Taksa mund të çojë në prishjen e koalicionit qeverisës

30 janar 2019 | 12:28

Njohësi i proceseve politike, Ramush Tahiri, ka thënë se Qeveria Haradinaj nuk mund të shkojë tutje meqë nuk ka politikë unike.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se taksa ka arritur të sjellë përplasje brenda koalicionit qeverisës.

Madje, sipas Tahirit, taksa mund të çojë edhe në prishjen e koalicionit PAN dhe rrëzimin e Qeverisë.

“Deri më tani partnerët e koalicionit kanë qenë unikë, madje edhe janë lëvduar për ta marrë primatin për vendosjen e taksës. Por, tash së fundi, taksa ka filluar t’i përplasë partnerët e koalicionit. Duket se nuk ka harmonizim në mes të partnerëve të koalicionit meqë ka deklarime të kundërta. Në mënyrën siç po shkojnë proceset, mund të ndodhë që Qeveria të dorëhiqet dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Po ashtu, mund të bjerë Qeveria dhe të mos hiqet taksa, apo edhe të hiqet taksa dhe të bjerë edhe Qeveria. Qeveria mund të rrëzohet me dorëheqje të kryeministrit, me largimin e PDK-së, ose Kuvendi ta shkarkojë Qeverinë apo edhe Kuvendi me 2/3 ta shpërndajë vetveten dhe ta çojë vendin në zgjedhje”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka thënë se taksa nuk e ka arritur efektin e duhur, por përmes saj Kosova vetëm është ndërkombëtarizuar për të keq.

Tahiri ka vlerësuar se taksa duhet të hiqet meqë këtë po e kërkon ShBA-ja dhe, sipas tij, nuk duhet të vihet në pikëpyetje politika e ShBA-së që është garantuese e pavarësisë së Kosovës.

“Nuk është masë e cila mund të përkrahet. Sipas mendimit tim, taksa duhet të hiqet sepse po kërkon ShBA-ja. Nuk duhet të vihet në pikëpyetje politika e ShBA-së sepse garantuese e pavarësisë së Kosovës është ShBA-ja. Krejt kjo që është arritur është falë mbështetjes amerikane. Duhet të respektohen miqtë dhe nuk duhet të vihet në verifikim politika e tyre sepse Amerika është superfuqi që bën politikën ku inkuadrohet Kosova, por Kosova nuk mund t’ia imponojë politikën ShBA-së”, është shprehur Tahiri.

“Epoka e re”: Z. Tahiri, duke pasur parasysh deklarimet e fundit të kryeparlamentarit Veseli dhe të kryeministrit Haradinaj, a mendoni se për shkak të taksës ka filluar përplasja e koalicionit qeverisës?Tahiri: Deri më tani partnerët e koalicionit kanë qenë unikë, madje edhe janë lëvduar për ta marrë primatin për vendosjen e taksës. Por, tash së fundi, taksa ka filluar t’i përplasë partnerët e koalicionit. Duket se nuk ka harmonizim në mes të partnerëve të koalicionit meqë ka deklarime të kundërta. Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj thotë se taksa jo vetëm se nuk do të hiqet, por Qeveria është kreative dhe do të marrë masa shtesë. Ndërkohë kryeparlamentari Kadri Veseli propozoi që të ketë pezullim të taksës prej 120 ditëve në mënyrë që t’i jepet shansi dialogut dhe harmonizimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimin Evropian (BE) të cilët po kërkojnë që taksa të hiqet pa asnjë kusht apo parakusht. Në anën tjetër, kryeministri Ramush Haradinaj u ka dërguar letër ambasadorëve të vendeve të Quintit duke paralajmëruar disa kushte, me plotësimin e të cilave mund të hiqet taksa. Tani kemi tri nivele: Hoxhaj që paralajmëroi masa të tjera ndaj Serbisë, Veseli që kërkon pezullimin e taksës për 120 ditë dhe Haradinaj i cili u ka dërguar letër kryeministrave më të rëndësishëm të botës nga të cilët ka kërkuar përkrahje për taksën. Kryeministri, po ashtu, kërkon të ketë edhe një konferencë ndërkombëtare për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do ta garantonte zbatimin e kësaj marrëveshje. Gjithashtu, e kemi edhe qëndrimin e presidentit i cili po kërkon, siç po shprehet figurativisht, që ‘bora të shkrihet’ dhe që pa asnjë kusht të hiqet taksa, meqë e konsideron se është kundër interesave të Kosovës dhe Amerikës.

“Epoka e re”: Këto përplasje për taksën a mund të çojnë në prishjen e koalicionit apo rrëzimit të Qeverisë?
Tahiri: Që nga fillimi ka qenë një koalicion me zor, meqë e dini si është formuar. Madje dihet si funksionon koalicioni, ku secili lider shkarkon dhe emëron ministrat për qejfe të veta dhe kryeministri Haradinaj vetëm i nënshkruan këto ndryshime. Një gjë e tillë nuk është normale në shtetet demokratike dhe nuk është në rregull që meritokracia e partive politike ta udhëheqë ekzekutivin, sepse ky i fundit miraton buxhetin dhe politikat programore e zhvillimore. Tash pas më shumë së një viti të qeverisjes, si duket PDK-ja po mendon për zgjedhjet e ardhshme dhe po i duket që AAK-ja dhe Ramush Haradinaj po forcohen shumë, prandaj PDK-ja po dëshiron të distancohet. Pas deklarimit të Veselit për pezullimin e taksës për 120 ditë dhe deklarimit të Haradinajt, se taksa mbetet në fuqi, nuk mund të vazhdohet më tutje, por njëra palë do të heqë dorë. Qeveria nuk mund të vazhdojë tutje sepse nuk ka politikë unike. Tashmë janë shtuar edhe grevat të cilat dyshohen se janë të nxitura, por Qeveria nuk po mund t’i menaxhojë.

