Bradashi, Nazmi Zhegrova nga Llapashtica e Ulët, Ismail Rekaliu nga Dobratini dhe Selim Rekaliu po ashtu nga Dobratini.

Bisedat e asaj nate në Majac nuk kishin fund, në atë zyrë tipike ushtarake, në të cilën veç nesh ishin edhe Komandant Remi (Rrustem Mustafa), Komandant Daja (Kadri Kastrati), Komandant Fati (Latif Gashi), Komandant Luta (Idriz Shabani), Komandant Batusha (Tafil Avdiaj) dhe Baci (Fatmir Humolli). Një natë gati si nëpër përrallat e moçme shqiptare dhe një kujtim i pashlyer përjetësisht dhe një portret i paharruar për dëshmorin e Lirisë së Kosovës dhe shokët e tij të pushkës dhe të idealit.
Më pas, me Hyzriun jemi takuar shumë herë, para takimit tonë të fundit, të ditës së 28 nëntorit të vitit 1998, në Llapashticë. Jemi takuar në Majac, jemi takuar në Buricë dhe, s’do mend, edhe në shtabin e ZOLL, kur u vendos në Llapashticë, paralagje e Podujevës. Bile, një herë u takuam edhe në Shtabin e Zonës Operative të Shalës, në Ashlan, kur Hyzriu po u printe një grupi goxha të madh ushtarësh nga Llapi me të cilët po shkonte në furnizim për armë.
Gjatë shtegtimeve të mia nga një zonë e luftës në tjetrën, kudo nëpër Kosovë, rrallë më ka rastisur të takoj luftëtarë të madhështisë së tij. Hyzriu ishte i veçantë. I urtë, i mençur dhe trim i pa shoq, ndërsa dy gjërat më të rëndësishme që e bënin të veçantë ishin: se u jepte një lloj sigurie bashkëluftëtarëve dhe se ishte i vendosur që çështjes sonë t’i shkonte deri në fund. I tillë ishte edhe në ditën e shenjtë të Festës së Flamurit të vitit të luftës 1998 kur u takuam së fundit herë.

Asaj dite, unë me Hakiun kishim marrë udhë për në Shalë (në shkollën e Bajgorës) ku ushtarët e Zonës Operative të Shalës kishin organizuar një manifestim për nderë të 28 Nëntorit, ndërsa, me atë rast, mua ma ndanë një mirënjohje të shtabit të Zonës Operative të Shalës për kontributin tim në luftën çlirimtare. Por, para se të shkonim në Bajgorë, me Hakiun, vendosëm që ndalonim në Llapashticë, t’i takonim shokët tanë aty, dhe ta uronim njëri-tjetrin për festën e Pavarësisë së Shqipërisë si dhe të Flamurit tonë Kombëtar, ngase e ndjenim se ky ishte ai viti i mbarë për shqiptarët, ndërsa flamuri ishte frymëzim për të gjithë ne.
Pasi që e lamë kerrin, ecëm disa dhjetëra metra dhe ndaluam tek dyert e oborrit të shtabit. Ia uruam njëri-tjetrit festën dhe, menjëherë, vazhduam, nëpër atë të ftohtë të madh, për tek zyra e Komandant Remit. Njeriu i parë që e takuam në shtab, atij mëngjesi, ishte Hyzri Talla. Ai u befasua, por edhe u gëzua kur na pa. U morëm ngryk, siç merreshim rëndom duke e uruar njëri-tjetrit për festën e madhe, me shpresë që nëntorin ardhëm ta prisnim në Kosovën e çliruar nga Serbia.

U ulëm, dhe, para se u takuam me disa nga shokët tanë të tjerë, aty, me Hyzriun kemi biseduar për ndonjë dyzet minuta apo edhe më shumë për shumëçka, ngase ai ishte një erudit i vërtetë. Biseduam për ngjarje, për njerëzit që i njihnim, pak për histori dhe kështu me radhë. Ndër të tjerat Hyzriu më tha se i kishte pëlqyer, tej mase, një editorial, i një nate më parë, i Enver Malokut i botuar tek ballina e gazetës së mbrëmjes “Informatori”, që kishte filluar të botonte, po ai, në Prishtinë. Dakordova me Hyzriun, ngase atë editorial të mikut tim e kisha lexuar edhe unë dhe më kishte lënë përshtypje të veçanta. Pastaj, së bashku me Hakiun u ngritëm, sërish u përfytëm me luftëtarin e shquar të UÇK-së, dhe me luftëtarë të tjerë, dhe u nisëm rrugës për në Bajgorë, por duke mos e pandehur dot se ky do të na mbetej kujtimi i fundit për dëshmorin e lirisë, Hyzri Tallën.

