
Takohen Daka e Lumezi, bisedojnë për zgjedhjet e 14 shkurtit
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka pritur në takim kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, me të cilin ka biseduar rreth përgatitjes së zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Daka ka vlerësuar bashkëpunimin në proceset e kaluara me Prokurorinë e Shtetit me qëllim të parandalimit të keqpërdorimit të votës.
Në këtë kontekst, ajo ka theksuar se bashkëpunimi ndërinstitucional është i domosdoshëm për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor.
Ndërsa kryeprokurori Lumezi ka njoftuar kryetaren e KQZ-së se Prokuroria e Shtetit do të angazhohet në këto zgjedhje, ashtu si në të kaluarën, për mbrojtjen e votës.
Ai ka bërë me dije se Prokuroria e Shtetit do të angazhojë një numër të caktuar prokurorësh të cilët do të monitorojnë të gjithë procesin zgjedhor dhe do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme ligjore në bazë të kompetencave dhe ligjit.