Taksa pritet të marrë epilog deri në fund të muajit
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe do të marrë epilog deri në fund të këtij muaji ka bërë me dije për “Epoka e re” një burim brenda koalicionit qeverisës.
Ndërkaq njohësit e rrethanave politike në vend thonë se epilogu mund të jetë heqja e taksës në marrëveshje me kryeministrin ose PDK-ja do të largohet nga qeveria duke i lënë Haradinajt mandatin për gjetjen e partnerëve të tjerë për formimin e qeverisë.
Por, kryeministri Ramush Haradinaj edhe të premten ka përsëritur se taksa nuk do të hiqet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia, kurse zyrtarët e PDK-së kanë përmendur edhe mundësinë e zgjedhjeve të reja nëse nuk pezullohet taksa.
Analisti Behxhet Shala ka thënë për gazetën “Epoka e re” se sheh dy mundësi për heqjen e taksës.
“E para që PDK-ja dhe partnerët e koalicionit të merren vesh me Ramushin për taksën duke votuar në qeveri për taksën, në marrëveshje me Ramushin dhe jo në kundërshtim të Ramushit”, ka thënë ai, duke përmendur edhe variantin e dytë.
“E dyta që, nëse nuk ka marrëveshje, atëherë PDK-ja të dalë nga qeveria, të bëhet opozitë, duke i lënë Ramushit mandatin për gjetjen e partnerëve të tjerë për formimin e qeverisë. Nuk ma kap mendja se Kadri Veseli dëshiron ta rrëzojë Ramushin sepse, po ta kishte këtë qëllim, moti do të harrohej puna e kësaj qeverie, me taksë apo pa taksë. Jam i bindur se kjo gjendje do të marrë epilog shumë shpejt”, është shprehur Shala.
Kurse drejtori ekzekutiv i KIPRED-it, Lulzim Peci, ka bërë thirrje që taksa të pezullohet në mënyrë të kushtëzuar.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)