Në rrugë për në Shalë, ndaluam edhe në Bradash, prej nga kalonim në Dobratin e së andejmi në Kaçanoll. Ndaluam që ta takonim një mik tonin, tjetër, Nuredin Ibishin, të cilin nuk e kisha takuar që nga messhtatori i atij viti, në Majac. Atë, shumica e njihnin me emrin luftarak si, Komandant Leka, emër të cilin ia kishte vënë vetës.

Nura u gëzua shumë kur na pa, u përshëndetëm me të dhe me oficerin e lartë të UÇK-së, Arif Muçollin (Komandant Profën) dhe u uruam ndërmjet veti për festën tonë. E pimë nga një kafe dhe, pas ndonjë gjysmë ore e vazhduam rrugën për në Bajgorë, ku, në shkollën e fshatit po shënohej festa.

Diçka ka ndodhur në Prishtinë

Katër ditë pas këtij takimi me Hyzriun, në Prishtinë më cingëroi telefoni.
“Si je”, më pyeti. “A je në Prishtinë?”
Iu gjegja pozitivisht.
“Mirë, atëherë i thuaj ‘Malësorit’ që sonte të niset, urgjent, për në zonë”.
Ishte zëri i Komandantit Latif Gashit, mikut dhe të afërmit tim.
“Është aq urgjente puna!?”, e pyeta.
“Po, po, diç ka ndodhur në Prishtinë dhe ‘Malësori’ duhet të tërhiqet në Zonë, pa alternativë”, më tha miku im me një zë disi të përhumbur.
“Malësori” ishte pseudonimi i Lirak Çelajt i cili kishte javë që ishte inkuadruar në radhët e UÇK-së dhe, sa herë që vinte në Prishtinë, lidhja me te, për shkak të sigurisë, mbahej përmes meje.
Bëra shumë përpjekje asaj nate që ta kontaktoja Lirakun. Ndërsa ai nga “Ulpiana” (ndërtesa D/9 ku po banonte ngase shtëpinë ia kishin, në Velani, po ia survejonin agjentë të UDB-së), pasi që ramë në kontakt, erdhi në Dardani, ku isha tek banesa e nënës sime, dhe me makinën e tij, më shoqëroi deri në “Kodrën e Diellit” ku banoja. Me sugjerimin e tij, i ramë një rruge shumë më të gjatë qarkore ngase, siç më tha Liraku, te “Imixhi” kishte ndodhur diçka dhe se, mbrapa konvikteve të studentëve kishte shumë policë. Përveç meje dhe Lirakut, në kerr ishte edhe Shpresa me Getoarbën dhe Albburonin, shumë të vegjël.

Kur shkuam tek banesa ime, unë i tregova Lirakut se më kishte marrë me telefon Lata dhe se ai, po asaj nate duhej të shkonte në shtab, në Llapashticë.
“Ka ndonjë paralajmërim”, më pyeti Liraku.
“Nuk e di”, ia ktheva. “Është çështje sigurie, ngase, shërbimi i UÇK-së kishte paralajmërime se mund të ndodhte një fushatë e gjerë serbe në kryeqytet.”
“Po ti”, më pyeti Liraku.

“Unë kam punë këtu, dhe do të shihemi shumë shpejt ‘te vendi’”, ia ktheva me të qeshura.
Asaj nate unë po mendoja që të shkoja te një mik imi (Rahman Dini i LKÇK-së) për të kaluar natën, ngase ashtu do të isha më i sigurt. Siç e mora vesh më pas, Liraku, me babain e tij, të cilin, që kur kam filluar të merrem me gazetari e quaja Baca Zenun shkon drejtë e në Llapashticë, në shtab. Ndërsa unë, kur, tashmë isha bërë gati që të shkoja tek te Rrahman Dini të cilin e quanim “Bali”, më ra, sërish, telefoni mobil. Ishte numri shtabit të ZOLL.

“Alo!?”
“Liraku jam.”
“Do të thotë se paske udhëtuar mirë”, e pyeta.
“Po”, më tha, “por e kam një lajm të keq.”
“Më thuaj, të lutem”, i thash me shqetësim.
“Hyzriu ka rënë në Prishtinë.”
“Hyzriu?”
“Po, Hyzriu”, ma ktheu Liraku.
Pastaj të dy heshtëm për një kohë dhe nuk e mbaj mend se a e këmbyem ndonjë fjalë ndërmjet veti.
Menjëherë mendja më shkoi tek ajo që kishte ndodhur mbrapa m qendrës së studentëve. Vërtetë u mërzita shumë.

Pasi u përshëndeta me Lirakun, i rashë unë numrit të mobilit dhe e thirra Latën.
“Hë, Latë, e vërtetë qenka kjo për Hyzriun, apo jo?”
“Lere, shoq”, më tha. “Shkoi Hyzriu. Dhembje më të madhe nuk kam pasur kurrë!”
Lata më tregoi se ishte me dy shokë. Një zot e di pse, përnjëherë më shkoi mendja tek Afrim Maliqi. Ndoshta nga shkaku se, në Majac, Hyzriu më kishte thënë që Afrimin e kishte prej shokëve më të mirë në jetë.

