Takimi Kosovë-Serbi ende pa datë, s’dihet as për fatin e asociacionit
Akoma nuk dihet se cilado të jetë data për mbajtjen e takimit të ardhshëm të Avdullah Hotit, kryeministrit të Kosovës, dhe Aleksandër Vuçiqit, presidentit të Serbisë, për dialogun në Bruksel.
Peter Stano, zëdhënësi i BE-së, ka deklaruar për” klankosova.tv” se janë duke punuar në caktimin e datave dhe agjendës së takimeve të ardhshme të BE-së me përfaqësues të Prishtinës dhe Beogradit.
“Puna është në vazhdim e sipër për përgatitjen e takimeve të mëtejshme në kuadrin e dialogut.”
“Ne do të shpallim datën dhe agjendën e takimeve të ardhshme – qoftë në nivelin e ekspertëve apo në nivelin e lartë politik, kur është e përshtatshme”, ka thënë ai.
Takimi i fundit që ishte paraparë të mbahej më 28 shtator në Bruksel për dialogun ishte shtyrë për një datë të pacaktuar.
Ishte Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, i cili ka bërë me dije se shtyrja e takimit është bërë “për shkak të masave të kujdesit përballë situatës me Covid-19”, takimi i shefave të ekipeve negociuese ishte shtyrë.
Temë e këtij takimi pritej të ishin diskutimet për çështjen e pronave dhe ato financiare ne mes dy vendeve. Por, se nga ekipi serb i dialogut ishte thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe ishte në mesin e pikave.
I pyetur rreth asaj se a do të jetë temë diskutimi në takimin e ardhshëm në Bruksel, Asociacioni i Komunave Serbe, Stano ka theksuar se “çështja e aranzhimeve për komunitetin jo-shumicë – Asociacion/ Komuniteti duhet të adresohet si pjesë e Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse siç është rënë dakord në takimet e para të liderëve në korrik 2020 dhe të ri-konfirmohet në raundin e fundit më 7 shtator 2020”.
Nga Qeveria e Kosovës për “klankosova.tv” kanë deklaruar se qëndrimi i tyre është i njëjtë me atë të Avdullah Hotit, kryeministrit të vendit, i cili ka thënë se tema e Asociacionit është e mbyllur dhe nuk do të diskutohet.
“Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është i njëjtë me atë të z. Hoti, asociacioni është mbyllur me është e mbyllur me marrëveshjen e vitit 2013 dhe më pastaj me marrëveshja tjetër të parimeve më 2015”.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, para një jave ka deklaruar se Beogradi është i gatshëm për bisedime me Prishtinën në Bruksel dhe se Asociacioni i Komunave Serbe është një temë e pashmangshme.
“Ne jemi gati të flasim. Asociacioni i komunave serbe është një temë e pashmangshme dhe ne do të këmbëngulim për këtë”, ka thënë Vuçiqi, kur u pyet nga gazetarët nëse do të kishte një takim në Bruksel më 28 shtator, pas raportimeve se mund të shtyhet takimi.