Taksa 100 % rriti konsumin e produkteve vendore
Zëvendësministri në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Mevludin Krasniqi, ka thënë se kjo ministri në vitet e fundit e ka përkrahur sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural me subvencione dhe grante investive.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Krasniqi ka theksuar se investimet e kësaj ministrie përmes Programit për Pagesa Direkte për vitin 2018 ka arritur vlerën prej 25 milionë eurosh, ndërkaq në kuadër të këtij programi sivjet kanë qenë 25 870 përfitues në sektorë të ndryshëm të bujqësisë.
“Ndërkaq përmes Programit të Zhvillimit Rural, gjegjësisht përmes granteve investive, gjatë këtij viti kemi përkrahur mbi 600 projekte të fermerëve dhe agrobizneseve, në vlerë prej 22 milionë eurosh, ku tashmë jemi në fazën e implementimit të këtyre projekteve”, ka thënë ai.
Zëvendësministri Krasniqi ka shtuar se Qeveria me politikat e saj strategjike ndërsektoriale dhe në harmoni të plotë me politikat e përbashkëta bujqësore të Bashkimit Evropian, është orientuar për rritjen e kapaciteteve të prodhimit dhe për krijimin e kushteve sa më të favorshme për prodhuesit vendorë, duke iu bashkëngjitur trendëve zhvillimore të vendeve të BE-së.
Krasniqi ka folur edhe për importin e drithërave.
Ai ka thënë se Kosova vazhdon të ketë import të drithërave, përkundër rritjes së prodhimit vendor në bujqësi ndër vite, ku sivjet rendimenti i grurit ka arritur mbi 250 mijë tonë.
“Realisht kushtet klimatike kanë ndikuar në zvogëlimin e rendimentit në krahasim me vitet e tjera paraprake. Këtë vit jemi duke punuar bashkë me fermerët dhe shoqatat e tyre, ekspertët e ndryshëm të kësaj fushe që të rritet rendimenti i prodhimit të grurit. Po ashtu, do të vazhdojë mbështetja e MBPZhR-së përmes subvencioneve, të cilat synojnë të ndikojnë në rritjen e mëtejmë të prodhimit të kësaj kulture bujqësore”, ka deklaruar Krasniqi.
Duke folur për taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, Krasniqi ka thënë se kjo taksë ka dhënë rezultatet e veta. “Këtë e tregojnë më së miri edhe të dhënat nga Dogana e Kosovës, por natyrisht kemi edhe shtim të konsumit të produkteve të prodhuara në Kosovë”, është shprehur ai.
Zëvendësministri Krasniqi ka thënë se kjo ministri në programet zhvillimore edhe për vitin e ardhshëm ka planifikuar masa të shumta përkrahëse për fermerët, agrobizneset, industrinë përpunuese ushqimore, përmes të cilave synon edhe më tej rritjen e prodhimtarisë vendore. “Produktet tona janë të një cilësie të lartë dhe konkurruese në treg. Shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje qytetarëve të vendit tonë që të konsumojmë sa më shumë produkte ‘Made in Kosova’”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka treguar se për vitin 2019 nga buxheti i kësaj ministrie prej 61.4 milionë eurosh, bujqësia në vendin tonë do të mbështetet përmes subvencioneve në vlerë prej 24.9 milionë eurosh, si dhe përmes granteve investive në vlerë prej 25. 7 milionë eurosh.
“Epoka e re”: Z. Krasniqi, sa është shuma e subvencioneve dhe granteve investive të ndara nga MBPZhR-ja në vitin 2018?
Krasniqi: Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural vitet e fundit e ka përkrahur sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural me subvencione dhe grante investive. Investimet e ministrisë përmes Programit për Pagesa Direkte për vitin 2018 kanë arritur vlerën prej 25 milionë eurosh, ndërkaq në kuadër të këtij programi sivjet kanë qenë 25 870 përfitues në sektorë të ndryshëm të bujqësisë. Ndërkaq përmes Programit të Zhvillimit Rural, gjegjësisht përmes granteve investive, gjatë këtij viti kemi përkrahur mbi 600 projekte të fermerëve dhe agrobizneseve në vlerë prej 22 milionë eurosh, ku tashmë jemi në fazën e implementimit të këtyre projekteve. Përmes kësaj mbështetje kemi arritur të ndikojmë në rritjen e prodhimtarisë bujqësore, rritjen e cilësisë së prodhimeve bujqësore, rritjen e punësimit dhe krijimin e të ardhurave në sektorin agroushqimor dhe shërbimeve rurale.
“Epoka e re”: Sa është shuma e ndarë për drithëra dhe mjedra?
Krasniqi: Fillimisht, sipas të dhënave tona, në vitin 2018 në Kosovë janë mbjellë 83,515.00 hektarë drithëra, prej tyre 74,133.00 hektarë me grurë dhe kultivuesit e drithërave kanë përfituar nga pagesat direkte (subvencionet) nga 150 euro për hektar, gjegjësisht 9.7 milionë euro, prej tyre 150 mijë euro subvencione kanë qenë për kultivuesit e farës së grurit. Ndërkaq, sa i përket mjedrës, këtë kulturë bashkë me kulturat e tjera të pemëve të imta dhe bimëve mjekësore aromatike, në projektin e përbashkët me USAID-in, MBPZHR-ja e ka financuar me 3 milionë euro.