Afrimi ishte gazetar i “Rilindjes” në atë kohë. Kiamet.

Pasi që e ngushëlluam njëri- tjetri, Lata më tregoi se varrimi bëhet në pasdreken e ditës së nesërme, më vonë.

Normal, Hyzriun, kishin vendosur ta varrosnin në Letanc, në varrezat e familjes. Unë dhe Hakiu, fillimisht shkuam në Llapashticë, e më pas, rrugëve dytësore arritëm në Letanc. Ishin mbledhur goxha shumë njerëz.
Letanci është më shumë paralagje e Podujevës se sa një fshat i veçuar. Ndaj, komandantët e shtabit të ZOLL, kishin vendosur që ta krijojnë një pikë mbrojtëse, me më shumë ushtarë, andej nga drejtimi i qytetit të Podujevës, disa qindra metra larg nesh, që, në rast nevoje të na mbronin.
Shumicën e njerëzve që kishin ardhur, edhe nga Prishtina, përveç katër a pesë syresh, i nj. Aty kishin ardhur edhe disa gazetarë, por, ceremoninë e varrimit, ishte marrë vendimi, që ta xhironte Liraku i cili e kishte të veshur një jelek kamuflazh dhe e posedonte një kamerë shumë të mirë për atë kohë të cilën e kishte blerë shtabi.

Por, kishte njerëz në varrim, që, faktin se Liraku i ishte bashkëngjitur radhëve të UÇK-së e morën vesh asaj mbrëmjeje. Njëri prej djemve të ilegales së UÇK-së, shkoi dhe i tha një gazetarit që po fotografonte që, në asnjë mënyrë, mos ta nxirrte emrin apo foton e Lirakut, ngase ky mund të vinte në Prishtinë përsëri dhe se do të rrezikohej.
Ai bëri bè me nanë e babë se nuk do të gabojë në asnjë mënyrë dhe se nuk do ta nxjerr emrin e tij në asnjë mënyrë. Nata ishte e zymtë me qiellin gri. Zymtësia na kishte gëlltitur që të gjithëve. Një dhembje që nuk mund të përshkruhet dot.

Valon Murati: “Përveç një të ftohti të egër, asgjë nuk thoshte se kishim të bënim me një ditë ters”

“Tërë jetën nuk do të harrohet ajo natë”, më tha me një rast, bashkëluftëtari i Hyzriut, Valon Murati. “Tërë jetën nuk do të harrohen dyshimet e asaj nate, shpresat e asaj nate, hidhërimi, dhembja dhe mllefi i asaj nate. Tërë jetën nuk do të harrohen lotët e asaj nate.

Nuk do të harrohet vaji i Llapashticës. Lotët e saj. Tërë jetën ajo natë do të sillet si një makth që do të na rrëmbejë për fyti dhe do të na thotë: “Hej, Hyzriun me shokë e vranë në pritë hej, Hyzriun!”
Valoni më tregoi se, asaj pasditeje kur u vra Hyzriu, nga kryeqyteti në Llapashticë kishin shkuar Cali me Cufën, një luftëtar tjetër të UÇK-së. Ata dy, vendosin që, atë natë, ta kalojnë në Llapashticë dhe pikërisht në shtëpinë ku rrinin Agim Kuleta, Valoni, e të tjerë luftëtar, në objektin ku përgatitej edhe revista “Çlirimi”, organ i LKÇK-së . Por, asgjë asaj nate nuk jepte ndonjë lloj paralajmërimi se diçka e tmerrshme mund të ndodhte.

“Përveç një të ftohti të egër, asgjë nuk thoshte se kishim të bënim me një ditë ters. Me shokët bisedonim për organizimin në qytet dhe për nevojën e masivizimit të këtij organizimi dhe të ngritjes cilësore të tij. Cali shkoi për në komandë për ta bërë një telefonatë. Kur kthehet, disponimi i tij kishte tretur i tëri. “Dikë e kanë vrarë në Prishtinë”, na tha ai.

Ishin këto fjalë që i shtangin të gjithë në vend dhe që ua varrosën disponimin e mirë të e ushtarëve të UÇK-së, asaj nate. Pyetja kryesore që parashtrohej ishte se: kush mund të ishte i vrari, apo të vrarit? Sa ishin? Si shin vrarë? Ku? Ku? Ku?…
“Informacionet për ngjarjen ishin tepër të pakta, për të mundur të konkludonim çfarëdoqoftë”, thotë Valoni.

