Taksa 100% bllokoi importet e Serbisë dhe Bosnjës, 60 milionë euro më pak importe (Video)
Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha në një intervistë për “Telegraf”-in, me gazetarin Lulzim Ahmeti ka folur për efektet e taksës 100 për qind, ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës në periudhën një mujore.
Taksa prej 100 për qind, të premten më 21 dhjetor i ka mbushur një muaj nga hyrja në fuqi dhe ka pasur efekte në importet e mallrave nga këto të dyja vende. “Nëse i krahasojmë të dhënat e vitit 2018 me 2017, prej marrjes së masave mbrojtëse prej 10 për qind dhe masat prej 100 për qind, kemi rënie prej 99 për qind të importeve nga Serbia dhe Bosnja. Nga java e parë e nëntorit e deri më tani kemi rreth 60 milionë euro vlerë të importeve më pak nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Pra nga Serbia kemi rreth 52 milionë euro më pak importe ndërsa nga Bosnja rreth 8 milionë euro më pak”, u shpreh ai.
Berisha ka thënë se prej hyrjes në fuqi të masës 100 për qind, vlera e mallrave që kanë hyrë nga Serbia është vetëm 300 mijë euro, kurse nga Bosnja e Hercegovina shumë më pak.
Drejtori i Doganave të Kosovës ka thënë se efektet në zëvendësimin e mallrave nuk janë vërejtur shumë. “Ajo që vërehet është se prodhuesit kosovarë janë fuqizuar pas taksës 100 për qind. Secili nga ta ka rritje dyshifrore të kapaciteteve prodhuese të tyre”, ka deklaruar Berisha.
Dogana sipas tij, i ka marr të gjitha masat për t’i parandaluar rastet e kontrabandës. Berisha ka thënë se i kanë pas disa raste të kontrabandës nëpërmjet rrugëve malore.
Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha në këtë intervistë ka folur edhe për të hyrat që ka mbledhur dogana deri më tani.
“Trendi i të hyrave është jashtëzakonisht mbi 20 milionë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar, por nuk përjashtohen edhe efektet në të hyra nga taksa”, u shpreh Berisha.
Ndryshe, taksa prej 10 për qind për prodhimet e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës ishte marrë më 6 nëntor e pas mos anëtarësimit në INTERPOL kjo taksë ishte ngritur në 100 për qind.
https://www.facebook.com/telegraficom/videos/265840960762413/?t=1