Takohen Osmani dhe Hoti, flasin për zhvillimet e fundit
Kryeministri Avdullah Hoti është takuar sot me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani.
Pas takimit, kreu i qeverisë ka thënë se me Osmanin janë dakorduar që të konsultohen në vazhdimësi në menaxhimin e situatës së krijuar në vend pas dorëheqjes së presidentit Hashim Thaçi, për shkak të konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale.
Ai ka deklaruar se forcat politike tash duhet të bëhen bashkë për të gjetur zgjidhje, raporton “Epoka e re”.
“Diskutuam për zhvillimet e fundit, u dakorduam që vazhdimisht të konsultohemi në menaxhimin e kësaj situate, për të çuar mesazhin e qartë, për të cilin jam shumë i interesuar, që pavarësisht zhvillimeve politike, proceseve në të cilat kalon vendi si rezultat i dorëheqjes së Presidentit të vendit, ku forcat politike tash duhet të bëhen bashkë, për të gjetur zgjidhje, të japim mesazhin e maturisë së institucioneve të Kosovës për të iu dalë në ndihmë qytetarëve edhe me pandeminë edhe me problemet ekonomike që vinë prej saj”, ka deklaruar Hoti.