Gjithçka që dihej ishte se bëhej fjalë për një “Reno 5” me ngjyrë të kuqe. Guerilja jonë në Prishtinë e kishte një të tillë mirëpo, disi, ishin të bindur se ishte e pamundshme të ketë qenë kushdoqoftë nga guerilët, urbane, e UÇK-së, në kryeqytet, ngase informacionet ishin tejet të sakta se kush dhe nga kishte shkuar asaj nate me një makinë të tipit dhe të ngjyrës së tillë. Nga ana tjetër, as lajmi i pakonfirmuar për atë se ku kishte ngjarë krimi nuk përkonte me rajonin ku kishin shkuar djemtë e gueriles. Kush mund të ketë qenë? Ishte kjo pyetja e cila dalëngadalë nisi t’i torturojë pa masë njerëzit e shtabit.

“Vetëm të mos jenë shokë të organizimit, mendonim”, thotë Valoni. “Më vonë shkuam në komandën e zonës. Atje tashmë kishin nisur disa pëshpërima.”

Dhe, si nga një botë tjetër, dëgjohet fjala se ishte mundësia që, në atë makinë të sulmuar nga serbët, mund të ketë qëlluar edhe Hyzriu.
“Si nuk na kishte shkuar mendja menjëherë, mendova”, thotë Valoni. “Mirëpo, kjo gjë është e pamundshme, thashë si në vete” thotë ai. “Ata Hyzriun nuk mund ta vrasin, doja të besoja ashtu.”
Pas mesnate, gjithçka nisi të qartësohej. Hyzri Talla më nuk ishte në mesin e të gjallëve. Apo, thënë më drejtë, asaj nate, ai, kaloi në përjetësinë e tij, bashkë me shokët e tij, Afrimin dhe Ilirin.

“Kur e sollën kufomën e tij, kur ia pashë trupin për së vdekuri, dhe ia pashë ato, njëzet e shtatë apo tetë plagë plumbash që ia kishin marrë trupin”, tregon Valoni, “e kuptova vërteta se ai tashti më nuk ishte në mesin tonë. Por unë, kurrë, nuk u mësova me vdekjen e tij. Kurrë nuk u mësova me mungesën e tij. Me vdekje të tilla njeriu nuk mund të mësohet asnjëherë.”, përfundon Valon Murati, bashkëluftëtar i Hyzri Tallës.
*****
Fatkeqësisht, kur u vra Hyzriu dhe më pas kur u bë varrimi i tij, Komandant Remi mungonte. Ai ndodhej në Dragobil në një takim në Shtabin e Përgjithshëm. Menjëherë pasi që dëgjoi për rastin e vrasjes së Hyzriut, ai e këputi vizitën e tij atje, mirëpo, përkundër kësaj, nuk arriti me kohë në varrimin e shokut dhe bashkëluftëtarit. Çfarë koincidence!

Latif Gashi: “Shkurt: Hyzri Talla ishte një prej shtyllave kryesore të UÇK-së në Llap”

“Kur të flasim për Hyzri Tallën”, më thotë miku dhe bashkëluftëtari i tij më i ngushtë, Latif Gashi, “mendoj se po kështu duhet të flitet për një fytyrë të shquar të historisë sonë më të re kombëtare, dhe për një nga figurat e ndritshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veçanërisht në Zonën Operative të Llapit.”
Ai thotë se Hyzriu ishte luftëtar i madh që iu përgjigj thirrjes së Atdheut dhe u bë pjesëtar i ushtrisë së tij. Ai, që nga inkuadrimi në radhët e UÇK-së, ka kryer detyra me rëndësi të veçanta, ndërsa vdekja e gjeti në detyrën e zëvendëskomandantit të Shërbimit Informativ të UÇK-së në Zonën Operative të Llapit.
“Dhe, më shkurt, mund ta them se Hyzri Talla ishte një prej shtyllave kryesore të UÇK-së në Llap, e sidomos në Shërbimin Informativ, kështu që, përveç dhembjes që na shkaktoi vdekja e tij, për familjen, për neve, shokët dhe bashkëluftëtarët, praktikisht mungesa e tij ishte diç e pakompensueshme”, thotë L. Gashi.

Latif Gashi tregon se me Hyzri Tallën kishte luftuar edhe në ilegalitet.

“Hyzriu ka qenë anëtar i shumë organizatave ilegale”, thotë Komandant Lata. “Ai ishte shumë serioz dhe trim i madh, por edhe shtylla më e fuqishme e ZOLL-it. Hyzriu, përpos betejave kur ishte në krye të shokëve, mori pjesë edhe në disa aksione speciale kundër diversantëve serbë që tentonin të futeshin në zonën tonë, në prapavijë.”, tregon Latif Gashi.
Ishin ato aksione jashtëzakonisht të suksesshme. Hyzriu e përdorte, thuaja se gjithmonë, një armë moderne që e kishin në ZOLL e të cilën e quanin 84- she.

