Takimi Kurti – Vuçiq, ShBA-ja: Të ruhet pavarësia e Kosovës, Kina: E mbështesim Serbinë
Sot në Bruksel do të zhvillohet takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Një ditë më herët Kurti dhe Vuçiqi kanë zhvilluar takime me përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-së dhe Bashkimit Evropian (BE).
Deklarata më precize ka qenë ajo e të dërguarit të posaçëm të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që sovraniteti dhe pavarësia e Kosovës të ruhen.
“Ne duam të kemi bisedime produktive nesër dhe po shpresojmë se të dyja palët mund të arrijnë një marrëveshje e cila ruan sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës dhe gjithashtu parandalon dhunën. Kështu që po shpresojmë për bisedime të mira. Faleminderit shumë!”, ka deklaruar Escobar.
Siç Kosova merr mbështetje nga SHBA-ja, Serbia e ka atë nga Kina.
Të mërkurën në “Twitter” ka reaguar ambasadorja e Pekinit në Beograd, Chen Bo. Ajo në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, tha se “Kina e mbështetë sovranitetin e Serbisë në Kosovë”, diçka në kundërshtim me verdiktin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
“Presidenti Vuçiq dhe unë përsëritëm sot mbështetjen e ndërsjellë të dy vendeve tona për çështjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, duke theksuar gatishmërinë për t’i përmirësuar projektet në kuadër të bashkëpunimit dypalësh”, shkroi Chen Bo në “Twitter” pas takimit me Vuçiqin, raporton “Tanjug”.