Taksa është i vetmi instrument që bllokon idenë e ndryshimit të kufijve
Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka mbështetur Qeverinë e Kosovës për të mbajtur në fuqi taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka thënë se taksa është instrumenti i vetëm me të cilin po bllokohet dialogu me Serbinë dhe po mbrohen kufijtë e Republikës së Kosovës.
Ajo ka deklaruar se taksa nuk duhet të hiqet derisa Kuvendi i Kosovës të votojë një platformë e cila ia vendos vijat e kuqe procesit të dialogut Kosovë – Serbi.
“Qeveria e Kosovës dhe vetë kryeministri Haradinaj duhet ta mbajnë taksën ndaj produkteve serbe sepse taksa tani për tani është i vetmi instrument që bllokon idetë për ndryshimin e kufijve. Për faktin se Kuvendi i Kosovës ende nuk ka arritur ta miratojë platformën me vijë të kuqe për t’i mbrojtur kufijtë e Kosovës, sovranitetin dhe pavarësinë. Taksa është i vetmi mekanizëm që bllokon dialogun”, ka thënë Tahiri.
Ajo nuk beson se mosrespektimi i kërkesës amerikane për pezullimin e taksës mund të ndikojë në raportet strategjike Kosovë – ShBA.
“Marrëdhëniet strategjike dhe miqësore me Amerikën nuk janë të thjeshtësuara në një dimension siç është taksa. Marrëdhënie strategjike Kosovë-ShBA janë ndërtuar tash e 30 vjet, që nga viti 1990. Ato bazën e kanë në vlera të qëndrueshme, siç është mbrojtja dhe përkrahja amerikane për pavarësinë e Kosovës dhe kufijtë e Kosovës”, është shprehur ajo.
Duke folur rreth idesë së krijimit të një qeverie gjithëpërfshirës në vend për shkak të proceseve nëpër të cilat po kalon vendi, Edita Tahiri ka thënë se në këtë situatë skenari më i mirë do të ishte qeveria gjithëpërfshirëse.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)