Takimi me al-Malikin që Gërvalla e mbajti sekret, Palestina kërkon që Kosova ta heqë ambasadën nga Jerusalemi
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, gjatë qëndrimit në Forumin Diplomatik të Antalyas kishte takuar edhe homologun e saj nga Palestina, Riyad al-Maliki, megjithatë për një takim të tillë s’kishte treguar fare, as përmes ndonjë komunikate zyrtare e as në platformat tjera në rrjete sociale si “Twitter” dhe “Facebook”
Ndërkohë në mediat turke, një takim i tillë kishte bërë bujë, meqë Al-Maliki kishte deklaruar se Palestina mund të konsiderojë vendosjen e raporteve me Kosovën vetëm në rast se Kosova e largon ambasadën e saj në Izrael nga Jerusalemi, raporton “GE”.
Siç shkruan “Haberler.com”, gjatë takimit me Al-Malikin, Gërvalla kishte shprehur dëshirën e Kosovës për thellimin e raporteve me Palestinën.
“Prezenca e Ambasadës në Jerusalem është kundër ligjit ndërkombëtar, Rezolutës së Këshillit të Sigurimit dhe qëndrimit të Bashkimit Evropian. Kjo shkelje nuk do t’i sjell dobi progresit të Kosovës drejt njohjes ndërkombëtare dhe anëtarësimit në bashkësinë ndërkombëtare”, citohet të ketë thënë Al-Maliki.
Palestina është kundërshtare e fortë e pavarësisë së Kosovës. Qëndrimin kundër zakonisht e ka shprehur ambasadori palestinez në Beograd, Muhammad Nabhan i cili nuk heziton të theksojë se “Kosova gjithmonë ka qenë pjesë e Serbisë”.
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës më 13 mars të këtij viti kishte lëshuar një komunikatë për media ku kishte njoftuar për takimet që Gërvalla kishte zhvilluar në Turqi gjatë Forumit në Antalya.
Megjithatë takimi me Al-Malikin e Palestinës nuk figuron askund. Në komunikatën e MPJ-së të datës 13 mars ishte njoftuar për takimin me kryediplomatin turk Mevlut Cavusoglu, më atë të Somalisë, Abdisaid Muse Ali, me ministrin II të Punëve të Jashtme të Burnei Darussalamit, Dato Seri Setia Haji Erywan bin Pehin Datu Pekerma Jaya Haji Mohd, më ministren e Punëve të Jashmte të Senegalit, Aissata Tall Sall dhe me ministrin e Jashtëm të Bahrainit.