Taksa 100 për qind mbetet në fuqi derisa Serbia ta ndryshojë qasjen ndaj Kosovës
Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksë 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës do të mbetet në fuqi derisa këto dy shtete ta ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Shatri u është përgjigjur edhe deklaratave të faktorit ndërkombëtar për ta shfuqizuar këtë vendim. Ai thotë se faktori ndërkombëtar duhet të jetë objektiv dhe i paanshëm. Sipas Shatrit, vendimet e CEFTA-s dhe të MSA-së janë shkelur vazhdimisht nga Serbia.
Këshilltari i kryeministrit Haradinaj ka thënë se taksa 100 për qind do të hiqet kur Serbia ta njohë Kosovën shtet sovran dhe të pavarur. Në këtë intervistë Shatri ka folur edhe për zhvillimet ekonomike në vend dhe për qasjen e Qeverisë për zgjidhjen e pengesave ekonomike
“Epoka e re”: Z. Shatri, cili është vlerësimi juaj sa iu përket parametrave makroekonomike në vend?
Shatri: Në vitin 2017 Kosova ka realizuar rritje reale të BPV-së 4.2 për qind dhe presim që viti 2018 të mbyllet me rritje reale deri 4.5 për qind. Ky shtim është stabil dhe pritjet tona për tre vjetët e ardhshëm janë më optimiste. Pra, aplikimi i politikave makroekonomike, sidomos atyre fiskale, kanë krijuar kushte për një zhvillim të qëndrueshëm dhe dinamik. Kjo dinamikë e shtimit është më e larta në regjion. Megjithatë, Qeveria nuk është e kënaqur dhe po punon për arritjen e parametrave më të lartë përgjatë mandatit vijues. Konsiderojmë se vetëm një rritje mbi 7 për qind e BPV-së mundëson zgjidhjen e problemeve në sferën e papunësisë dhe të sigurimit të mirëqenies sociale, probleme këto të pranishme. Përndryshe, të shkoqitur veç e veç, parametrat makroekonomikë janë shumë stabilë dhe premtues të arritjeve të synimeve tona zhvillimore. Ta përmendim stabilitetin makrofiskal, politikat monetare-kreditore, shkallën e ulët të ngarkesës së ekonomisë me borxhe të brendshme dhe të jashtme, trendin në rritje të investimeve publike dhe private. Nuk qëndrojmë mirë me bilancin e këmbimit ndërkombëtar të mallrave pasi mbulimi i importit me eksport është tejet i ulët.
“Epoka e re”: Qeverisja Haradinaj është kritikuar për numër të lartë të zëvendësministrave dhe shpenzime enorme. A e keni në plan të projektbuxhetit reduktimin e shpenzimeve?
Shatri: Një strukturë politike e nevojshme për formimin e Qeverisë, siç ishte kjo e formimit të Qeverisë Haradinaj, ka imponuar këtë vëllim të strukturës qeverisëse. Nuk mendoj se 20-30 zëvendësministra ngrehin shpenzimet në masën që ju po i quani enorme. Po të shikohet projektbuxheti për vitin 2019, shohim se kategoria e pagave dhe e mëditjeve është zvogëluar si pjesëmarrje në BPV nga 8.8 për qind në këtë vit në 8.6 për qind. Të dalat buxhetore do të rriten 12.4 për qind në vitin që vjen, kurse kategoria e pagave dhe mëditjeve do të rritet vetëm 4.4 për qind, do të thotë do të ketë zvogëlim relativ në krahasim me kategoritë e tjera shpenzuese. Të mos harrojmë se në vitin e ardhshëm do të fillojë zbatimi i Ligjit për pagat i cili ka një kosto të ndjeshme buxhetore. Duhet theksuar se tentimi për rregullimin me Ligj të pagave ka qenë një tentim i përhershëm i të gjitha qeverive të mëparshme, por të cilat nuk arritën të nxjerrin një ligj me të cilin do të rregullohej kjo sferë mjaft e rëndësishme dhe delikate. Këtë e bëri me vendosmëri dhe guxim kryeministri Haradinaj.
“Epoka e re”: Po ashtu, sa iu përket kërkesave të organizatave buxhetore, pritet të këtë ndonjë ndryshim?
