Taksa s’ka ndikim në agjendën evropiane dhe liberalizimin e vizave
Zëvendësministri i Integrimit Evropian, Lirak Çelaj, ka thënë se stopimi i procesit të liberalizimit të vizave është çështje e Bashkimit Evropian dhe nuk pritet që të ketë ndonjë kriter shtesë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se ekzistojnë gjasat që vendimi për heqjen e vizave të merret në qershor në takimin e Këshillit të Ministrave të BE-së.
“Gjasat ekzistojnë, por meqë ky vendim nuk varet prej nesh, nuk jemi në pozicion që të garantojmë për këtë punë. Për vendimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës duhet të japin përgjigje institucionet relevante të BE-së. Është e vërtetë se në vazhdimësi na është thënë se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën ndërlidhet me zgjedhjet në Parlamentin Evropian. Po ashtu, na është thënë tekstualisht se kriteret janë plotësuar nga ana e Kosovës, por Evropa ka disa probleme dhe liberalizimi mbase mund të mbetet në plan të dytë”, është shprehur Çelaj, duke shtuar se çështja e taksës nuk ka reflektuar në këtë proces dhe në asnjërën prej proceseve të agjendës evropiane.
“Deri më sot nuk është diskutuar për taksën në këtë aspekt. Nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, mirëpo deri më tani nuk na është thënë se do të ndikojë. Kështu që, nuk kam dëgjuar ndonjë zyrtar të BE-së që të ketë thënë se kjo çështje mund të ndikojë në liberalizimin e vizave. Prandaj çështja e taksës nuk do të duhej të ndikonte”, ka theksuar ai.
Çelaj ka bërë me dije se agjenda evropiane e Kosovës është duke u realizuar pa pengesa.
Në këtë kontekst, ai ka deklaruar se deri më tani nuk ka pasur ndonjë ftohje apo shkëputje të raporteve në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
“Komunikimi është duke vazhduar dhe ne si qeveri po përpiqemi t’i plotësojmë të gjitha kriteret që çojnë deri tek anëtarësimi i Kosovës në BE. Kurse kjo çështja e taksës më shumë ndërlidhet me procesin e dialogut Kosovë – Serbi dhe nuk ka reflektuar në ndonjërën prej proceseve të agjendës evropiane”, ka thënë ai.
“Epoka e re”: Z. Çelaj, çfarë është duke ndodhur me procesin e liberalizimit të vizave dhe ju si Ministri e Integrimit Evropian, çfarë jeni duke bërë në këtë drejtim?
Çelaj: Ministria e Integrimit Evropian në këtë proces ka pasur më shumë rol koordinues, kurse përgjegjësitë për shumicën e obligimeve i kanë pasur ministritë dhe institucionet e tjera. Në vazhdimësi po bëjmë monitorimin e institucioneve për procesin integrues në përgjithësi, kurse sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, Qeveria e Kosovës ka kohë që i ka plotësuar të gjitha kriteret që janë kërkuar për ta fituar të drejtën e lëvizjes pa viza. Stopimi i këtij procesi është çështje politike nga ana e Bashkimit Evropian dhe nuk pritet të ketë ndonjë kriter shtesë.
“Epoka e re”: Sa ka gjasa reale që pas zgjedhjeve në Parlamentin Evropian që do të mbahen në qershor të merret vendimi për heqjen e vizave?
Çelaj: Gjasat ekzistojnë, por meqë ky vendim nuk varet prej nesh, nuk jemi në pozicionin të garantojmë për këtë punë. Për vendimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës duhet të japin përgjigje institucionet relevante të BE-së. Mirëpo është e vërtetë se në vazhdimësi na është thënë se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën ndërlidhet me zgjedhjet në Parlamentin Evropian. Po ashtu, na është thënë tekstualisht se kriteret janë plotësuar nga ana e Kosovës, por Evropa ka disa probleme dhe liberalizimi mbase mund të mbetet në plan të dytë.
“Epoka e re”: Duke i pasur parasysh problemet me të cilat ballafaqohet aktualisht BE-ja, ka rrezik që as në qershor mos të ketë vendimmarrje për Kosovën?
