Takohen Vuçiqi dhe Pahori, ja për çfarë biseduan
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se Serbia ka qëndrim dhe pikëpamje të ndryshme me Slloveninë për pavarësinë e Kosovës.
Ai ka potencuar se është dakord me presidentin slloven, Borut Pahor, se nuk do të ketë ndryshime në kufij, por gjithashtu se ajo që Serbia këmbëngul për respektimin e kufijve bazohet në kartën e Kombeve të Bashkuara.
“Nëse është kështu, unë pajtohem me këtë, por më duket se këtu është në pyetje diçka tjetër. Kjo nuk ka asnjë lidhje me presidentin slloven. I pyeta të gjithë kur filluan të zbatonin parimin se nuk ka ndryshime në kufij, kur i ndryshuan ato në vitet 1990. Kur u kujtuat të mos ndryshonit kufij? Kjo është përgjigjja ime për të gjithë ata që trumbetojnë mbi kokat tona me parime, por ata nuk u përmbahen të njëjtave parime”, ka thënë Vuçiqi, raporton “Blici” serb.
Nga ana e tij, presidenti slloven në një konferencë të përbashkët me Aleksandër Vuçiqin pas takimit, ka folur për integrimin evropian të Serbisë dhe perspektivën e saj evropiane.
Siç ka thënë ai, do të ishte mirë nëse të gjitha vendet e kësaj zone hyjnë në BE pak a shumë në të njëjtën kohë.
Një ditë më parë, presidenti slloven ka qëndruar për vizitë në Kosovë nga ku ka rikonfirmuar se shteti i tij në asnjë formë nuk ka gisht në të ashtuquajturin “non-paper” ku proklamohej ndryshimi i kufijve.