“Aksioni në të cilin futej Hyzriu”, thotë Lata, “armikut i shkaktonte humbje të mëdha. Më kujtohet një detaj kur zonën tone e vizituan Adem Demaçi dhe Shon Bërnsi. Unë dhe Hyzriu morëm përsipër sigurimin e tyre deri në magjistrale dhe për disa çaste e bllokuam magjistralen, duke i ndaluar shumë automjete që vinin nga Serbia. Ishte befasi për serbët kur ne dolëm në magjistrale me uniforma, sepse automjetet që i ndalëm ishin përplot me serbë, ndërsa kishte edhe të uniformuar. Ky ishte një mesazh për serbët që të mos hynin më në Kosovë”, rrëfen L. Gashi.

“Që nga fillimi i vitit 1997”, më thotë, Komandant Remi, një prej figurave të shquara të luftës sonë, ”Hyzriu ishte ndërmjetësuesi kryesor i bashkimit të UÇK-së dhe të LKÇK-së. Madje, me meritën e tij u arrit marrëveshja me tre rreshta, me çfarë edhe filluam veprimin e përbashkët ushtarak.”
Kjo marrëveshja parashihte që Fatmir Humolli dhe Hyzri Talla të ishin anëtarë të shtabit të UÇK-së të ZOLL-it dhe të punonin në masivizimin e ushtrisë. Detyrat e para që i jepen Hyzriut ishin të një rëndësie dhe të një rreziku shumë të madh. Ai merr përsipër që të bisedojë me një numër ushtarakësh të shkolluar që t’i inkuadrojë në radhët e UÇK-së.
Detyra e parë e tij ishte që ta kontaktojë Nuredin Ibishin-Lekën, me të cilin kishte pasur takime intensive gjashtë muaj para daljes publike të UÇK-së. Me aftësitë e tij dhe me sensin bindës merret vesh me Lekën që ai t’i bashkëngjitet ushtrisë. Më pas ka biseduar edhe me shumë eprorë të tjerë, me ç‘rast me disa kishte suksese e me disa të tjerë jo. Hyzriu, pa u frikësuar fare, lëvizte në Prishtinë, edhe pse kishte detyra të veçanta dhe me rrezik. Rasti më i rrezikshëm ishte ai kur i shkoi inspektorit të sigurimit serb, Osman Veliqit në banesë dhe i thotë:

”Pse qëndron jashtë kur duhesh të përfshihesh në UÇK. Unë jam ai që të vë në lidhje me UÇK-në!”.
Hyzriu ishte aktiv në betejën e Bardhit të Madh, duke vepruar, atje, me Fatmir Humollin. Ai njëherë kishte mbetur vetëm i rrethuar nga forcat armike, por, falë aftësive që kishte, diti dhe mundi të dalë nga atje.

“Në betejën e Qafës së Kaçanollit, bashkërisht kemi dalë herët në mëngjes në pozitat tona. Kemi vendosur që unë me njësitin special të dalim në fshatin Dobratin, para pozicioneve të armikut, me qëllim që ta ngadalësonim pozicionimin e armikut”, kujton Komandant Remi.

Hyzriu e bënë evakuimin e popullatës, por, fatkeqësisht, ai me atë rast u plagoset bashkë me një bashkëluftëtar tjetër me nofkën Luli. Por, edhe pse, vetë i plagosur, ai “Lulin” e bartë deri në Bajgorë, ku i jepet ndihma e pare dhe më pas kthehet në pozicione.
“Ndërsa, për ta ruajtur moralin e shokëve, Hyzriu, askujt nuk i kishte treguar se ishte i plagosur, ndërsa në mbrëmje na tregoi vetëm mua dhe Latës”, evokon Remi.

“Po e përmend edhe betejën e Llapashticës nga tetori i vitit 1998, kur automjetet e blinduar të armikut kanë provokuar pozicionet tona, me gjithë marrëveshjen me OSBE-në për mossulmim”, Tregon Komandant Remi. “Me atë rast Hyzriu me shokë hapi vijën frontale duke i thyer forcat armike.”

Hyzriun e dallonte një instinkt i veçantë i organizimit dhe i afrimit me popullatën.
“Më duhet ta them se Hyzriu ishte njëri prej ushtarakëve më të mençur dhe më vizionar në Zonën Operative të Llapit”, thotë Remi.
Remi më thotë se Hyzriu dinte të jepte këshilla jo vetëm atij, por edhe eprorëve të tjerë. “Hyzriu për mua mbeti i pazëvendësueshëm”, përfundon Rrustem Mustafa – Komandnt Remi evokimin e tij për shokun e pushkës dhe të idealit.

