Takohen kryetarja e Kushtetueses dhe ambasadori i Italisë, ja për çfarë biseduan
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës Kosovës, Gresa Caka – Nimani, ka pritur në takim njohës ambasadorin e ri të Italisë në Kosovë, Antonello De Riu.
Sipas një komunikate të kësaj gjykate, pasi i ka shprehur mirëseardhjen dhe i ka uruar suksese në detyrën e re, kryetarja Caka-Nimani ka bërë një elaborim të shkurtër përkitazi me punën e deritanishme të gjykatës, sfidat aktuale në funksionimin e saj dhe përpjekjet që po bëhen në vazhdimësi për ngritjen e kapaciteteve profesionale të stafit dhe konsolidimin e praktikës gjyqësore.
Kryetarja Caka -Nimani ka vënë theksin edhe në marrëdhëniet e mira të bashkëpunimit ndërmjet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe Gjykatës Kushtetuese të Italisë, si dhe në përpjekjet e gjykatës për anëtarësim në organizatat dhe iniciativat e ndryshme ndërkombëtare.
Ndërsa ambasadori De Riu është shprehur i përkushtuar që raportet e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Italisë të forcohen edhe më tutje, e veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.