
Takimi Trump – Zelensky, riorientim i politikës globale dhe sfidë për Perëndimin
Shkruan: Hisen Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës
Takimi ndërmjet Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nuk është një zhvillim thjesht protokollar, por një sinjal i qartë për orientimet strategjike të SHBA-së në raport me luftën në Ukrainë, sigurinë evropiane dhe rendin global. Ky takim, në kontekstin aktual të një bote të polarizuar mes fuqive perëndimore dhe boshtit autoritar Rusi-Kinë, sjell disa mesazhe kyçe për shtetet e BE-së dhe partnerët e SHBA-së, përfshirë edhe Kosovën.
Trump ka qenë kritik ndaj qasjes së administratës Biden për ndihmën e pakushtëzuar ndaj Ukrainës. Ky takim sinjalizon se mbështetja amerikane për Ukrainën nuk do të ndalet, por do të marrë një formë të re, më pragmatike dhe të kushtëzuar nga interesat amerikane. Mesazhi për Evropën është i qartë se ajo duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj dhe të mos mbështetet tërësisht në Washington për të mbajtur barrën e mbrojtjes. Kjo do të thotë që vendet e BE-së duhet të rrisin shpenzimet për mbrojtjen dhe të ndërtojnë një politikë më të unifikuar të sigurisë. Në të njëjtën kohë, qasja e ndryshme e Trump ndaj Rusisë mbetet një faktor i rëndësishëm. Ai ka treguar një prirje për një qasje më fleksibile, duke lënë të hapur mundësinë e një marrëveshjeje që mund të çojë në një përfundim të luftës në Ukrainë. Kjo mund të krijojë tensione me BE-në, veçanërisht me shtetet baltike dhe Poloninë, të cilat e shohin Rusinë si një kërcënim ekzistencial.
Në aspektin më të gjerë të sigurisë globale, takimi Trump – Zelensky shënon rikthimin e realpolitikës si parim dominues në politikën ndërkombëtare. Trump e sheh politikën globale përmes prizmit të fuqisë dhe interesave kombëtare, jo ideologjisë apo parimeve morale. Kjo do të thotë që marrëdhëniet ndërkombëtare do të dominohen nga diplomacia e transaksioneve, ku aleancat do të varen nga përfitimet konkrete që sjellin. Kjo qasje mund të thellojë ndarjet mes Perëndimit dhe bllokut autoritar, por gjithashtu mund të sjellë riformatime të papritura në marrëdhëniet SHBA-Rusi dhe SHBA-Kinë.
Lënia e Ukrainës pa mbështetje, në mëshirën e çmendurisë së Putin që mbështetet drejtpërdrejtë nga Kina dhe aleatë të tjerë autoritarë, do të thotë disfatë e SHBA-së, BE-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe tërë botës demokratike perëndimore. Një tërheqje e Perëndimit nga Ukraina nuk do të përfaqësonte vetëm një dështim të politikës së jashtme, por një ndryshim të të gjithë ekuilibrit të fuqisë globale. Një Ukrainë e braktisur nga Perëndimi do të çonte në dobësimin e aleancave transatlantike, në rritjen e ndikimit rus në Evropën Lindore dhe në përshpejtimin e një bote multipolare ku Perëndimi nuk do të ishte më faktori dominues.
Është evidente se në Ukrainë realisht po zhvillohet “Lufta e Tretë Botërore”. E tërë bota perëndimore është e angazhuar me të gjitha format dhe mjetet e mbështetjes së drejtpërdrejtë në këtë luftë, edhe duke luftuar në distancë kundër Rusisë dhe aleatëve të saj. Fushëbeteja e izoluar deri më tani është territori i Ukrainës. Por nëse Perëndimi tregon dobësi, ky konflikt do të dalë nga kufijtë e Ukrainës dhe do të shndërrohet në një përballje të drejtpërdrejtë midis fuqive botërore. Rusia ka bërë të qartë se synimet e saj shkojnë përtej Ukrainës. Nëse Putin arrin të imponojë një fitore, qoftë të pjesshme apo të plotë, ndaj pjesëve të okupuara apo tërë Ukrainës, kjo do të përfaqësonte një fitore direkte ndaj Perëndimit. Një fitore e çfarëdoshme e Rusisë – ushtarake, diplomatike apo strategjike – do ta inkurajonte Moskën të ndërmarrë lëvizje të reja në rajonin e Balltikut, në Evropën Lindore, Mesdhe, dhe më gjerë.
