Takimi i Uashingtonit do të shënojë hapa përpara drejt njohjes reciproke
Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm takimin e 4 shtatorit, me të cilën datë do të takohet delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë në Shtëpinë e Bardhë për të biseduar. Ajo ka deklaruar se në këtë takim do të shënohen hapa përpara drejt njohjes reciproke në mes të dy shteteve.
Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Tahiri ka bërë me dije se nuk pret që në këtë takim të ndodhë përmbyllja e marrëveshjes përfundimtare.
“Ky takim do të shënojë hapa përpara drejt njohjes reciproke mes dy shteteve, por nuk pres përmbyllje të marrëveshjes. Është folur zyrtarisht se do të jetë agjendë ekonomike, mirëpo unë besoj se nuk mund t’iu shmangen temave të tjera. Sepse gjërat janë të ndërlidhura dhe në Ballkan është vështirë të ndahen temat ekonomike nga ato politike, apo gjeopolitike”, ka thënë Tahiri.
Ajo ka treguar se nga ky takim mund të pritet arritja e ndonjë marrëveshje ekonomike. Sipas Tahirit, marrëveshjet ekonomike duhet të kenë kornizë të qartë politike.
“Nëse do të ketë marrëveshje ekonomike, ajo marrëveshje duhet të ketë kornizë të qartë politike. Pra, të jetë marrëveshje mes dy shteteve të pavarura dhe sovrane. Këtë po e theksoj, sepse nëse do të kemi një marrëveshje vetëm ekonomike, pa aspektin bilateral shtetëror, atëherë do të ishte një marrëveshje e cila do ta cenonte shtetësinë e Kosovës”, është shprehur ajo.
Më tej, Tahiri ka folur edhe për përbërjen e delegacionit shtetëror që do ta përfaqësojë Kosovën në këtë takim. Ajo ka thënë se në delegacion do të duhej të përfshiheshin edhe subjektet politike opozitare.
“Mendoj se qeveria aktuale dhe parterët e koalicionit qeveritar është dashur të bëjnë çmos, pra t’i përdorin të gjitha mundësitë që të përfshihet opozita në delegacion. Sepse ne sot kemi një opozitë shumë të fortë. Kështu që, ka qenë e domosdoshme të gjendet rruga që subjektet opozitare të jenë pjesë e delegacionit. Kjo rrugë nuk është e thjeshtë dhe nuk bëhet vetëm me një ftesë”, ka thënë Tahiri.
“Epoka e re”: Znj. Tahiri, delegacioni i Kosovës ka shkuar në Uashington për takimin e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë. Si e keni parë përbërjen e tij?
Tahiri: Duke marrë parasysh që takimet në Uashington kanë një rëndësi të jashtëzakonshme, jo vetëm për Kosovën, por edhe për mbarë rajonin, dhe duke marrë parasysh që kemi hyrë në fazën finale të bisedimeve me Serbinë, mendoj se do të duhej të kishim një delegacion uniteti. Pra, një delegacion me një bazë më të zgjedhur, ku patjetër do të duhej të përfshiheshin edhe partitë opozitare. Pastaj, ky delegacion do të duhej ta kishte aprovimin e Kuvendit të Kosovës dhe të kishte një platformë për bisedime të miratuar në Kuvend. Sepse kjo fazë e dialogut dallon nga fazat e tjetra ngaqë e ka karakterin e proceseve finale. Kështu si është, delegacioni ka bazë institucionale, sepse është qeveritar, pastaj rezoluta e Kuvendit e ka mandatuar qeverinë që të merret me dialogun Kosovë – Serbi. Meqenëse kjo është një fazë tjetër e dialogut, do të duhej edhe delegacioni i Kosovës të reflektonte peshën më të madhe dhe legjitimitetin më të madh.
“Epoka e re”: Përveç mungesës së opozitës, delegacioni është kritikuar edhe për mungesë të përvojës në negociata dhe mospërfshirjen e ekspertëve. Është e drejtë kjo kritikë?
Tahiri: Natyrisht se këto janë karakteristika të domosdoshme për një delegacion i cili bën negociata për paqe, sidomos në këtë rast kur negocion me armikun, pra me Serbinë, e cila ka qenë okupatore. Në këtë drejtim më shumë nuk do të komentoja, sepse vetë jam negociatore gati mbi dy dekada. Mjafton që kanë folur të tjerët.
“Epoka e re”: A ka qenë qasja e duhur e qeverisë ndaj opozitës për përfshije në këtë delegacion?
