Takimi Kurti-Vuçiq, SHBA pret marrëveshje Kosovë-Serbi ditëve në vijim
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që Kosova dhe Serbia “të arrijnë një marrëveshje në ditët në vijim me mbështetjen e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian”.
BE-ja ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për një takim në Bruksel në një përpjekje për të gjetur një zgjidhje për situatën në veriun e Kosovës, të cilën zyrtarët evropianë kanë cilësuar më të rrezikshmen që nga viti 2013.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano nuk tha se kur mund të ndodhë takimi por shfaqi shpresën se ai duhet të ndodhë shumë shpejt. Pasditja e së dielës apo mëngjesi i së hënës janë përmendur si periudhë e mundshme e takimit.
Zoti Stano tha se synimi është gjetja e një zgjidhjeje evropiane.
“Pikërisht ky është qëllimi, që t’i kemi ata në Bruksel për të diskutuar me ta për rrugëdaljen. Shpresojmë se do të mund të vijnë shumë shpejt në mënyrë që të mund të merremi me çështjet, siç ka thënë Josep Borrell, përpara datës 21 dhe jo më pas”, tha zoti Stano.
“Ne po i mbështesim në mënyrë aktive këto përpjekje”, tha ndërkaq zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit.
Të premten në mbrëmje kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se ka biseduar me Këshilltarin e DASH-it Derek Chollet “për domosdoshmërinë e një marrëveshjeje të plotë të normalizimit me Serbinë me njohjen e ndërsjellë në qendër, me përqendrim në situatën e sigurisë në Kosovë së bashku me sundimin e ligjit”.