Taksa me efekt pozitiv për prodhuesit vendorë
Vendosja e taksës prej 100%, për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, ka dhënë efektin pozitiv të prodhuesit vendorë, të cilët thonë se kanë rritur prodhimin e po ashtu edhe numrin e punëtorëve. Por është evidente se gjatë kësaj kohe ka pasur edhe rritje të çmimeve. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në 4 muajt e fundit të vitit 2018 rritje të çmimeve ka pasur te produktet ushqimore dhe pijet.
Vendosja e taksës prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja ka bërë që të rritet konsumi i prodhimeve vendore. Por gjatë kësaj kohe është vërejtur se në shumë dyqane e vetëshërbime kosovare, ka pasur edhe rritje të çmimeve në disa produkte. Por, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, tha për Radio Kosovën se, sipas të dhënave që posedon, kjo ministri nuk ka rritje të çmimeve të nivelit të lartë.
“Është rrit konsumi i produkteve vendore, nuk ka rritje të çmimeve të nivelit të lartë të cilat e dëmtojnë xhepin e konsumatorit, ose mund të konsiderojmë që kanë reflektuar si pasojë e marrjes së masës në fuqi.”
Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, në një prononcim për Radio Kosovën tha se taksa 100% ka bërë të rritet prodhimtaria vendore prej 30% e po ashtu edhe shkalla e punësimit prej 15% .
Agim Shahini: Ne kemi edhe rritje të importit nga vende të ndryshme por ka edhe rritje të çmimeve për shkak të rritjes së kostos së transportit, mirëpo kemi produkte ma kualitative, nuk kemi mungesë të produkteve dhe këto e bëjnë që tregu i Kosovës të jetë i furnizuar në mënyre konstante. Ka shumë prodhues vendorë që kanë shfrytëzuar momentin e taksës 100% duke e rritur prodhimin, punësimin dhe duke përfituar tregje të reja dhe konsumator të ri, por ka disa që e kanë keqpërdorë momentin duke i rritur çmimet. Ata në të ardhmen ata edhe mund të humbin tregun dhe konsumatorët kosovarë”, tha Shahini.
Pronari i kompanisë “Meka”, Burim Piraj, tha se krahas taksës edhe vendosja e flamujve të origjinës së produkteve ka pasur ndikim që të shiten më shumë prodhimet vendore. Piraj tha se në fillim të vënies së taksës ka pasur rritje vetëm në një produkt në kompaninë e tyre.
“Si kompani kemi pasur rritje vetëm në një produkt, ajo është pashteta e pulës e cila është importuar nga Bosnja, dhe kemi arritur që t’i përgjigjemi tregut dhe t’i plotësojmë nevojat pa ndryshuar çmimet dhe cilësinë.
Njohësi i ekonomisë, Ismet Mulaj, tha se rritjet e çmimeve duhet të kontrollohen nga institucionet e vendit, të cilat duhet të shikojnë se a janë ato çmime artificiale apo reale me qëllim mos të dëmtohet interesi i qytetarëve. Mulaj po ashtu shtoi se duhet të luftohet maksimalisht informaliteti, për shkak se po kjo bënë që të çrregullohet tregu duke shkatërruar prodhuesit formalë./Rtklive