Tahiri: Mendoj se qeveria aktuale dhe parterët e koalicionit qeveritar është dashur të bëjnë çmos, pra t’i përdorin të gjitha mundësitë që të përfshihet opozita në delegacion. Sepse ne sot kemi një opozitë shumë të fortë. Janë dy parti të mëdha në opozitë. Kështu që, ka qenë e domosdoshme që të gjendet rruga që subjektet opozitare të jenë pjesë e delegacionit. Kjo rrugë nuk është e thjeshtë dhe nuk bëhet vetëm me një ftesë. Është dashur të ulen liderët e partive politike parlamentare dhe ta shikojnë mundësinë e riformatimit të qeverisë për ta përfshirë opozitën në qeveri. Pastaj, do të kishim një delegacion më të gjerë. Sepse në fund çdo marrëveshje finale do të shkojë në Kuvend, ku do të kërkohen dy të tretat e votave për miratim. Nëse kësaj radhe nuk ka ndodhur, duhet të ndodhë herën tjetër një gjë e tillë.
“Epoka e re”: Përfshirja e opozitës në delegacion, do të ndikonte në fuqizimin e pozicionit të Kosovës në takim?
Tahiri: Sa i përket fuqizimit të pozicionit të Kosovës, mendoj se tani Kosova ekziston si shtet i pavarur falë luftës çlirimtare të popullit të Kosovës dhe aleatëve tanë amerikanë dhe evropianë. Dhe në Uashington ndërmjetësuese është Amerika, aleatja jonë kryesore, e cila ka qenë pjesë çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës. Por, sa i takon legjitimitetit, natyrisht se kur është një delegacion që përfaqëson të gjitha partitë, karshi palës serbe, por edhe në raport me ndërmjetësuesin, do të ishte një fuqi më e madhe, më serioze e delegacionit tonë.
“Epoka e re”: Qeveria ka paralajmëruar se në takimin e 4 shtatorit do të diskutohet për çështje ekonomike, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se mund të ketë edhe marrëveshje politike. Çfarë pritni se do të diskutohet në këtë takim?
Tahiri: Së pari mendoj se takimi në Uashington ka vërtet një rëndësi të jashtëzakonshme strategjike sepse tregon angazhimin e rritur të Amerikës për Kosovën dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Së dyti, ky takim do të shënojë hapa përpara drejt njohjes reciproke mes dy shteteve, por nuk pres përmbyllje të marrëveshjes. Është folur zyrtarisht se do të jetë agjendë ekonomike, mirëpo unë besoj se nuk mund t’iu shmangen temave të tjera. Sepse gjërat janë të ndërlidhura dhe në Ballkan është vështirë të ndahen temat ekonomike nga ato politike apo gjeopolitike. Nëse do të ketë marrëveshje ekonomike, ajo marrëveshje duhet të ketë kornizë të qartë politike. Pra, të jetë marrëveshje mes dy shteteve të pavarura dhe sovrane. Këtë po e theksoj, sepse nëse do të kemi një marrëveshje vetëm ekonomike, pa aspektin bilateral shtetëror, atëherë do të ishte një marrëveshje e cila do ta cenonte shtetësinë e Kosovës. Po e them këtë sepse janë bërë disa marrëveshje në Gjermani me ndërmjetësimin amerikan, pra ato dy-tri marrëveshjet ekonomike, ku në bazë të dokumenteve që kam lexuar, i mungon aspekti politik i definimit që këto janë marrëveshje mes dy shteteve të pavarura dhe sovrane. Në Gjermani kanë ndodhur, mirëpo në këtë fazë nuk duhet të ndodhë, sepse një gjë e tillë do ta dëmtonte shtetasin e Kosovës. Ky do të ishte dështim i punës së delegacionit të Kosovës.
“Epoka e re”: Ka pasur edhe pasiguri që janë shprehur ndaj këtij takimi. Cila është përgjigjja e juaj ndaj dilemave të tilla?
Tahiri: Kam dëgjuar edhe paralajmërime se do të ketë befasi në këtë takim. Sidomos këtë e alarmon Serbia që të krijojë pasiguri dhe frikë. Mirëpo mendoj se ne nuk duhet ta kemi drojën prej këtyre proceseve. Këto janë procese negociatore dhe, në qoftë se do të ketë befasi jo të mira, atëherë delegacionit të Kosovës i takon që të çohet nga tavolina, sepse delegacioni i Kosovës ka mandat të qartë, i ka vijat e kuqe, e di se duhet të angazhohet për mbrojtjen e shtetit dhe sovranitetit dhe integritetit territorial. Pra, e di delegacioni i Kosovës se çdo marrëveshje duhet të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës. Pra, pavarësisht që ndërmjetësuese e bisedimeve është aleatja jonë kryesore, me përkrahjen e së cilës i kemi arritur lirinë dhe pavarësinë, megjithatë në negociata, kur gjërat nuk shkojnë mirë në tavolinë, atëherë duhet të largohesh nga tavolina. Kështu që, për ato frikësime e befasi ekziston përgjigjja. Megjithatë, unë besoj se do të ketë rrjedha pozitive sepse sa herë që ShBA-ja është angazhuar në Kosovë dhe Ballkan, gjërat kanë shkuar në rrugën e duhur.
Muhamet KOCI