“Epoka e re”: Sipas mendimit tuaj, më përpara do të hiqet taksa apo do të bjerë Qeveria?
Tahiri: Kështu siç po shkojnë proceset, mund të ndodhë që Qeveria të dorëhiqet dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Po ashtu, mund të bjerë Qeveria dhe të mos hiqet taksa, apo edhe të hiqet taksa dhe të bjerë edhe Qeveria. Qeveria mund të rrëzohet me dorëheqje të kryeministrit, me largimin e PDK-së, ose Kuvendi ta shkarkojë Qeverinë apo edhe Kuvendi me 2/3 ta shpërndajë vetveten dhe ta çojë vendin në zgjedhje. Mirëpo zgjedhjet në Kosovë i detyrojnë edhe zgjedhjet në Serbi dhe anasjelltas. Prandaj, kjo periudhë mund të përcillet me zgjedhje në Ballkan dhe në institucionet e BE-së, me ç’rast dialogu mund të vazhdojë në nivel të presidentëve ose të mos vazhdojë deri në shtator.

“Epoka e re”: Kryeministri ka deklaruar se edhe nëse shkohet në zgjedhje, taksa do të mbetet deri në qershor.
Tahiri: Taksa është problem sepse nuk ka kush ta heqë. Taksa duhet të hiqet nga ata që është vendosur. BE-ja dhe ShBA-ja po kërkojnë heqjen e taksës sepse taksa ka bllokuar Kosovën në dialog, në marrëdhëniet ndërkombëtare me BE-në, por edhe me shtetet individualisht sepse askush nuk po na fton në vizita dhe nuk po na viziton.

“Epoka e re”: ShBA-ja duhet ta mirëkuptojë Kosovën për vendosjen e taksës meqë Serbia në vazhdimësi e pengon ecjen përpara të shtetit të Kosovës apo taksa duhet të hiqet pasi po kërkojnë amerikanët?
Tahiri: Taksa nuk guxon t’i hapë rrugë as Kosovës dhe as shteteve të tjera sepse nuk është formë normale e veprimit. Kurse Serbia nuk e ka ashpërsuar vetëm tash politikën, por gjithmonë politika e saj ka qenë kështu.

“Epoka e re”: Parashikoni heqjen e taksës apo shkuarjen në zgjedhje?
Tahiri: Edhe po të hiqet taksa, ka filluar mosbesimi brenda koalicionit, përkatësisht në mes të PDK-së dhe AAK-së. Në këtë formë siç është, edhe me Listën Serbe, ky koalicion nuk e ka shumicën, prandaj do të ishte e moralshme të rrëzohet ose të tërhiqet. Do të ishte më e ndershme që PSD-ja të bëhet pjesë e koalicionit, të sigurohen numrat, të kalohet buxheti dhe të ketë një program zhvillimor. Taksa nuk është duke i bërë dëm të madh Serbisë. Në dyqanet tona nuk mungon asnjë produkt serb.

“Epoka e re”: Taksa nuk ka pasur efekt?
Tahiri: Taksa nuk e ka arritur efektin e duhur. Kosova përmes kësaj takse është ndërkombëtarizuar për të keq meqë asnjë prej vendeve nuk e ka mbështetur vendosjen e saj. Nuk është masë e cila mund të përkrahet. Sipas mendimit tim, taksa duhet të hiqet sepse po kërkon ShBA-ja. Nuk duhet të vihet në pikëpyetje politika e ShBA-së sepse garantuese e pavarësisë së Kosovës është ShBA-ja dhe krejt kjo që është arritur, është falë mbështetjes amerikane. Duhet të respektohen miqtë dhe nuk duhet të vihet në verifikim politika e tyre sepse Amerika është superfuqi që bën politikën ku inkuadrohet Kosova, por Kosova nuk mund t’ia imponojë politikën ShBA-së.

“Epoka e re”: Kryeministri ka deklaruar se taksa do të mbetet edhe nëse prishemi me amerikanët. Mund të prishet miqësia dhe partneriteti me ShBA-në?
Tahiri: Politika nuk bëhet kështu. Po të ishte Kosova superfuqi e Ballkanit Perëndimor, po i prishka marrëdhëniet me krejt shtetet. Nuk është politikë e mençur vendosja e taksës. Taksa nuk e gjunjëzon Serbinë sepse në prodhim bruto dhe eksport të saj nuk e kalon as gjashtëpërqindëshin. Pra, kurrgjë nuk i bën dëm. Serbia po bën propagandë kinse taksa e ka dëmtuar. Kosovës i mungon një marrëveshje dhe krijimi i një forumi të brendshëm në të cilin do të debatoheshin çështjet e rëndësishme për vendin.

Shqipe HETEMI

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fabio Quagliarella po kalon një moment magjik në karrierë. Edhe…