Taksa të mbetet derisa t’i arrijë efektet
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, ka deklaruar se ky subjekt politik e përkrah kryeministrin Ramush Haradinaj në qëndrimin për taksën ndaj produkteve serbe.
Ai ka thënë se taksa duhet të qëndrojë deri në arritjen e efekteve të saj.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Shala ka vlerësuar se partnerët e koalicionit qeverisës duhet të bisedojnë me miqtë amerikanë dhe të gjejnë një konsensus rreth kësaj çështje.
“Taksa ndaj produkteve serbe duhet të qëndrojë derisa t’i arrijë efektet për çfarë është vendosur. Në momentin që taksa arrin efektet, atëherë Qeveria e Republikës së Kosovës duhet ta rishikojë mundësinë e tërheqjes apo zvogëlimit të saj”, ka thënë Shala.
Deputeti i Nismës Socialdemokrate ka theksuar se kërkesat e vazhdueshme të ShBA-së për pezullim të taksës nuk i konsideron presion. Sipas tij, Kosova me miqtë e vet çdoherë duhet të gjejë një mirëkuptim.
“Nuk është presion, por kërkesë e miqve tanë amerikanë, të cilët dëshirojnë ta vazhdojnë dialogun për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të vijmë deri te marrëveshja ligjërisht e obligueshme që është njohja reciproke në mes të dy shteteve. Njëkohësisht me miqtë tanë amerikanë duhet të ulemi dhe të bisedojmë në lidhje me çështjen e taksës. Duhen të gjejmë një gjuhë të përbashkët me amerikanët, sepse me miqtë çdoherë mund të gjesh gjuhë të përbashkët në lidhje me shumë çështje jo vetëm për taksën”, ka thënë ai.
Shala nuk beson se kjo çështje mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Madje, sipas tij, do të ishte gabim i madh nëse vendi do të shkonte në zgjedhje të reja për shkak të taksës ndaj mallrave serbe.
“Besoj se as PDK-ja dhe as partnerët e tjerë të koalicionit qeverisës nuk janë të interesuar të shkojnë në zgjedhje për shkak të taksës ndaj mallrave serbe. Kushdo që mendon se për këtë çështje vendi duhet të shkojë në zgjedhje e ka gabim. Besoj se një veprim i tillë është gabim edhe për atë subjekt politik dhe për vetë qytetarët e Kosovës”, është shprehur Shala, duke shtuar se subjekti i tij polik është i gatshëm çdoherë për zgjedhje.
I pyetur për mundësinë e një qeverie gjithëpërfshirëse, deputeti Shala ka thënë se Nisma Socialdemokrate çdoherë është pro unifikimit të spektrit polik karshi Serbisë. “Dakordimi i të gjitha subjekteve politike karshi Serbisë, qoftë në një koalicion qeverisës më të gjerë, qoftë në unifikim vetëm për dialog, është i mirëseardhur për vendin”, ka thënë Shala.
“Epoka e re”: Z. Shala, sërish janë shfaqur mendimet e ndryshme të dy partnerëve kryesorë të koalicionit qeverisës rreth taksës. Si i ka parë Nisma Socialdemokrate këto qëndrime?
Shala: Ne si parti politike që nga fillimi i kemi dhënë mbështetje kryeministrit Haradinaj jo vetëm për taksën ndaj produkteve serbe, por edhe në çështje të tjetra që janë në shërbim të interesave të vendit. Pra, qysh në nisje të presionit ndërkombëtar për këtë çështje në adresë të kryeministrit, ne si Nismë kemi deklaruar se e mbështesim z. Haradinaj për taksën edhe në shumë çështje të tjera.
“Epoka e re”: Pra, pavarësisht prej presionit ndërkombëtar, mendoni se taksa duhet të qëndrojë?
Shala: Taksa ndaj produkteve serbe duhet të qëndrojë derisa t’i arrijë efektet për çfarë është vendosur. Sapo taksa arrin efektet, atëherë Qeveria e Republikës së Kosovës duhet t’i rishikojë mundësinë e tërheqjes apo zvogëlimit të saj.
“Epoka e re”: ShBA-ja vazhdimisht po kërkon nga Qeveria që ta pezullojë këtë taksë në mënyrë që t’i jepet një shans dialogut. Si i keni parë kërkesat e vazhdueshme amerikane për këtë çështje?
Shala: Nuk është presion, por kërkesë e miqve tanë amerikanë, të cilët dëshirojnë ta vazhdojnë dialogun për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të vijmë deri te marrëveshja ligjërisht e obligueshme që është njohja reciproke në mes të dy shteteve. Njëkohësisht me miqtë tanë amerikanë ne duhet të ulemi dhe të bisedojmë në lidhje me çështjen e taksës. Duhen të gjejmë një gjuhë të përbashkët me amerikanët, sepse me miqtë çdoherë mund të gjesh gjuhë të përbashkët në lidhje me shumë çështje, jo vetëm për taksën.
“Epoka e re”: Refuzimi i pezullimit të taksës besoni se mund t’i lëndojë raportet Kosovë – ShBA?
Shala: Nuk thashë se duhet të refuzohet ajo që po kërkojnë miqtë tanë, por se me miqtë duhet të bisedohet çdoherë. Pra, duhet t’i shterim të gjitha mundësitë që të arrijmë një konsensus ose alternativën më të mirë, e cila është në shërbim të interesave të vendit.
“Epoka e re”: Partneri i madh i koalicionit qeverisës, PDK-ja, së fundi ka përmendur edhe mundësinë e rrëzimit të Qeverisë dhe zgjedhjeve të reja, nëse nuk pezullohet taksa. Besoni se taksa mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme?
Shala: Nëse flasim për zgjedhje Nisma është e gatshme për zgjedhje dhe nuk u frikësohet zgjedhjeve asnjëherë. Mirëpo mendoj se nuk bën as të mendojmë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja shkaku i një takse ndaj mallrave serbe. Besoj se as PDK-ja dhe as partnerët e tjerë të koalicionit qeverisës nuk janë të interesuar të shkojnë në zgjedhje për shkak të taksës ndaj mallrave serbe. Kushdo që mendon se për këtë çështje vendi duhet të shkojë në zgjedhje e ka gabim. Besoj se një veprim i tillë është gabim edhe për atë subjekt politik dhe për vetë qytetarët e Kosovës. Për çështje të tjera mund të shkojmë në zgjedhje dhe ne jemi të gatshëm, por për shkak të taksës nuk besoj se vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
“Epoka e re”: Pra, koalicioni qeverisës po funksionon, pavarësisht prej mospajtimeve rreth taksës?
Shala: Besoj se deri në këtë moment që po flas koalicioni qeverisës është duke funksionuar jashtëzakonisht mirë dhe është duke i kryer detyrat të cilat i ka para vetes.
“Epoka e re”: Si opsion i mundshëm është përmendur edhe mundësia e formimit të një qeverie gjithëpërfshirëse, në të cilën do të hynin të gjitha subjektet politike. Cili është qëndrimi i Nismës Socialdemokrate për këtë ide?
Shala: Çdoherë Nisma ka bërë thirrje për unifikim të spektrit politik karshi Serbisë. Pajtimi i të gjitha subjekteve politike karshi Serbisë, qoftë në një koalicion qeverisës më të gjerë, qoftë në unifikim vetëm për dialog, është i mirëseardhur për vendin.
Muhamet KOCI