Takimi i Haradinajt me kancelaren Merkel, aktiviteti më i rëndësishëm gjatë mandatit të tij

06 qershor 2019 | 13:08

Njohësi i proceseve politike, Shkëlzen Maliqi, ka thënë se takimi i kryeministrit Ramush Haradinaj me kancelaren gjermane Angela Merkel është një nga aktivitetet më të rëndësishme gjatë mandatit të tij.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se në këtë takim Merkeli do t’i ofrojë siguri Haradinajt për intencat e veta të mira.

“Për kryeministrin Haradinaj vizita në Gjermani dhe takimi me kancelaren Merkel janë aktivitete shumë të rëndësishme, mbase më të rëndësishmet që i ka pasur gjatë mandatit të tij. Vizita organizohet në kuadër të përpjekjeve intensive diplomatike për samitin e radhës më 1 korrik”, ka deklaruar Maliqi, duke shtuar se për dallim nga Berlini një muaj më parë, ku nuk u arrit asgjë konkrete, në Paris synohet të sigurohet gjetja e formulës për vazhdimin e dialogut të ndërprerë Kosovë – Serbi.

Megjithatë, ai ka thënë se është optimist sa i përket mundësisë që në Paris të vendoset bazamenti i marrëveshjes përfundimtare sepse, sipas tij, konkretizimi i marrëveshjes do të jetë gjë e vështirë.

“Për shembull, nuk besoj se Serbia sot është në gjendje të zotohet hapur për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo do të ishte tepër e rrezikshme për udhëheqësinë e saj aktuale. Por, ajo mund të obligohet që në afatin e caktuar, për shembull brenda gjashtë muajve, të organizohet referendumi për ndryshimin e Kushtetutës të Serbisë, të atyre pjesëve që Kosovën e trajtojnë si pjesë të patjetërsueshme të saj. Me këtë pesha e vendimit do të bartej te qytetarët e Serbisë, jo te presidenti Vuçiq”, është shprehur Maliqi.

Në këtë intervistë ai ka folur edhe për zhvillimet e fundit në vend, me ç’rast ka thënë se është thyer akulli në raportet mes dy partive kryesore të opozitës, me paralajmërimin e mocionit për mosbesim ndaj qeverisë Haradinaj dhe lidhjen e koalicionit parazgjedhor LDK – LV. Sipas Maliqit, kjo premton një vjeshtë dinamike, me pak fat, ndoshta, edhe arritjen e qëllimit që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

“Epoka e re”: Z. Maliqi, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, sot (e enjte) do të takohet me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel. Si e shihni këtë takim dhe cilat janë pritjet e juaja në këtë drejtim?
Maliqi: Për kryeministrin Haradinaj vizita në Gjermani dhe takimi me kancelaren Merkel janë aktivitete shumë të rëndësishme, mbase më të rëndësishmet që i ka pasur gjatë mandatit të tij. Vizita organizohet në kuadër të përpjekjeve intensive diplomatike për samitin e radhës më 1 korrik. Për dallim nga Berlini një muaj më parë, ku nuk u arrit asgjë konkrete, në Paris synohet të sigurohet gjetja e formulës për vazhdimin e dialogut të ndërprerë Kosovë – Serbi. Për këtë duhet të zbuten qëndrimet e dy palëve që kushtëzojnë vazhdimin e dialogut. Serbia kërkon heqjen e taksës, kurse Kosova nuk e heq taksën pa njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Beogradi. Tash pyetja është se kush do të tërhiqet nga kushtëzimet? Zakonisht diplomacia, kur bëhet fjalë për qëndrime të papajtueshme, kërkon zgjidhje kompromise, që në këtë rast të pezullohet taksa përkohësisht ose që Serbisë t’i afatizohet njohja e Kosovës për aq sa zgjat pezullimi. Prej kohësh është përfolur për nënshkrimin e një deklarate të përbashkët, të formuluar me kujdes, mbi platformën që ofron mundësinë e pajtimit historik rreth Kosovës, i cili do të bazohej në parimet politike edhe sot të pranueshme nga të dyja palët. Mendoj se tani po punohet të paktën për këtë. Kjo deklaratë do të duhej të ishte politike dhe e afatizuar, kështu që do të hapej rruga për pezullimin e taksës, njëkohësisht edhe rruga për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

