Taksa 100 për qind shqetëson ambasadorin austriak
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka pritur të premten në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovës, Gernot Pfandler, ku temë diskutimi ishte thellimi i bashkëpunimit në mes dy shteteve.
Ministri Shala i ka kërkuar ambasadorit Pfandler që Austria t’i rrit investimet në Kosovë, duke cilësuar si njërin nga shtetet që ka ndihmuar Kosovën në procese të rëndësishme.
Ministri po ashtu e ka informuar ambasadorin për shkëmbimet tregtare në mes Kosovës dhe Austrisë nëpër vite, duke paraqitur edhe prioritetet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Ministri Shala ka thënë se ka në fokus joshjen e investitorëve të huaj, duke treguar se kanë filluar disa ndryshime në Ligjin për Investime Strategjike, në mënyrë që investitorët e huaj ta kenë shumë më të lehtë që të investojnë në Kosovë.
“Po ashtu jam shumë i fokusuar të punoj në mbrojtjen e konsumatorit, që e konsideroj si një departament me rëndësi. Kam rritur numrin e inspektimeve në terren, gjithmonë duke pasur në rend të parë konsumatorin”, ka thënë ministri Shala.
Ambasadori i Asturisë, Gernot Pfandler, ka shprehur shqetësimin e tij për taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës.
Ministri Shala i ka konfirmuar ambasadorit austriak se taksa nuk do të largohet.
Po ashtu ministri Shala e ka informuar ambasadorin për produktet që hyjnë në Kosovë se duhet t’i referohen Kosovës me termin kushtetues në etiketime, ndryshe mallrat do të kthehen mbrapsht në kufi.
/Epoka e re/