Një fitore e Rusisë ndaj Ukrainës do t’ia rrisë ambiciet gjeostrategjike jo vetëm Moskës në Evropë, por edhe Kinës në Indo-Paqësor, ku Tajvani do të bëhej objektivi kryesor. Dështimi i Perëndimit në Ukrainë do ta dështonte gjithashtu strategjinë amerikane për Lindjen e Mesme dhe ndaljen e iranizimit në Gadishullin Arabik, ku Irani ende është në ekspanzion të zgjerimit të ndikimit të tij prorus. Pa një SHBA të fortë dhe një NATO të fuqishme, Perëndimi do të humbte terren jo vetëm ndaj Rusisë, por edhe ndaj Kinës dhe Iranit, duke lejuar një rend të ri global ku fuqitë autoritare do të diktonin rregullat e lojës.
NATO duhet të mbetet aleanca botërore e sigurisë globale, jo vetëm në kuptimin e saj tradicional si mburojë e Evropës, por edhe si një mekanizëm i përfshirë në stabilitetin e rendit ndërkombëtar. Nëse NATO nuk e forcon këtë rol, ekziston rreziku që vakuumi i sigurisë të mbushet nga aktorë si Rusia dhe Kina, të cilët synojnë të dobësojnë Perëndimin. Por për ta mbajtur këtë status, NATO varet nga një faktor kryesor i sugurisë globale, supremacia ushtarake dhe strategjike e Shteteve të Bashkuara.
Forcat e Armatosura të SHBA-së duhet të mbeten SUPËRFUQIA botërore, që i jep kuptim Artikullit V të Kartës së Kombeve të Bashkuara, duke e bërë atë një mekanizëm real dhe efektiv, e jo thjesht një deklaratë politike. Nëse SHBA e dobëson dominimin e saj ushtarak dhe strategjik, atëherë edhe siguria kolektive globale do të vihet në pikëpyetje.
Për Kosovën, ky takim duhet të shërbejë si një mësim i qartë se mbrojtja dhe siguria kombëtare nuk mund të mbeten të varura ekskluzivisht nga mbështetja e aleatëve. Kosova duhet të investojë seriozisht në mbrojtje, të zhvillojë kapacitetet e Forcës së Armatosur dhe të forcojë marrëdhëniet me NATO-n si një prioritet strategjik. Ndërsa SHBA mbetet aleati më i rëndësishëm, Kosova duhet të sigurojë mbështetje të gjerë nga BE-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për të garantuar sigurinë dhe integrimin e saj euro-atlantik.
Nëse Evropa lëviz drejt një politike më të përbashkët të mbrojtjes, Kosova duhet të gjejë mënyra për të integruar kapacitetet e saj mbrojtëse dhe për të ndërtuar partneritete të reja brenda rajonit. Politika e re globale e bazuar në interesa dhe fuqinë reale të shteteve kërkon që Kosova të ketë një pozicion të qartë dhe të fortë në raport me partnerët strategjikë. Takimi Trump – Zelensky nuk është vetëm një zhvillim i radhës në marrëdhëniet SHBA-Ukrainë, por një sinjal i fuqishëm për ndryshimet që mund të ndodhin në arkitekturën e sigurisë globale.
Zelensky në këtë takim është dashur të imitojë qasjen e liderit të shqiptarëve të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në kërkesën për mbështetje dhe shpëtim nga SHBA dhe bota demokratike. Nëse ai nuk e arrin këtë, atëherë Ukraina rrezikon të mbetet një çështje dytësore në strategjinë globale të Perëndimit, duke ia lënë fushën e lirë Rusisë dhe aleatëve të saj për të riformatuar ekuilibrin e fuqisë në Evropë dhe botë.