Taksa duhet të mbetet, qeveria duhet të bjerë

02 shkurt 2019 | 08:39

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka ftuar Qeverinë e Kosovës të mos lëvizë nga taksa për mallrat serbe. 

Ai ka thënë se taksa duhet të mbetet në fuqi dhe qeveria duhet të bjerë. 

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Kurteshi ka vlerësuar se qeveria duhet t’ua sqarojë ndërkombëtareve se taksa nuk duhet të jetë pengesë për vazhdimin e dialogut në mes të dy shteteve. 

“Mendoj se nuk duhet të hiqet dorë nga taksa, por duhet t’i bindim miqtë tanë ndërkombëtarë që taksa nuk është pengesë për bisedime. Ne mund të bisedojmë edhe duke qenë taksa në fuqi”, ka thënë Kurteshi. 

Ai ka vlerësuar se çdokush duhet ta dijë se pengesë për arritjen e marrëveshjes historike në mes të dy vendeve janë sjelljet e Serbisë.

“Pengesë për mosarritjen e një marrëveshje në mes të dy vendeve janë sjelljet destruktive të Serbisë ndaj Kosovës. Serbia udhëheq një politikë hegjemoniste ndaj Kosovës. Ajo ka bërë shkelje shumë të mëdha”, është shprehur Kurteshi. 

Sipas tij, vendi ka nevojë për zgjedhje të reja. “Vetëvendosje mendon se zgjidhja është shkuarja në zgjedhje të reja, ku do të ndodhte një legjitimim i ri i subjekteve që i fitojnë ato zgjedhje, pastaj të cilat do të duhej të marrin vendime në lidhje me marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Natyrisht se ato bisedime duhet t’i zhvillojë qeveria e re, e cila del pas zgjedhjeve, dhe jo presidenti i vendit”, ka deklaruar Kurteshi.

Deputeti i LV-së ka treguar se këtë qeveri PDK-ja do ta rrezojë sapo i konvenon asaj. 

“Në momentin që PDK-ja e konsideron të përshtatshme për ta bërë një gjë të tillë, ajo e bën. PDK-ja nuk e rrëzon qeverinë për punën e taksës, por kur mendon se do t’i fitojë zgjedhjet prapë. Por, besoj se moment të tillë më nuk do të ketë, edhe nëse ky mandat zgjat deri në fund, sepse tanimë nuk ka subjekt që nuk e ka provuar koalicionin me PDK-në, përveç LV-ja e cila ka qëndrimin e qartë për këtë çështje”, ka thënë Kurteshi. 

Ai ka treguar se ky subjekt politik nuk do ta votojë as Projektbuxhetin për vitin 2019 dhe as Projektligjin për paga.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka thënë se greva e derisotme në…