Çelaj: Rreziku ekziston sepse pritjet tona kanë qenë që ky proces të përfundojë shumë më herët, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Çdo premtim me data nga ana jonë do të ishte gabim. Prandaj në këtë drejtim nuk mund të them asgjë më shumë.
“Epoka e re”: Keni paraparë ndonjë strategji apo plan konkret se si do t’i qasen këtij procesi deri në finalizimin e tij, sidomos sa iu përket vendeve që kanë pasur hezitim për heqjen e vizave?
Çelaj: Ka pasur një varg takimesh të përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës me përfaqësuesit e shteteve të cilat mund të kenë ndikim në aprovimin apo mosaprovimin e këtij vendimi. Natyrisht se lobimi për liberalizim të vizave do të vazhdojë edhe më tutje me të njëjtin ritëm.
“Epoka e re”: Në muajt e fundit është folur shumë për pasojat që do t’i ketë Kosova nëse nuk do ta pezullojë taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës. Kjo çështje mund të paraqesë pengesa edhe në procesin e liberalizimit të vizave?
Çelaj: Deri më sot nuk është diskutuar për taksën në këtë aspekt. Nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, mirëpo deri më tani nuk na është thënë se do të ndikojë. Procesi i liberalizimit të vizave është teknik dhe Kosova i ka plotësuar kushtet teknike. Po ashtu, jam i vetëdijshëm se ky është edhe proces politik dhe për këtë arsye nuk është aprovuar vendimi në kohën kur është dashur. Kështu që, nuk kam dëgjuar ndonjë zyrtar të BE-së që të ketë thënë se kjo çështje mund të ndikojë në liberalizimin e vizave. Prandaj çështja e taksës nuk do të duhej të ndikonte.
“Epoka e re”: Mund të ketë ndikim në agjendën evropiane të Kosovës?
Çelaj: Agjendën evropiane të Republikës së Kosovës jemi duke e vazhduar pa pengesa. Deri më tani nuk ka pasur ndonjë ftohje ose ndonjë shkëputje të raporteve në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Komunikimi është duke vazhduar dhe si qeveri në përgjithësi po përpiqemi t’i plotësojmë të gjitha kriteret që çojnë deri tek anëtarësimi i Kosovës në BE. Kurse kjo çështja e taksës më shumë ndërlidhet me procesin e dialogut Kosovë – Serbi dhe nuk ka reflektuar në ndonjërën prej proceseve të agjendës evropiane.
“Epoka e re”: Në këto raporte nuk ka ndikuar mosdëgjueshmëria e Kosovës për heqjen e taksës pas thirrjeve të vazhdueshme të BE-së.
Çelaj: Procesi i integrimeve evropiane që përfshin shumë fusha po vazhdon pa u ndikuar nga taksa dhe deklarimet rreth saj. Kurse sa i përket liberalizimit të vizave, ka pasur kritika nga të gjithë ne sepse ka qenë një vendim i padrejtë që qytetarët e Kosovës ende nuk e gëzojnë të drejtën për lëvizjen e lirë. Këtu nuk ka asnjë dilemë dhe këtë e kemi thënë zëshëm.
“Epoka e re”: Pas këtyre zhvillimeve Kosova mund të mos përfitojë fonde nga BE-ja?
Çelaj: Deri më tani nuk është humbur asnjë cent nga fondet e BE-së. Natyrisht se çdo projekt që nuk realizohet me kohë edhe rrezikon të humbet, por shpresojmë se nuk do të ndodhë një gjë e tillë. Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka rritur angazhimin në raport me institucionet të cilat janë përfituese të fondit IPA për t’i zbatuar ato me kohë. Presim nga institucionet e përfshira në këtë proces të jenë të përgjegjshme dhe t’i realizojnë me kohë. Përgjegjëse për këtë janë institucionet përfituese sepse nuk është në dorën e Ministrisë së Integrimit Evropian t’i zbatojë apo mos t’i zbatojë.
“Epoka e re”: Z. Çelaj, cila është dinamika e procesit të zbatimit të MSA-së?
Çelaj: Është një trend pozitiv dhe besoj se jemi në rrugën e duhur. Pra, ka rritje të zbatimit të masave të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Natyrisht se ka edhe shumë sfida me të cilat duhet të merremi, mirëpo trendi është pozitiv dhe ky trend duhet të vazhdojë.
Shqipe HETEMI