Takohen Rama, Vuçiqi e Zaevi. Ja çka po bisedojnë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mbërritur sonte në Novi Sad, ku është takuar në një darkë zyrtare me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Ky takim vjen në kuadër të një marrëveshjeje që pritet të nënshkruajnë tre liderët për një mini-Shengen brenda Ballkanit. Në darkën mes përfaqësuesve të lartë ka qenë edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.
Më herët, në muajin shtator, Rama në një intervistë dhënë nga Nju Jorku për mediet, paralajmëroi këtë takim duke thënë se “një takim mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut pritet të ndodhë për të diskutuar hapat e bashkëpunimit midis vendeve. Sigurisht, ky takim nuk përjashton vendet e tjera, por është një ftesë ndaj fqinjëve për t’u bashkuar”.
Rama tha në këtë intervistë se ideja e një minishengeni rajonal është një prioritet i një rëndësie shumë të veçantë, raporton atsh.
Marrëveshja është kundërshtuar vazhdimisht nga Kosova, e cila është e lënë jashtë saj, pasi e konsideron atë si një rikthim të ish-Jugosllavisë, edhe pse kjo është një nismë e mbështetur nga institucionet evropiane që e shohin si një fazë të ndërmjetme para integrimit evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, tha në një intervistë për A2 pak ditë më parë se nuk mund të ketë Mini Shengen ballkanik pa Kosovën.
“E them ekskluzivisht për ju që këto gjëra janë diskutuar në kuadër të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, por unë them se nëse ndodh Mini-Shengeni, atëherë do të jenë të gjitha vendet, pa përjashtim. Edhe po deshi një vend të përjashtojë një vend tjetër, kjo nuk mund të ndodhë. Të jeni të sigurt”, u shpreh ai./ina