Takohen klubet shqiptare, shorti i Ligës Unike më 2 tetor
Drejtori i Ligës Unike, Dren Zatriqi, së bashku me sekretaren e përgjithshme të Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku dhe me sekretarin e përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, kanë pasur takim të frytshëm me klubet shqiptare për fillimin e edicionit të ri në Ligën Unike.
Nga klubet shqiptare në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Teutës, Tiranës, Vllaznisë dhe Kamzës te meshkujt dhe Flamurtarit, Partizanit dhe Tiranës te femrat.
Edicioni i ri i Ligës Unike do të fillojë edhe në konkurrencën e femrave, ku do të marrin pjesë tri klube nga Kosova dhe tri nga Shqipëria. Klubet janë njoftuar me projektin e Ligës Unike, qëllimin dhe synimet për të ardhmen dhe ka pasur gatishmëri për bashkëpunim nga të dyja palët.
“Në fundjavë zyrtarët e Ligës Unike do t’i inspektojnë palestrat e klubeve shqiptare që pritet të marrin pjesë në edicionin e ri, më pas ky proces javën e ardhshme do të zhvendoset në Kosovë. Gjatë këtij takimi është vendosur që shorti për edicionin e ri të mbahet më 2 tetor, ditën kur do të mbahet edhe Klinika me Gjyqtarë”, thuhet në njoftimin e Ligës Unike. Në mbledhjen e radhës të bordit do të vendoset se kush do të jetë komisari i garave në Ligën Unike dhe do të trajtohen tema me rëndësi për Ligën Unike.
/Epoka e re/