Ngjarja në “Lagjen e Muhaxhirëve” në Prishtinë dhe vrasja e Agron Rrahmanit

Bahriu Fazliu (Gëzimit) u vra në kufi. Fatmir Humolli dhe Agron Rrahmani, gjendeshin në një bazë në Prishtinë. Lajmin për vrasjen e një personi në kufi këta e morën përmes mjeteve të informimit. Sipas urdhëresave që kishte nga LKÇK-ja, Bahriu nuk është dashur të gjendet atje në atë kohë. Ai kishte të shkonte në Dukagjin, që t’i kontaktojë njerëzit e organizatës, atje, pra, brenda vetë territorit të luftës, por jo edhe që të kalonte në Shqipëri.

Mediet e transmetuan lajmin se fjala ishte për një grup të shqiptarëve të armatosur që kishin sprovuar të futeshin nga Shqipëria në Kosovë dhe me atë rast janë përleshur me forcat ushtarake jugosllave me ç‘rast është vrarë një person.

“Ne njëherë as që kishim dyshuar se fjala mund të ishte për njërin prej liderëve të LKÇK-së, Bahri Fazliun”, thotë Fatmir Humolli. “Në atë kohë ne, përkohësisht, kaluam në Qyqavicë që ta takonim Sabit Gashin. Me ne atje erdhi edhe Avdi Kiçmari-Çeli”, thotë Fatmiri.

Pas pak ditësh, nga baza, këta luftëtarë, vendosin, që të shkonin në banesën e tyre në Lagjen e Muhaxhirëve të Prishtinës. Ndërsa, kur arrijnë në banesë, për befasinë e tyre, njerëzit e sigurimit serb ishin futur, tashmë, brenda dhe po i prisnin të ktheheshin.

“Agroni ka ecur para menje, ndërsa, si rëndom, unë jam ndaluar të shikoja pas se mos ishte kush duke na përcjell”, rrëfen Fatmir Humolli. “Agroni e ka pasur automatikun në dorë. Unë kam dëgjuar diçka, por njëherë më është dukur se ai po e hiqte fishekun nga tyta e armës. Por, në çastin, kur Agroni i është afruar derës, serbët kanë shtënë nga brenda. Unë këtë e kam kuptuar kur e kam parë Agronin duke dalë jashtë. Atë e kishin marrë plumbat. Mbi të ishte shtënë me armë me shurdhues të zërit. Kur e kam parë se është tërhequr pas Agroni, unë kam nisë të shtie drejt në shkijet dhe kam shkuar drejt Agronit të plagosur. Më janë shpenzuar të gjithë fishekët. E kam vënë re personin i cili shtinte mbi ne. Ai shtinte përmendësh dhe në panik. Dhe në atë çast plumbat e tij ma kanë marrë dorën mbi bërryl dhe ma kanë thyer atë. Unë e kam marrë revolen e Agronit në tytën e së cilës ka qenë fisheku. Për fat të mirë ai fishek ka shkrepur ngase, ka ekzistuar rreziku që të më kapin gjallë. Atëherë ata janë futur, përsëri, brenda”, kujton Fatmiri të cilin në luftë e thërrisnim Komandant Baci.

Në këtë çast, Fatmiri e ka nxjerrë bombën. Me dorën e shëndoshë ia ka nxjerrë siguresën. Me mjaft vështirësi, ngase i duhej mbajtur dorën e plagosur dhe atë bombë e ka hedhur mu në dhomën ku ishin policët e policisë sekrete serbe.

“Janë dëgjuar britma të shkijeve. Brenda është shkaktuar një pështjellim i madh. Gjatë asaj kohe unë e kam shfrytëzuar rastin që ta marrë Agronin dhe kam dalë nga oborri”, rrëfen Fatmir Humolli. “Kur kemi dalë jashtë, dikush prej tyre, ka shtënë edhe njëherë mbi ne. Pastaj jemi ndalur, për disa çaste në një udhëkryq dhe kam vëzhguar mos janë kund edhe serbët tjerë. Kur e kam parë se nuk ka të tjerë, atëherë ashtu e kam nxjerrë Agronin dhe e kam dërguar tek një shtëpi. Ai ishte ende gjallë. Kur e lashtë për të shkuar që t’i gjeja shokët për të na ndihmuar, Agroni ishte i pa ndjenja. I pa ndjenja, por i gjallë. Unë mendoja që të shkoja ta merrja Hyzri Tallën dhe me te të kthehesha ta merrja shokun tonë”, tregon Fatmiri.

Ky e dinte se Hyzriu, në këtë kohë, faktikisht gjendej në një banesë në Bregun e Diellit. Fatmiri arrin, disi, tek Hyzriu dhe atij i tregon, fije për pe për atë që kishte ndodhur, dhe, që të dy, menjëherë janë nisur për ta marrë Agron Rrahmanin të cilin, Fatmiri e kishte lënë të plagosur. Por ai, tashmë, kishte ndërruar jetë.
“Hyzriu e ka pasur një ‘kallash’ me vete. Kur i patëm sjellë, bashkë me Agronin, armët nga Shqipëria, i pat ndalur katër bomba dhe një “kallash”, më rrëfen F. Humolli.

