Takimi i Kurtit me Quint-in: Në veri ka turma ekstremistësh të dirigjuara nga Beogradi
Kryeministri Albin Kurti bashkë me zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, takoi ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefin e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Shkas dhe temë kryesore e takimit ishin zhvillimet e fundit në veri të vendit, sidomos veprimet e dhunshme dhe kriminale të protestuesve ekstremistë ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it, dhe pjesëtarëve të medieve.
Qeveria ka njoftuar se edhe pse në këto grumbullime sot ka pasur edhe protestues paqësor, kryeministri vlerësoi se këto nuk janë protesta paqësore, por turma ekstremistësh të dirigjuara nga Beogradi zyrtar.
“Grafitet nacionaliste shoviniste serbe dhe aso pro-kremlinit me ekstremistë të maskuar, që targetojnë, vandalizojnë dhe sulmojnë çdo gjë jo-serbe, është treguesi kryesor i motiveve prapa veprimeve të dhunshme, e të cilat duhet të dënohen ashpër nga të gjithë”, ka njoftuar Qeveria.
Duke i informuar për gjendjen në veri dhe zhvillimet e së hënës atje, kryeministri theksoi rëndësinë dhe nevojën për de-eskalimin e situatës, si dhe shprehu gatishmërinë për të punuar me shtetet e QUINT-it drejt këtij qëllimi.
“Ata u dakorduan që të mbajnë komunikim të dendur orëve dhe ditëve në vijim”, thuhet në njoftimin për medie të Qeverisë së Kosovës.