Taksa rrit importin e mallrave përmes transportit hekurudhor
Bizneset në Kosovë janë duke e shfrytëzuar gjithnjë e më tepër infrastrukturën hekurudhore për transportin e mallrave nga vende e Bashkimit Evropian.
Për gjashtë muajit e parë të këtij viti, sipas Agjencisë se Statistikave të Kosovës, 153 mijë tonë mallra të ndryshme janë transportuar me tren, që në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, paraqet një rritje prej 59 për qind.
Sipas përfaqësueseve të komunitetit të biznesit dhe afaristëve në Kosovë, një nga arsyet e rritjes se transportit me tren ndërlidhet me shpenzimet më të favorshme financiare.
Por, arsyeja kryesore, potencohet të jetë taksa 100 për qind e vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovinë, e cila i ka detyruar bizneset që të shmangin importin nga këto dy vende dhe të gjejnë tregje të reja për furnizim në vendet e Bashkimit Evropian.
Mallrat që më shumti transportohen përmes transportit hekurudhor me tren janë xehet e nikelit, pastaj produktet e drurit, e të tjera, të cilat kryesisht vijnë nga Gjermania, Sllovenia dhe Kroacia, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, Behxhet Haziri, zëdhënës i kompanisë “TRAINKOS”.
Një ndër kompanitë që shfrytëzon linjën hekurudhore është kompania “Etika” nga Suhareka, që merret me shitjen e laminatit, dyerve dhe dritareve.
Pronari i kësaj kompanie, Adrian Hoxhaj, në një bisedë për “Radion Evropa e Lirë”, ka treguar se importon laminat nga shteti i Gjermanisë duke shfrytëzuar infrastrukturën hekurudhore, për shkak se, siç ka thënë ai, ka kosto më të ulët financiare.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në këtë link: https://www.evropaelire.org/a/taksa-transporti-hekurudhor-/30123417.html.