Taksa duhet të mbetet, qeveria duhet të bjerë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka ftuar Qeverinë e Kosovës të mos lëvizë nga taksa për mallrat serbe. Ai ka thënë se taksa duhet të mbetet në fuqi dhe qeveria duhet të bjerë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Kurteshi ka vlerësuar se qeveria duhet t’ua sqarojë ndërkombëtareve se taksa nuk duhet të jetë pengesë për vazhdimin e dialogut në mes të dy shteteve.
“Mendoj se nuk duhet të hiqet dorë nga taksa, por duhet t’i bindim miqtë tanë ndërkombëtarë që taksa nuk është pengesë për bisedime. Ne mund të bisedojmë edhe duke qenë taksa në fuqi”, ka thënë Kurteshi. Ai ka vlerësuar se çdokush duhet ta dijë se pengesë për arritjen e marrëveshjes historike në mes të dy vendeve janë sjelljet e Serbisë.
“Pengesë për mosarritjen e një marrëveshje në mes të dy vendeve janë sjelljet destruktive të Serbisë ndaj Kosovës. Serbia udhëheq një politikë hegjemoniste ndaj Kosovës. Ajo ka bërë shkelje shumë të mëdha”, është shprehur Kurteshi.
Sipas tij, vendi ka nevojë për zgjedhje të reja. “Vetëvendosje mendon se zgjidhja është shkuarja në zgjedhje të reja, ku do të ndodhte një legjitimim i ri i subjekteve që i fitojnë ato zgjedhje, pastaj të cilat do të duhej të marrin vendime në lidhje me marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Natyrisht se ato bisedime duhet t’i zhvillojë qeveria e re, e cila del pas zgjedhjeve, dhe jo presidenti i vendit”, ka deklaruar Kurteshi.
Deputeti i LV-së ka treguar se këtë qeveri PDK-ja do ta rrezojë sapo i konvenon asaj.
“Në momentin që PDK-ja e konsideron të përshtatshme për ta bërë një gjë të tillë, ajo e bën. PDK-ja nuk e rrëzon qeverinë për punën e taksës, por kur mendon se do t’i fitojë zgjedhjet prapë. Por, besoj se moment të tillë më nuk do të ketë, edhe nëse ky mandat zgjat deri në fund, sepse tanimë nuk ka subjekt që nuk e ka provuar koalicionin me PDK-në, përveç LV-ja e cila ka qëndrimin e qartë për këtë çështje”, ka thënë Kurteshi.
Ai ka treguar se ky subjekt politik nuk do ta votojë as Projektbuxhetin për vitin 2019 dhe as Projektligjin për paga.
“Epoka e re”: Z. Kurteshi, të shtunën pritet të votohet projektbuxheti. A do ta votojë Lëvizja Vetëvendosje këtë projektligj?
Kurteshi: Lëvizja Vetëvendosje ka shumë vërejtje për buxhetin e vitit 2019. Ne kemi bërë disa propozime, por alternativat tona nuk kanë kaluar, prandaj buxhetin, kështu siç është, Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta votojë.
“Epoka e re”: Në këtë ditë pritet të votohet edhe Projektligji për pagat. Cilat janë vërejtjet e LV-së për këtë projektligj?
Kurteshi: Qëndrimi ynë është i njohur për publikun. Kosova ka nevojë shumë për një ligj të tillë sepse me një ligj të tillë ndërpritet zhvatja e buxhetit që ka ndodhur nga të ashtuquajturat institucione të pavarura dhe bordet, të cilat vetëm e kanë zhvatur buxhetin, por nuk kanë dhënë asnjë kontribut tjetër. Por, mënyra se si është hartuar ky projektligj nuk është bërë ashtu siç është dashur. Projektligji është i nevojshëm, por ai është dashur të hartohet ndryshe. Është dashur që së pari të përcaktohet koeficienti për grupe të ndryshme, pastaj t’i jepet vlera koeficientit. Kurse tani është vepruar në të kundërtën, njëherë i është caktuar vlera koeficientit, qeveria ia ka rritur pagën vetes dhe atyre që ia ka marrë mendja, pastaj ua ka rritur pagën atyre që janë ankuar. Ndërsa në fund për shumë kategori të rëndësishme është arsyetuar se nuk ka buxhet. Natyrisht se nuk mbesin para kur nuk bëhet radhitja në një mënyrë të studiuar mirë dhe para se të caktohet vlera e koeficientit. Pra, nuk pajtohemi me këtë projektligj sepse kategori shumë të rëndësishme kanë mbetur jashtëzakonisht ulët dhe kjo jo vetëm se ka ngjallur pakënaqësi në mes të kategorive të caktuara, por do të ndikojë edhe në kualitetin e punës në shumë segmente të jetës sonë publike.
“Epoka e re”: Për këtë projektligj kanë reaguar disa sindikata. Disa prej tyre kanë hyrë edhe në grevë. Kanë qenë të drejta kërkesat e grevistëve?