“Epoka e re”: A besoni se Samiti i Parisit i 1 korrikut mund të sjellë diçka të tillë, madje edhe më konkrete, kështu që dialogu ndërmjet dy vendeve jo vetëm se do të ringjallet, por edhe ta sjellë rezultatin e pritur? Njohësit e proceseve politike dhe ndërkombëtare kanë thënë se në Paris mund të vendoset bazamenti i marrëveshjes përfundimtare Kosovë – Serbi. A jeni optimist se do të mund të ndodhë kjo?
Maliqi: Po, jam optimist sepse, gjithsesi, ky është qëllimi. Vetëm se konkretizimi i marrëveshjes do të jetë i vështirë. Për shembull, nuk besoj se Serbia sot është në gjendje të zotohet hapur për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo do të ishte tepër e rrezikshme për udhëheqësinë e saj aktuale. Por, ajo mund të obligohet që në afatin e caktuar, për shembull brenda 6 muajve, të organizohet referendumi për ndryshimin e Kushtetutës të Serbisë, të atyre pjesëve që Kosovën e trajtojnë si pjesë të patjetërsueshme të saj. Me këtë pesha e vendimit do të bartej te qytetarët e Serbisë, jo te presidenti Vuçiq. Edhe ashtu pa ndryshimin e Kushtetutës Serbia nuk ka mundësi ta njohë pavarësinë e Kosovës. Dhe një vendim për referendum do të duhej të ishte garanci e mjaftueshme për Haradinajn që ta pezullojë taksën si gjest i vullnetit të mirë për vënien e marrëveshjes historike në veprim.

“Epoka e re”: Si e shihni ecurinë e dialogut pas këtij samiti dhe pas zgjedhjeve në BE?
Maliqi: Nëse arrihet pajtimi rreth deklaratës politike, atëherë do të krijohet hapësira për dialog më intensiv për disa çështje të hapura që marrëveshja e Ahtisaarit i ka rregulluar në parim, por duhet të konkretizohen si, për shembull, çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe, statusi i manastireve e disa të tjera. Në dialogun e Brukselit më parë ato janë zgjidhur në parim, por ka mospajtime në interpretime dhe dëshira që të shpërthehet kompromisi bazë i Ahtisaarit. Mendoj se kjo mund të zgjidhet. Dhe nuk është e rastësishme që në të njëjtën kohë kur kryeministri Haradinaj do të takohet me kancelaren Merkel, në Berlin ka udhëtuar edhe një delegacion i Listës Serbe, i cili duhet të bindet rreth procesit. Merkel do t’i ofrojë siguri Haradinajt për intencat e veta të mira, njëkohësisht ato ua ofron edhe serbëve të Kosovës.

“Epoka e re”: Z. Maliqi, si i komentoni zhvillimet në skenën politike, qeverisjen e deritanishme dhe rolin opozitar?
Maliqi: Zhvillimet e fundit janë interesante, është thyer akulli në raportet mes dy partive kryesore të opozitës, me paralajmërimin e mocionit për mosbesim ndaj qeverisë Haradinaj dhe lidhjen e koalicionit parazgjedhor LDK – LV, që premton një vjeshtë dinamike, me pak fat, ndoshta, edhe arritjen e qëllimit që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Ky mund të jetë element shtesë motivues për kryeministrin Haradinaj që këtë sfidë ta përballojë duke bërë që Samiti i Parisit të ‘punojë’ në favor të tij. Sepse vazhdimi i dialogut me një afatizim 6 deri 8 mujor, e bën të parakohshme nismën e opozitës për rrëzimin e qeverisë sepse, nëse hapet rruga për dialog, Kosova nuk mund të jetë njëkohësisht në krizë qeveritare, me fushata që zakonisht më shumë përçajnë sesa bashkojnë spektrin politik. Pra, kryeministri Haradinaj mund të gjendet në situatën kur kërcënohet nga kalimi i ngushticës politike mes Skilës dhe Haribdës, ku për të fituar kohën shtesë për qeverisje i nevojitet ta pajtojë akordin e supozuar të Parisit. Kjo edhe mund të jetë rruga për ngadhënjimin e opsionit të tij të zgjidhjes së krizës në krah të platformës Merkel – Makron, pasi ajo edhe po imponohet si alternativë evropiane e projektit të ‘korrigjimit’ të kufijve.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka…