Takimi me zyrtarin e NATO-s në Bruksel, Bislimi s’e përmend diskutimin për Urën e Ibrit
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka njoftuar për takimin që ka pasur sot në Bruksel me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO’s për Operacione, Thomas Goffus dhe komandantin për operacione civile të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së, Stefano Tomat.
Në njoftimin e NATO’s u theksua se në këtë takim u diskutua për Urën e Ibrit, mirëpo Bislimi nuk e ka përmendur specifikisht këtë çështje në postimin e tij, vetëm ka thënë se janë trajtuar çështje të ndryshme sigurie, shkruan Reporteri.net.
Takim shumë i mirë në Bruksel me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Operacionet, Tom Goffus & Stefano Tomat, Komandant i Operacioneve Civile në EEAS. Theksova rëndësinë që qeveria jonë i jep bashkëpunimit të ngushtë me NATO’n, ndërsa ndërsa trajtuam edhe çështje të ndryshme sigurie”, ka shkruar Bislimi.
NATO-ja njoftoi se Goffus, së bashku me komandantin për operacione civile të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së, Stefano Tomat, pati takime të ndara me Bislimin dhe me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, në margjinat e rundit të ri të bisedimeve mes dy vendeve të martën në Bruksel.
“Ndihmëssekretari i Përgjithshëm për Operacione bisedoi për gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe shpalosi shqetësimet e sigurisë në rast të hapjes së mundshme për trafik të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë”, thuhet në njoftimin e NATO-s.
Goffus ka theksuar se KFOR-i ka prani mbi urë dhe po vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përrreth, duke shtuar se çdo vendim duhet të merret përmes dialogut.
“Ai nënvizoi se vendimet duhet të merren përmes dialogut dhe në kohë të duhur e në bashkërendim me bashkësinë ndërkombëtare, si dhe në një mënyrë që nuk e vë në rrezik komunitetin lokal apo trupat e NATO-s”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, Presidentja Vjosa Osmani, ka deklaruar sot se dialogimi me Serbinë për çështjen e urës, është shkelje e sovranitetit dhe Kushtetutës.
“Në qoftëse dikush bën dialog për Urën e Ibrit me Serbinë, kjo është shkelje e sovranitetit, Kushtetutës dhe në asnjë moment nuk është në interes të Kosovës që kjo temë të jetë pjesë e dialogut me Serbinë. Kjo temë patjetër që duhet të diskutohet me partnerët tanë të sigurisë sepse edhe vetë marrëveshjet e Brukselit e kërkojnë një gjë të tillë”.
“Është interes i Kosovës që ne të punojmë me partnerët tanë të sigurisë, i cili pastaj do të zbatohet dhe kur të hapet ura do të jetë vendim i qëndrueshëm që nuk do të mund të sfidohet, dhe as nuk do të duhej të sfidohej nga askush”, tha Osmani para gazetarëve me rastin e lansimit të Qendrës së Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.