Shatri: Procesi i përgatitjes së Ligjit për buxhetin vjetor fillon që në shkurt të vitit aktual për vitin që vjen. Fillimisht u dërgohen qarkoret buxhetore të gjitha organizatave buxhetore, rifreskohet korniza afatmesme e shpenzimeve etj. Pra, gjatë kësaj periudhe organizatat buxhetore kanë kohë të mjaftueshme për parashtrimin e kërkesave të tyre. Normalisht kërkesat duhet të jenë të shoqëruara me dokumentacion përkatës si projekte investive, programe etj. Shumë herë këto kërkesa vijnë pas afatit kohor të caktuar me ligj, të paargumentuara dhe përtej kufijve të shpenzimeve për ato organizata buxhetore. Marrë në tërësi, kërkesat janë gjithmonë disa herë më të mëdha sesa mundësitë, kufijtë e shpenzimeve. Por, edhe pas miratimit të projektligjit të buxhetit në Qeveri dhe procedimit në Kuvend vazhdojnë të arrijnë kërkesa nga organizatat buxhetore. Ato kërkesa shqyrtohen në Komisionin për Buxhet të Kuvendit dhe, nëse gjejnë përkrahje, mund të bëhen pjesë e ligjit.
“Epoka e re”: Sipas vlerësimeve të Sindikatës së Policisë së Kosovës, sigurimi i tyre kap vlerën katër milionë euro. Kjo do të hyjë në projektbuxhet?
Shatri: Komponentët e sigurisë së brendshme janë shumë të rëndësishme për Qeverinë. Kryeministri Haradinaj personalisht është angazhuar për shlyerjen e obligimeve ndaj policisë së Kosovës për orët shtesë të punës, obligim ky i mbetur me muaj e vite. Por, jo vetëm kjo. Për përgatitjen e ligjit për pagat, policia e Kosovës është trajtuar me kujdes të veçantë. Në vitin 2019 do të zgjidhen edhe dy çështje të mbetura: sigurimi shëndetësor dhe pensionimi i policëve. Të dy këto çështje kërkojnë zgjidhje sistemore, sepse nuk janë çështje të një vendimi, por duhet rregulluar me ligj dhe merr kohë për përgatitje dhe procedura të miratimit.
“Epoka e re”: Sa keni mundur si Aleancë ta inkorporoni planin tuaj qeverisës ekonomik në kuadër të koalicionit?
Shatri: Programi i AAK-së për qeverisje është një program i përgatitur nga profesionistë të fushave dhe mbështetet në nevojat dhe mundësitë e vendit. Mendoj se realizimi i një programi si është ky i AAK-së do të ishte shumë i mirë për vendin. AAK-ja, siç e dini, nuk qeveris e vetme. Në këtë proces duhet inkorporuar edhe pjesë të programeve të partnerëve të koalicionit të cilat nuk bien ndesh me programin e AAK-së dhe që janë të dobishme për zhvillimin e vendit. Në periudhën e qeverisjes Haradinaj për më pak e më shumë se një vit kanë filluar të zbatohen masa nxitëse zhvillimore, si politikat fiskale, janë eliminuar pengesat në sektorin e prodhimit të energjisë, është finalizuar marrëveshja për Termocentralin “Kosova e Re” pas 12 vjetësh zgjatje, është venë në disponim të interesave të publikut një pjesë e madhe e pasurive të mbajtura nga Agjencia e Privatizimit etj. Me çfarë janë krijuar kushte të favorshme për rritjen e investimeve private dhe publike. Kjo na siguron se shumë shpejt ta arrijmë synimin tonë për rritjen e BPV-së mbi 7 për qind në vit.
“Epoka e re”: Kosova në vazhdimësi është kritikuar për mungesë të atasheve ekonomikë. Çfarë keni në plan të bëni për këtë?
Shatri: Ky segment i rëndësishëm nuk është shfrytëzuar deri më tani. Ministria e Jashtme ka marrë udhëzimet e nevojshme. Presim të kemi veprime të nevojshme për shfrytëzimin e këtij segmenti për afirmimin dhe dinamizimin e aktiviteteve ekonomike me jashtë.
“Epoka e re”: Po ashtu, projektbuxheti është kritikuar për rritje të shpenzimeve për paga dhe mëditje, si dhe rritje në skemat sociale. Cili është mendimi juaj për këtë?
