Taksa duhet të shqyrtohet

19 mars 2019 | 14:02

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka thënë se, pavarësisht prej sfidave, situata është stabile në Kosovë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se 2019-a është vit i ekonomisë dhe qeveria është e përkushtuar në këtë drejtim.

“Kosova në muajt e fundit ka shënuar avancim të dukshëm në shumë sfera. Kemi pasur funksionim të avancuar të Kuvendit të Kosovës dhe kjo është meritë e të gjithë deputetëve”, është shprehur Matoshi. Ai ka thënë se taksa është vendim meritor për Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën, por në raport me kërkesën e miqve duhet të shqyrtohet.

Megjithatë, sipas Matoshit, AKR-ja nuk pret që taksa t’i dëmtojë raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimin Evropian (BE).

“Taksa në raport me Serbinë është e merituar, por në raport me kërkesën e miqve tanë duhet të shqyrtohet. Aleanca Kosova e Re (AKR) nuk pret që taksa t’i dëmtojë raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe partnerët tanë të tjerë nga Bashkimi Evropian (BE). Besoj se secili subjekt politik para prishjes së raporteve me ShBA-në do të duhej ta zgjedhte largimin nga qeveria”, ka deklaruar ai.

Ministri Matoshi ka folur për funksionimin e koalicionit qeverisës duke thënë se deri më tani ka bërë punë të mira. Ai ka thënë se koalicioni qeverisës synon ta çojë mandatin deri në fund.

“Me të gjithë partnerët e koalicionit kemi raporte korrekte të punës dhe bashkëpunimit, kemi kryer punë shumë të mira për vendin, pavarësisht prej sfidave dhe problemeve që kjo qeveri ka pasur gjatë funksionimit të saj. Ne e kemi marrë mandatin për ta qeverisur vendin për katër vjet dhe është normale që ky mandat të shkojë deri në afatin e përcaktuar për zgjedhjet e ardhshme”, është shprehur Matoshi, duke shtuar se AKR-ja ka arsyetuar besimin e marrë në këtë qeveri.

“Epoka e re”: Z. Matoshi, si i komentoni zhvillimet politike në vend?
Matoshi: Në përgjithësi kemi një situatë stabile në shumë aspekte të funksionimit të shtetit dhe institucioneve të vendit. Ky është vit i ekonomisë, i shpallur edhe nga kryeministri dhe përkushtimi i qeverisë është në këtë drejtim. Kosova në muajt e fundit ka shënuar avancim të dukshëm në shumë sfera. Kemi pasur funksionim të avancuar të Kuvendit të Kosovës dhe kjo është meritë e të gjithë deputetëve. Tanimë kemi themeluar ushtrinë tonë, dhe ky ishte një proces i menaxhuar mjaft mirë, ndërkohë tema që ka mbizotëruar është vendosja e taksës ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

“Epoka e re”: Sipas Aleancës Kosova e Re (AKR), cila është zgjidhja e duhur për të dalë nga situata e krijuar pas vendosjes së taksës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake?
Matoshi: Taksa ishte dhe është e merituar për Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën. Është vendim sovran i Kosovës, i cili është marrë ngaqë ishim të detyruar për një veprim të këtillë për t’i dhënë përgjigje agresionit të Serbisë në raport me integrimin e Kosovës dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Prandaj Serbia e meriton këtë taksë plotësisht.

“Epoka e re”: Në rast se vihen në pikëpyetje marrëdhëniet me ShBA-në, a është e gatshme AKR-ja ta braktisë Qeverinë Haradinaj?
Matoshi: Taksa në raport me Serbinë është e merituar, por në raport me kërkesën e miqve tanë duhet të shqyrtohet. Aleanca Kosova e Re (AKR) nuk pret që taksa t’i dëmtojë raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe partnerët tanë të tjerë nga Bashkimi Evropian (BE). Unë besoj se secili subjekt politik para prishjes së raporteve me ShBA-në do të duhej ta zgjedhte largimin nga qeveria.

“Epoka e re”: Si e vlerësoni bashkëqeverisjen e deritashme dhe sa ka gjasa që ky koalicion ta çojë deri në fund mandatin?
Matoshi: Me të gjithë partnerët e koalicionit kemi raporte korrekte të punës dhe të bashkëpunimit, kemi kryer punë shumë të mira për vendin, përkundër sfidave dhe problemeve që kjo qeveri ka pasur gjatë funksionimit të saj. Ne e kemi marrë mandatin për të qeverisur vendin për katër vjet dhe është normale që ky mandat të shkojë deri në afatin e përcaktuar për zgjedhjet e ardhshme.

“Epoka e re”: Z. Matoshi, ndonëse AKR-ja ka pasur numër të vogël të deputetëve, ka marrë hise të madhe në qeverisje. Sa po arsyetohet kjo gjë?
Matoshi: Shtëpitë janë të mëdha, por brenda tyre legalisht hyhet vetëm me çelës, prandaj AKR-ja ka qenë çelësi për themelimin e këtyre institucioneve dhe marrëveshja politike për qeverinë ka qenë shumë e vullnetshme nga të gjitha palët. AKR-ja ka arsyetuar besimin e marrë në këtë qeveri dhe ka punuar pandërprerë konform këtij besimi. Diplomacia e Kosovës është përballur me një fushatë agresive nga Serbia dhe kultivimi i raporteve të mira me shumë vende e ka shpëtuar Kosovën nga një defaktorizim ndërkombëtar për të cilin Serbia ka investuar shumë. Mjedisi është tanimë prioritet i kësaj qeverie dhe ka pasur zhvillime shumë të mira në këtë drejtim. Ekonomia që, po ashtu, drejtohet nga AKR-ja, ka marrë prioritetin e Qeverisë së Kosovës.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Armando Cungu nuk do të jetë më trajner i Kukësit.…