Takimi Thaçi – Kurti, pak para fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka filluar takimin me kryeministrin Albin Kurti, me të cilin është duke diskutuar pas votimit të mocionit për rrëzimin e qeverisë.
Kurti ka arritur në kabinetin e presidentit i shoqëruar nga dy këshilltarë.
Zyra e presidentit ka njoftuar se ftesa u janë dërguar të gjitha partive parlamentare për konsultim për hapat e mëtejmë pasi Kuvendi i mori besimin qeverisë Kurti.
Në orën 10:30 pritet ta takojë kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, që ishte partner koalicioni në qeverinë tash në detyrë. Pas tij pritet të vijë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.
Nesër në takime të ndara presidenti do t’i presë kryetarin e AKR-së, atë të Nismës Socialdemokrate, Listës Serbe dhe 6+.
Qeveria e Kosovës është rrëzuar më 25 mars me dy të tretat e deputetëve të cilët votuan për mocionin e mosbesimit të cilin e inicioi LDK-ja.