Taksa në Rrugën e Kombit, ja sa do të rriten çmimet e biletave të autobusëve për në Shqipëri
Vendosja e taksës në Rrugën e Kombit ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha tek qytetarët e Kosovës.
E ata që më së shumti janë dëmtuar me këtë vendim të Qeverisë së Shqipërisë, janë bizneset e Kosovës, të cilat kanë qarkullim më të madh në destinacionin mes dy shteteve.
Çështja që më së shumti ka ngjallur interes tek qytetarët e Kosovës lidhur me këtë taksë, ka qenë shuma shtesë që ata do të paguajnë kur në sezonin veror ata do të vendosin që pushimet t’i kalojnë në bregdetin shqiptar.
Pronari i kompanisë turistike “Sharr Travel” , Ruzhdi Kurtishaj, ka treguar për dëmet dhe vështirësitë të cilat do të ju shkaktohen qytetarëve të Kosovës me këtë vendim.
“Mendoj që kjo taksë do të ketë ndikim në largimin e turizmit nacionalist, ku qytetarët e Kosovës me fanatizëm e kanë mbrojtur turizmin shqiptar. Me këtë veprim janë dëmtuar bizneset e Kosovës, dhe ne si kompani, pra do të ketë edhe rritje të çmimit të biletës”.
“Ne edhe ashtu po kemi shumë probleme në kufi për shkak të vonesave të mëdha në sezonin veror, dhe në këtë rast kalimi i gjithë këtyre njerëzve vetëm nëpër dy sportele, do të shkaktojë kolona, tollovi e vonesa tjera, madje çështja tjetër është që autobusët janë të obliguar që edhe në kthim të hyjnë nëpër ndalesat që janë bërë, pra do të ketë pengesa multidimensionale”, ka thënë Kurtishaj për “lajmi.net”.
Kurtishaj ka thënë se çmimi i biletës për në Shqipëri do të rritet maksimalisht 20 për qind, që do të thotë, qytetarët e Kosovës do të paguajnë së paku 2 euro më shumë kur udhëtojnë për në Shqipëri me autobusë.
“Rritje do të ketë minimalisht 20 për qind, dhe menjëherë shtrohet pyetja se përse ndodh kjo, edhe pse taksa për autobusë është deri në 25 euro, mirëpo duhet pasur parasysh që ne nuk udhëtojmë gjithherë më maksimumin e kapacitetit, ka autobusë që nganjëherë udhëtojnë edhe me 10 për qind të kapaciteteve dhe taksa është e njëjtë, pra nuk zbritet kjo taksë nëse ne kemi më pak ose më shumë udhëtarë” ka thënë Kurtishaj.
Ai ka theksuar se shqetësimi tek bizneset dhe agjencitë turistike është në faktin se nëse kjo taksë është vendosur ekskluzivisht për kosovarët.
“Ne kemi shqetësimin se nëse kjo taksë nuk është vendosur për Kosovarët, a është kjo edhe për pjesën e autostradës që lidh Durrësin me Sarandën dhe me Vlorën, pra a kemi implementim të këtij vendimi edhe në pjesën e Shqipërisë së Jugut, ky është shqetësimi jonë” , ka theksuar ai.
E megjithatë, Kurtishaj ka thënë se agjencitë turistike do të vazhdojnë në promovimin e mëtutjeshëm të turizmit shqiptar.
Ndryshe, duke filluar nga dje, qytetarët do të paguajnë taksë për shfrytëzimin e Rrugës së Kombit, bazuar në vendimin e Qeverisë së Shqipërisë.