Takimi në Shtëpinë e Bardhë, Hamza: Mesazhi që mora ishte i qartë, ShBA-ja qëndron pranë nesh
Bedri Hamza, i nominuari nga PDK-ja për kryeministër të ardhshëm të Kosovës, ka publikuar fotografi nga takimet e tij në Shtëpinë e Bardhë në ShBA.
Në këtë vizitë, Hamza ka marrë mbështetje nga Amerika si dhe kanë folur për njohjen e pavarësisë nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, para zyrtarëve të lartë amerikan, ai ka prezantuar edhe planin e tij për Kosovën.
Hamza ka thënë se ka takuar asistentin special të presidentit Joe Biden, ambasadorin Michael Carpenter si dhe drejtoreshën për Ballkan dhe Evropë Qendrore (KSK), Kathleen Larkin.
“Mesazhi që mora ishte i qartë: SHBA qëndrojnë pranë nesh dhe mbështesin pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”.
“Vizitën time në ShBA e fillova me një takim me Asistentin Special të Presidentit Biden, Ambasadorin Michael Carpenter, që njëherësh është Drejtor i Lartë për Evropë në Këshillin për Siguri Kombëtare (KSK), si dhe me Drejtoreshën për Ballkan dhe Evropë Qendrore (KSK), znj. Kathleen Larkin. Mesazhi që mora ishte i qartë: ShBA qëndrojnë pranë nesh dhe mbështesin pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, ka shkruar Hamza në “Facebook”.