Taksa 100 për qind, 100 milionë euro humbje Serbisë
Nesër bëhen tre muaj prejse është vendosur taksa ndaj mallrave serbe dhe boshnjake. Më 6 nëntor 2018 kishte filluar të aplikohet taksa prej 10 për qind, ndërsa dy javë më pas e njëjta ishte ngritur në 100 për qind.
Për shkak të humbjeve të mëdha financiare, të cilat përgjatë kësaj periudhe vlerësohet se kanë arritur shumën prej rreth 100 milionë eurosh, është rritur edhe presioni ndërkombëtar ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj për heqjen ose pezullimin e saj me arsyetimin se ka bllokuar dialogun në Bruksel, shkruan gazeta “Zëri”.
Më 6 shkurt 2019 (nesër) bëhen tre muaj prejse Qeveria e Kosovës ka vendosur taksën prej 10 për qind ndaj mallrave serbe, taksë kjo e cila dy javë më pas, përkatësisht më 21 nëntor, u ngrit në 100 për qind.
Rritja e kësaj takse nga shefi i Qeverisë Ramush Haradinaj ka rritur edhe presionin ndërkombëtar ndaj kryeministrit për heqjen ose pezullimin e saj me arsyetimin se ka bllokuar dialogun në Bruksel.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimi Evropian po kërkojnë urgjentisht heqjen e taksës, kërkesë kjo që po pranohet edhe nga partneri i madh i koalicionit qeverisës (PDK), ndonëse drejtuesit e koalicionit fillimisht merrnin merita për vendosjen e taksës 100 për qind.