Takohen Hoti e Zaev: Autostrada Shkup-Bllacë e gatshme për dy vjet

23 tetor 2020 | 16:46

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka qëndruar të premten për vizitë në Maqedoninë e Veriut, ku është pritur nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Hoti e Zaev kanë vlerësuar raportet e deritanishme mes dy shteteve në të gjitha fushat, përfshirë edhe angazhimin e tyre në përballje me pandeminë e Covid-19.

Të dy kryeministrat gjatë këtij takimi janë përqendruar në veçanti në projektet infrastrukturore, rritjen e bashkëpunimit tregtar si dhe përgatitjen për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive për konkretizimin e më shumë marrëveshjeve dypalëshe.

“Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut ndajnë interesa të përbashkëta politike dhe ekonomike, për stabilitetin, qëndrueshmërinë dhe prosperitetin e rajonit tonë. Fuqizimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe fqinjësisë së mirë është përkushtimi jonë dhe nuk ka alternativë tjetër”, ka thënë Hoti.

Ndërkaq kryeministri Zoran Zaev ka thënë se Maqedonia e Veriut synon që shumë shpejt të nisë punët për ndërtimin e autostradës Shkup- Bllacë në drejtim të Kosovës.

“Ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë besojmë se do të rrisë më shumë bashkëpunimin mes dy vendeve. Kjo rrugë, aq sa është e rëndësishme për Kosovën, aq është e rëndësishme për Maqedoninë (e Veriut). Dy kilometrat e parë veçse duhet të nisin të ndërtohen. Nëse gjithçka shkon mirë, besoj se në tremujorin e parë të vitit të ri, do të nisin punimet dhe brenda dy vjetësh të përfundojnë të gjitha punimet”, ka deklaruar Zaev, duke theksuar se Kosova mbetet një nga partneret më të rëndësishme tregtare për Maqedoninë e Veriut, që përkundër pandemisë, ka arritur në 170 milionë euro.

Kryeministri maqedonas Zaev tha gjithashtu se i ka bërë ftesë Kosovës që t’i bashkëngjitet iniciativës rajonale të “Mini-shengenit” ballkanik dhe se kjo çështje do të jetë një nga pikat e takimit me presidentin e Serbisë, Alekdandar Vuçiq dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Ylli Mece Nuk mund të gjesh sot në historinë…