‘Takimi me Qeverinë e Bosnjës nuk është negocim për taksën 100 për qind’
Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi ka konfirmuar për “Radion Evropa e Lirë”, se Kosova i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Bosnje Hercegovinës për takim në kuadër të CEFTA-s, në lidhje me tarifën ndaj mallrave të Bosnjës dhe Serbisë.
Mirëpo Gashi ka thënë se “këto negociata nuk kanë të bëjnë me heqjen e kësaj mase”.
“Bosnje dhe Hercegovina ka paraqitur kërkesë për një takim mbi çështjet bilaterale në kuadër të CEFTA-s. Kosova i është përgjigjur në mënyrë pozitive dhe me gjasë ministri i Tregtisë së Kosovës do të marrë pjesë në një takim në Bosnje në fund të janarit. Ne do t’i dëgjojmë kërkesat e tyre, por gjithashtu do të mbrojmë qëndrimet dhe parimet e tona. Pra, nuk ka të bëjë me negociatat për këtë çështje, por Kosova do të mbrojë pozitën e saj dhe parimet përse imponoi një tarifë të tillë. Kosova është e detyruar të respektojë këtë formë të komunikimit brenda CEFTA-s”, ka thënë Gashi.
Ndërsa, ministri i Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnje dhe Hercegovinës, Mirko Saroviq, ka konfirmuar se pala kosovare, me kërkesë të Bosnjës ka pranuar negociatat bilaterale për heqjen e tarifës prej 100 për qind të mallrave nga Bosnja. Ai theksoi se janë duke u përgatitur në nivelin e ekspertëve për të arritur një zgjidhje adekuate, por theksoi se nuk mund të parashikojë rezultatin.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë disa herë se tarifa do të hiqet vetëm nëse Bosnja dhe Serbia do ta njohin Kosovën.