Takohen Veseli e Dimitrovi, flasin për forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, pritur në takim ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Nikola Dimitrov, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në vendin tonë.
Në takim është diskutuar për marrëdhëniet që Kosova dhe Maqedonia kanë ndërtuar ndër vite, si dhe për mundësinë e avancimit të tyre në të gjitha sferat e bashkëpunimit, në të mirë të qytetarëve të të dyja vendeve.
Kryeparlamentari Veseli, ka theksuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të kultivuar më tej frymën e bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë këtu edhe Maqedoninë, në funksion të fqinjësisë së mirë dhe synimeve të përbashkëta euro-atlantike.
Veseli ka shprehur besimin se liberalizimi i vizave për Kosovën, zgjidhja e çështjes së emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe shumë sfida tjera që tashmë po gjejnë zgjidhje, janë sinjal i mirë për të ardhmen evropiane të Ballkanit.
Po ashtu, ai ka thënë se autostrada “Arbën Xhaferi” e cila lidh Prishtinën dhe Shkupin, do ta lehtësojë komunikimin e qytetarëve dhe shkëmbimet tregtare, ndërsa theksoi nevojën që edhe Maqedonia të përfundojë pjesën e saj.
Nga ana e tij, kryediplomati i Maqedonisë, Dimitrov, ka theksuar nevojën e kultivimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke iu dhënë një shtysë të fuqishme avancimit të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe ndërparlamentare.
/Epoka e re/