Takohen Lajçaku dhe Reekeri, ja për çfarë biseduan
Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) janë duke kërkuar që dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë pa vonesa.
Këtë e kanë thënë zyrtarë nga Brukseli dhe e ka përsëritur edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, në letrën që i ka dërguar kreut të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurtit.
E pas këtyre thirrjeve për vazhdim të negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë, të mërkurën janë takuar përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe ushtruesi i detyrës së ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, Philip Reeker, ku kanë biseduar për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.
Lajçaku ka thënë se në këtë takim janë koordinuar me ShBA-në për veprimet që do t’i ndërmarrin në të ardhmen.
“Këtë mëngjes pata një takim shumë të vlefshëm me Philip Reeker, ushtrues i detyrës së ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë. Është gjithmonë mirë që të krahasojmë mendime, të koordinohemi dhe të pajtohemi për bashkëpunimin tonë BE – ShBA për aktivitetet e ardhshme në Ballkanin Perëndimor ”, ka shkruar Lajçaku në llogarinë e vet në “Twitter”.
Had a very useful meeting with Phil Reeker, Acting Assistant Secretary of State for European and Eurasian Affairs, this morning. Always good to compare notes, coordinate and agree on our 🇪🇺🇺🇸 cooperation and future activities in the Western Balkans. pic.twitter.com/8YtyzwBGau
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) April 14, 2021