“Epoka e re”: Kosova ka importuar mbi 100 mijë tonelata grurë vetëm në dhjetëmujorin e parë të këtij viti, sipas ASK-së. Pse i gjithë ky import?
Krasniqi: Fatkeqësisht, e dimë se Kosova vazhdon të ketë import të drithërave, përkundër rritjes së prodhimit vendor në bujqësi ndër vite, ku sivjet rendimenti i grurit ka arritur mbi 250 mijë tonë, që realisht kushtet klimatike kanë ndikuar në zvogëlimin e rendimentit në krahasim me vitet e tjera paraprake. Këtë vit jemi duke punuar bashkë me fermerët dhe shoqatat e tyre, ekspertët e ndryshëm të kësaj fushe që të rritet rendimenti i prodhimit të grurit. Po ashtu, do të vazhdojë mbështetja e MBPZhR-së përmes subvencioneve, të cilat synojmë të ndikojnë në rritjen e mëtejmë të prodhimit të kësaj kulture bujqësore.
“Epoka e re”: Cilat janë kulturat bujqësore me anë të të cilave synoni që në vitin 2019 të rritet pjesëmarrja e eksporteve me kultura bujqësore?
Krasniqi: Ne si Qeveri, me politikat tona strategjike ndërsektoriale dhe në harmoni të plotë me politikat e përbashkëta bujqësore të Bashkimit Evropian, jemi të orientuar për rritjen e kapaciteteve të prodhimit dhe për krijimin e kushteve sa më të favorshme për prodhuesit vendorë, në mënyrë që të arrijmë një zhvillim të qëndrueshëm dhe t’u bashkëngjitemi trendëve zhvillimorë të vendeve të BE-së. Prandaj edhe sivjet përmes programeve zhvillimore synojmë ta rrisim eksportin e produkteve bujqësore, ku përmes granteve investive do t’i mbështesim fermerët dhe prodhuesit vendorë, përfshirë këtu edhe industrinë e përpunimit, pemët e imta dhe bimët mjekësore aromatike, si mundësi reale për rritjen e eksportit të produkteve bujqësore.
“Epoka e re”: Masa prej 100 përqindësh për produktet e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, a pritet të ndikojë në shtimin e sipërfaqeve të mbjella me grurë nga fermerët kosovarë?
Krasniqi: Unë besoj se tanimë efektet e kësaj mase kanë dhënë rezultatet e veta. Këtë e tregojnë më së miri edhe të dhënat nga Dogana e Kosovës por, natyrisht, kemi edhe shtim të konsumit të produkteve të prodhuara në Kosovë. Ne si ministri në programet tona zhvillimore edhe për vitin e ardhshëm kemi planifikuar masa të shumta përkrahëse për fermerët, agrobizneset, industrinë përpunuese ushqimore, përmes të cilave synojmë edhe më tej rritjen e prodhimtarisë vendore. Përveç të tjerash, thënë të drejtën, produktet tona janë të një cilësie të lartë dhe konkurruese në treg, ku e shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje qytetarëve të vendit tonë që të konsumojmë sa më shumë produkte “Made in Kosova”.
“Epoka e re”: Sa ka qenë përkrahja e MBPZhR-së për industrinë e qumështit në vitin 2018?
Krasniqi: Këtë sektor e kemi mbështetur përmes subvencioneve dhe granteve investive. Përmes subvencioneve, sipas cilësisë së qumështit, ku çdo fermer ka përfituar 2, 4 ose 6 cent për litër të prodhuar. Po ashtu, krahas kësaj mbështetje, kemi dhjetëra përfitues të cilët janë përkrahur në projektet e tyre për ndërtimin dhe zhvillimin e fermave, pikave grumbulluese të qumështi, por edhe investime për ngritjen e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese në industrinë e qumështit.
“Epoka e re”: Çfarë planesh ka MBZPhR-ja për vitin 2019?
Krasniqi: Me politikat bujqësore zhvillimore, të cilat janë të bazuara në Strategjinë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe Zhvillimin Rural 2014-2020, do ta vazhdojmë mbështetjen e sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural edhe në vitin që vjen, duke punuar edhe në drejtime të reja dhe përkrahje të fermerëve. Tashmë jemi në finalizim të Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural për vitin 2019 dhe në atë program, përveç masave të aplikuara më herët, do të fusim skema të reja të mbështetjes. Për vitin 2019 nga buxheti i ministrisë prej 61.4 milionë eurosh, bujqësia do të mbështetet përmes subvencioneve prej 24.9 milionë eurosh si dhe përmes granteve investive në vlerë prej 25.7 milionë eurosh. Gjithashtu, do të vazhdojë bashkëpunimi edhe me partnerët ndërkombëtarë, për fuqizimin e mëtejmë të sektorit. Meqë jemi te buxheti, vlen të theksohet se brenda kapaciteteve buxhetore do t’i vazhdojmë investimet edhe në sistemin e ujitjes dhe në përmirësimin e infrastrukturës së vreshtave.