Kurteshi: Ne e kemi vlerësuar të drejtë reagimin dhe kërkesat e tyre, por përherë kemi tërhequr vërejtën që të arrihet marrëveshje para se të shkohet në grevë. Kemi qenë të sigurt se marrëveshja do të vijë ngaqë greva nuk mund të zgjasë pakufi. Mirëpo tani shtrohet pyetja kush është përgjegjësi për humbjen e mësimit tri javë. Pra, gjatë kësaj kohe kanë humbur mësimin mbi 450 000 shkollarë të Kosovës. Të gjitha të tjerat mund të kompensohen, kjo është e pakompensueshme. Këtu fajtori është me emër dhe mbiemër dhe për këtë dikush duhet të japë përgjegjësi. Adresa e përgjegjësisë dihet.
“Epoka e re”: Kush është përgjegjës?
Kurteshi: Është Qeveria e Kosovës pasi i ka hyrë kësaj pune pa e analizuar mirë. Nuk është dashur të bëhen dallime të mëdha në koeficient, prej 1 deri në 12, kurse pastaj e zbriti prej 1 deri në 10. Mendoj se edhe koeficienti 10 është shumë. Pra, është dashur të shkohet prej 1 deri në 6. Mjafton që presidenti i vendit ta ketë pagën gjashtë herë më të madhe se paga minimale. Le ta rritë qeveria pagën minimale dhe pagën mesatare, në mënyrë që me automatizëm le t’u rritet edhe atyre paga. Nuk është në rregull që ata që nuk kanë bukë, të vdesin prapë të uritur, kurse këta që kanë, të marrin edhe më shumë.
“Epoka e re”: Përveç grevave, qeveria është në një presion ndërkombëtar për heqjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe të Bosnjës. Si duhet të veprojë Kosova në këtë rast, meqenëse heqjen e taksës me ngulm po e kërkojnë edhe amerikanët?
Kurteshi: Ne mendojmë se vendosja e taksës ndaj produkteve serbe është e drejtë dhe duhet t’i bindim miqtë tanë, qoftë amerikanë, qoftë evropianë, që taksa nuk është pengesë për bisedime. Pengesë për mosarritjen e një marrëveshje në mes të dy vendeve janë sjelljet destruktive të Serbisë ndaj Kosovës. Serbia udhëheq një politikë hegjemoniste ndaj Kosovës. Ajo ka bërë shkelje shumë të mëdha. Evropa me reagimet që ka bërë në fillim ka dëshmuar se nuk është e paanshme. Kurse ShBA-ja natyrisht se është e interesuar që në Ballkan të arrihet një marrëveshje, por kjo marrëveshje mund të jetë jetëgjatë vetëm kur ajo është e drejtë dhe e pranueshme për të dyja palët. Nuk e di se si do të veprojë qeveria, mirëpo mendoj se nuk duhet të hiqet dorë nga taksa, por duhet t’i bindim miqtë tanë ndërkombëtarë që taksa nuk është pengesë për bisedime. Ne mund të bisedojmë edhe duke qenë taksa në fuqi.
“Epoka e re”: Së fundi kemi një përplasje të koalicionit qeverisës rreth taksës. Partia më e madhe e koalicionit qeverisës, PDK-ja, kërkon pezullimin e taksës, kurse kryeministri Haradinaj insiston në taksë. Besoni se kjo çështje mund ta rrëzojë qeverinë?
Kurteshi: Z. Haradinaj si gjithë të tjerët e di se PDK-ja e ka zakon që partnerët e koalicionit t’i lë në lloç. Kur t’i duket atyre se është bërë boll, e gjen një arsye. Këtë herë e ka gjetur taksën. Herën e kaluar ka gjetur diçka tjetër. Ata që hyjnë në koalicion me PDK-në duhet t’i bëjnë llogaritë me kohë. Tani besoj se ata nuk janë të befasuar. Mendoj se tash nuk është i befasuar z. Haradinaj.
“Epoka e re”: Pra ju besoni se PDK-ja do ta rrëzojë këtë qeveri?
Kurteshi: Në momentin që PDK-ja e konsideron të përshtatshëm për ta bërë një gjë të tillë, ajo e bënë. PDK-ja nuk e rrëzon qeverinë për punën e taksës por e rrëzon kur mendon se do t’i fiton zgjedhjet prapë. Por, besoj se moment të tillë më nuk do të këtë, edhe nëse ky mandat zgjatë deri në fund, sepse tanimë nuk ka subjekt që nuk e ka provuar koalicionin me PDK-në, përveç LV-ja e cila ka qëndrimin e qartë për këtë çështje.
“Epoka e re”: Në rast se qeveria bie, flitet për mundësinë e një qeverie gjithëpërfshirëse. Do t’i bashkohej LV-ja një qeverie të tillë?
Kurteshi: Jo. Vetëvendosje mendon se zgjidhja është vajtja në zgjedhje të reja, ku do të ndodhte një legjitimim i ri i subjekteve që i fitojnë ato zgjedhje, të cilat do të duhej të marrin vendime në lidhje me marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Natyrisht se ato bisedime duhet t’i zhvillojë qeveria e re, e cila del pas zgjedhjeve, dhe jo presidenti i vendit.
/Epoka e re/