Takimi i Kurtit me Hoxhën Husamedin Abazi, PZAP e gjobit VV-në me 3 mijë Euro
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka gjobitur Lëvizjen Vetëvendosje me 3 mijë euro pas ankesës nga Partia Demokratike e Kosovës, lidhur me takimin që Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar me hoxhën Husamedin Abazi.
Në vendimin e PZAP thuhet se është vërtetuar se Kurti ka bërë fushatë me përfaqësues fetar dhe organizatave bamirëse.
Në përgjigje për ankesën e PDK’së, VV ka thënë se takimi nuk ka ndodhur në kuadër të veprimtarisë fetare të Hoxhës Husamedin Abazi. Aty thuhet se Kurti i është referuar Abazit si “Hoxhë” për hir të respektit dhe se takimi ka qenë spontan.
“…gjithashtu takimi nuk ka ndodhur në ambientet e Bashkësisë Islame të Kosovës, ndonjë vend kulti fetar apo të ngjashme, mirëpo takimi ishte spontan…”, thuhet në përgjigjen e VV’së.
VV obligohet ta paguajë këtë gjobë brenda 15 ditësh nga plotfuqishmëria e vendimit.
Për këtë takim kishte njoftuar vetë Kurti në Facebook.
“Në muret e fondacionit humanitar “Freskia” në Prishtinë, gjendet mbishkrimi “Mos më ushqe me peshk, por ma mëso peshkimin”. Ky fondacion ofron trajnime dhe kurse për nëna vetushqyese të cilat aftësohen për tregun e punës. Pastiçeria dhe rrobaqepësia janë dy nga sektorët e aftësimit, e të hyrat nga shitjet mbesin në dobi të nënave vetushqyese. Gjatë vizitës në këtë fondacion, pata kënaqësinë të takoja edhe hoxhë Husamedin Abazin me të cilin patëm diskutime të përzemërta. Ai gjithashtu më dhuroi kompletin e librave të Sami Frashërit të botuara nga Logos-A”, kishte shkruar Kurti./Reporteri.net