Meqë Lagjja e Muhaxhirëve ishte e rrethuar, ndërsa Fatmiri bukur rëndë i plagosur, atëherë Hyzriu, ashtu duke ecur këmbë nëpër qytet, më ka dërguar deri në Taslixhe, ku ndihmën e parë ma kanë dhënë mjekët e SHB “Nëna Terezë”, në krye me doktor Gani Demollin.
“Edhe shërimin ma kanë bërë këta mjek në ambulancën në Kodrën e Trimave, prej nga kam kaluar në një bazë tonën tjetër, ilegale”, më thotë miku im, F. Humolli.

Hyzriu, në ilegalitet ka kaluar pas kësaj kohe, pasi që e kishte vënë re se po i vëzhgohej shtëpia nga UDB-ja.
“Hyzriu ka qenë një burrë vërtetë sypatrembur dhe deri në çastin e fundit nuk është tërhequr në ilegalitet të plotë”, tregon Fatmiri. “Por, edhe deri atëherë, ai, gjithnjë, ka qenë me armë pranë vetes dhe shumë i kujdesshëm. Do të thotë ishte gjithmonë i gatshëm për t’u kundërvënë” tregon eprori i lartë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Humolli.

Kur kalon Hyzriu në ilegalitet, atëherë, pasi që u nënshkrua edhe marrëveshja ndërmjet LKÇK-së dhe UÇK-së, që të dy këta, kalojnë në Qyqavicë, e mëpastaj rikthehen në Llap.

Atentatorët e Hyzri Tallës me shok pjesëtarët e Njësisë Speciale “SAJ” që komandoheshin nga, Vllado Todoroviq dhe Zharko Matunoviq

Të dhënat që i kam mbledhur gjithandej mbi vrasjen e Hyzri Tallës me shokë, fillimisht, nuk ishin të shumta. Dihej, pra, që, vrasja ndodhi më 2 dhjetor të vitit 1998, në orën 16 e 45 minuta në “Bregun e Diellit” kur është shtënë, nga të gjitha anët mbi një “Renault” 19 Chamade me targa të Prishtinës PR 200-227. Por, më pas e kemi kuptuar se, urdhërues për atë vrasje ishte, Mishko Llakoviq, një prej shefave kryesor të sigurimit serb në Kosovë. Ekzekutuesit ishin pjesëtarët e Njësisë Speciale “SAJ” që e kishin selinë në Hajvali, me komandantin e tyre, Vllado Todoroviq, ndihmës komandantin Zharko Matunoviq, dhe pjesëtarët tjerë të njësisë speciale që, asaj nate kishin lëvizur me automjetet për ekzekutim, “BMW”, një ”Audi 80” si dhe dy kombi civilë.
Snajperistët kanë qenë të vendosur në banesën e Bogdan Kecmanit, një paramilitar serb i ekspozuar nga koha e Millosheviqit dhe udhëheqës i organizatës paramilitare, “Bozhur”. Ndërsa, në afërsi të vendit të krimit, në përcjellje, ka qenë Sllavisha Filliqi me pjesëtarët tjerë të Sigurimit Shtetëror Serb që vepronin në Kosovë. Kështu, kjo vrasje e Hyzri Tallës, Afrim Maliqit dhe e Ilir Durmishit, u bë në mënyrë tejet profesionale ngase sigurimi serb kishte marrë masa që të mos dështonin në asnjë mënyrë. Por, për fat të keq, të dhëna flasin se në ndihmë forcave serbe u kishin ardhur edhe disa shqipfolës që ishin bashkëpunëtor të Serbisë kundër shqiptarëve.

