Takimi i Kurtit me kryetarët komunave, Ibrahimi: Qeveria duhet të jetë më serioze
Drejtori i ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka komentuar takimin e kryeministrit Albin Kurti me kryetarët e komunave, ku këta të fundit në numër të madh e kanë bojkotuar.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka deklaruar Qeveria duhet të jetë më serioze në organizimin e takimeve të tilla.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës nuk ka qenë as i konsultuar, as i njoftuar dhe as i ftuar për takimin e sotme. Kryetarët e komunave kanë qenë të ftuar të premten drejtpërdrejt për pjesëmarrjen në këtë takim. Agjenda që është përpiluar nga niveli qendror aty është paraparë që në emër të Asociacionit të flet kryetari Agim Aliu, por as kryetari nuk ka qenë i konsultuar sa i përket kësaj çështje. Ne vlerësojmë se organizimet e tilla me kryetarët të komunave duhet të këtë një qasje më serioze, që ata të njoftohet disa javë përpara, në mënyrë që edhe ne si Asociacion të përgatitemi për takime të tilla”, ka thënë ai.
Ibrahimi ka treguar shqetësimet e komunave të Kosovës.
“Deri me tani, edhe me pjesëmarrjen e kryetarëve të komunave janë adresuar shumë shqetësime nga kryetarët sa i përket themelimit të grandit të katërt të komunave, kontratave kolektive, ku zbatimi i kontratave është bërë barrë e komunave, ani pse komunat nuk janë nënshkruare. Po ashtu kryetarët kanë kërkuar që të ketë më shumë barazi në ndarje financiare ndaj komunave dhe kjo pabarazi mund të zgjidhet vetëm me themelimin e grandit të katërt. Sepse kryetarët e komunave po vlerësojnë se në ndarjet buxhetore nga ministrit e linjës ndaj komunave po përdoren kritere jo objektive dhe po aludojnë se po ka preferenca politike apo etnike”, është shprehur ai, duke shtuar se Qeveria ende nuk është përgjigjur pozitivisht në kërkesat e komunave që janë diskutuar në takimin paraprak.
“Të gjitha këto shqetësime që janë ngritur në takimet paraprake, përkundër zotimeve nga niveli qendror që kryetarët e komunave do të njoftohen me shkrim për këto dilema, deri me tani kryetarët e komunave nuk kanë pranuar përgjigje të tilla”, është shprehur ai.
Ibrahimi ka thënë se Asociacioni nuk vendos për takime të tilla.
“Asociacioni nuk mund të ua imponojë agjendat kryetarëve të komunave të Kosovës për pjesëmarrje në takime të tilla. Ne i mbrojmë interesat e komunave, por kryetarët e kanë autonomi të plotë për pjesëmarrje në takime ku ata i vlerësojnë si te dobishme”, ka thënë ai.