Shatri: Për pagat mendoj se është dhënë përgjigjja në pyetjet e mëparshme. Kategoria e subvencioneve dhe transferimeve pritet të rritet vitin e ardhshëm për 16 për qind, respektivisht për pensionet e kontributdhënësve për 15 për qind dhe pensionet e moshës për 20 për qind. Pas këtij viti nuk parashihet ndonjë rritje esenciale e kësaj kategorie për dy vjetët pasues. Kur jemi te ky problem nuk guxojmë ta harrojmë faktin se Qeveria aktuale e ka gjetur vendin me shkallë të lartë të papunësisë dhe varfërisë, rreth 30 për qind. Fakt ky që domosdoshmërisht ta imponon nevojën e vëmendjes së posaçme të Qeverisë për këtë kategori të popullsisë. Kjo drejtpërdrejt reflektohet në strukturën e shpenzimeve buxhetore.
Epoka e re”: Z. Shatri, Qeveria ka marrë vendim për taksë 100 përqindësh ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës. Sa mendoni se do të zgjasë kjo taksë?
Shatri: Taksa mbrojtëse e vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjë Hercegovinës ka ardhur si masë ndaj sjelljeve të këtyre dy vendeve karshi shtetit të Kosovës. Kjo masë nuk është e afatizuar. Masa do të jetë në fuqi deri në ndryshimin e sjelljes së këtyre dy vendeve ndaj Kosovës. Deri më tani Serbia e ka shfrytëzuar tregun e Kosovës pa asnjë pengesë, në të njëjtën kohë ka penguar plasmanin e mallrave të Kosovës në Serbi. Pra, Serbia ka vënë një varg masash dhe pengesash formale dhe administrative me të cilat ka penguar qarkullimin e mallrave të Kosovës jo vetëm drejt Serbisë, por edhe drejt vendeve të tjera që kanë kaluar nëpër Serbi. Gjithashtu, Serbia ka shkelur vazhdimisht rregullat e CEFTA-s dhe marrëveshjet e Brukselit. Askush nga faktori ndërkombëtar që ka ndërmjetësuar bisedimet nuk ka reaguar. BE-ja nuk ka reaguar as për mosfunksionalizimin e pikave kufitare nga ana e Serbisë, për të cilat BE-ja ka investuar. Serbia në marrëdhëniet ekonomike me Kosovën ka bërë pengesa në transport, në energji dhe në konkurrueshmëri. Po ashtu, nuk respektohen rregullat e origjinës së mallit dhe bashkëpunimit doganor, përdorin vula doganore paralele, nuk bashkëpunojnë për menaxhimin e integruar të kufijve, nuk i njohin certifikatat sanitare dhe fitosanitare të Kosovës, por i detyrojnë kompanitë kosovare të nxjerrin certifikata në Serbi dhe kjo kërkon kohë dhe shpenzime shtesë të cilat janë të papërballueshme për bizneset tona. Pengojnë në funksionalizimin e linjës së tensionit të lartë Kosovë – Shqipëri, nuk mundësojnë pagesën e energjisë të shpenzuar në veri, lobojnë kundër anëtarësimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare, subvencionojnë mallrat serbe që eksportohen në Kosovë etj. Pra, masa mbrojtëse e Kosovës do të hiqet në atë moment kur Serbia e njeh Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, që nënkupton edhe ndërprerjen e veprimeve destruktive ndaj Kosovës.
“Epoka e re”: Si do t’u përgjigjeni presioneve ndërkombëtare, se vendimi për taksën është në kundërshtim me CEFTA-n?
Shatri: Faktori ndërkombëtar duhet të jetë objektiv dhe i paanshëm. Vendimet e CEFTA-s dhe MSA-ja janë shkelur në mënyrë permanente nga Serbia. Ata (faktori ndërkombëtar) asnjëherë nuk kanë reaguar ndaj veprimeve destruktive të Serbisë ndaj Kosovës. Ne kemi plot argumente dhe do t’ia prezantojmë prapë faktorit ndërkombëtar. Po ashtu, e kuptojmë se kjo masë ka qenë e dhimbshme për Serbinë, sepse flitet për një humbje të tregut prej 500 milionë eurosh në vit, dhe kjo nuk është pa pasoja për ekonominë e dobësuar serbe, e cila e ka konsideruar tregun e Kosovës si treg të brendshëm të vetin. Është koha që autoritetet serbe ta kuptojnë se Kosova është shkëputur nga okupimi ushtarak e policor në qershor të vitit 1999, por me këtë vendim edhe nga okupimi ekonomik.
Albulena S. MAVRAJ