Atentati mbi udbashin, Mishko Llakoviq

Mirëpo, kjo histori nuk përfundoi këtu. Vetëm ndonjë dhjetë ditë pas vrasjes së Hyzriut, një njësit i guerilës urbane në Prishtinë, e mori detyrën që ta nxjerrë hakun e Hyzriut me shokë dhe për të qëlluar mbi ndonjë personalitet të lartë të UDB-së në kryeqytet. Në fakt, kishte goxha kohë që, guerilja jonë, e kishte lokalizuar shtëpia e kriminelit, Mishko Llakoviqit dhe, me këtë rast, ia vunë pritën, mu tek udhëkryqi, matanë, gjimnazit “Sami Frashri”. Ishin disa djem dhe vajza në aksion. Këta e kishin përcjellë lëvizjen Llakoviqit për më shumë ditë dhe e dinin kohën kur, ai, afërsisht, kthehej në shtëpi dhe çfarë kerri kishte. Normal, kerri ishte zyrtar por me targa private dhe asnjë shenj policie. Dhe, për fat, që në natën e parë kur u vu prita, guerilasve të Prishtinës nuk iu desh që të prisnin shumë e ta vënin re makinën e Llakoviqit e cila po afrohej drejt tyre. Dhe, kur u afrua fare pranë tyre, ata kanë qëlluar me breshëri, nga gjashtë armët, në një zë. Makina e udbashit famëkeq, ndalon diku në katër apo pesë metra vendit ku u qëllua dhe deri ku e barti inrecioni. Në makinë nuk lëvizte askush. Guerilët e UÇK-së tu tërhoqën shpejt, ngase vendi ishte shumë i zbuluar dhe priteshin që, aty, të arrinin forca të mëdha serbe që erdhën menjëherë.
Kur, diku nga dymbëdhjetë dhjetori shkova, sërish, në Llapashticë, dikush prej shokëve më pyeti se mos kisha dëgjuar gjë për Mishko Llakoviqin, dhe se, mos ishte vrarë m..i. Për të qenë i sinqertë unë vërtetë nuk kisha dëgjuar asgjë, ngase mediet serbe, për arsye të tyre nuk kishin publikuar asgjë.
Kur u ktheva, të nesërmen, nga Llapashtica në Prishtinë, njeriun e parë që e takova në kryeqytet ishte, miku im i fëmijërisë, Agim Musliu. U ula dhe bisedova me të gjerë e gjatë për çështjen e atentatit tek rruga e gjimnazit, si dhe për Mishko Llakoviqin. Edhe Agimi, që ishte një ekspert (par excellence) i luftës më tha se UÇK-ja e kishte sulmuar dikë të “madh” të policisë serbe dhe se, me atë rast ishin plagosur rëndë dy policë, ndërsa njëri kishte shpëtuar lehtë. Që të dyve mendja na shkoi tek Llakoviqi.

Dhe, ashtu, ditë pas ditësh, duke vjelë një informatë “këtu” e një “atje”, me Agimin e krijuam mozaikun e saktë: asaj nate, në kerrin e Mishko Llakoviqit ishin plagosur shumë rëndë Sllavisha Filliqin i UDB-së si dhe i biri i Llakoviqit, që, gjithashtu, ishte paramilitarë. Llakoviqi kishte shpëtuar paq.
Pas kësaj, S. Filliqin dhe të birin e Mishko Llakoviqit i dërgojnë, për shërim, në Beograd. Filliqi, më, nuk është kthyer në luftë në Kosovë, edhe pse u mbijeton plagëve të rënda por ishte fizikisht i paaftë. Ndërsa djali i kriminelit shpëtoi më lehtë.
Është interesante e kaluara e Mishko Llakoviqi, para se të punësohej në UDB. Ai, në fund të gjashtëdhjetave dhe në fillim të shtatëdhjetave, ishte futbollist, dhe i vetmi sllav që ka luajtur futboll tek ekipi i njohur prishtinas, “Flamurtari”. Flamurtari ishte klub futbollistik që ishte krijuar në vigjilje të lejimit të flamurit kombëtar për shqiptarët dhe ne e donim së tepërmi, mu për këtë.
Ndërsa S. Filliq, viteve të tetëdhjeta ka luajtur hendboll për Prishtinën. Madje kemi luajtur bashkë në këtë ekip. Ai shquhej për një inteligjencë të ulët dhe për ngathtësinë e tij fizike… Një ditë u egërsua, serbisht.
Të dhënat që tregojnë janë edhe ato se, pikërisht Sllavisha Filliqi e kishte udhëhequr njësitin i cili i vrau në pritë, në Pestovë, Zahir Pajazitin, Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën. Një e veçantë e tij ishte se shqipen e ka njohur shumë mirë, ngase, shtëpinë e kishte, mbi hekurudhë, paksa pranë urës mbi atë rrugë treni, në Kodrën e Trimave, dhe ishte rritur me shqiptar.

#perjetesishtuck

Fotografitë:
1. Hyzri Talla, Ilir Durmishi dhe Afrim Maliqi

2. Latif Gashi dhe Hyzri Talla

3. Hyzri Talla
4. Hyzri Talla dhe Fatmir Humolli me shokë

5. Valon Murati

6 Një foto për gjithë jetën, në shtabin e Zonës Operative të Llapit
Nga e majta (poshtë): Hyzri Talla, Sabedin Zejnullahu (Uka), Rrustem Mustafa (Remi), Latif Gashi (Fati), Muhamet Latifi,
Në këmbë, nga e majta: Shefki Sejdiu dhe Sami Shatrolli

7. Kadri Kastrati dhe Latif Gashi tek vendi ku është vrarë Hyzri Talla me shokë (nëntor 1999)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Mustafë Xhemaili Ndër ngjarjet kulmore të historisë sonë kombëtare,…