Taktikë e njohur e qeverisë Kurti, mbulon problemet e pazgjidhura, merret me provokimin e problemeve të tjera të reja
Profesori universitar Milazim Krasniqi ka theksuar se mbulimi nga ana e qeverisë Kurti i problemeve që nuk mund t’i zgjidhë, me provokimin e problemeve të tjera të reja, është një taktikë e njohur.
Sipas tij, më së shumti këto taktika i kanë përdorë qeveritë komuniste.
“Me mbulimin e problemeve të vjetra me probleme të reja, që paketohen si ‘veprime të guximshme të qeverisë’, fitohet simpatia enorme e publikut. Por përfundimi gjithmonë është dështimi i shtetit. Pak konkretizim: problemi i Asociacionit nuk u zgjidhë duke e krijuar problemin e tabelave të veturave. Problemi i bojkotit të serbëve nuk u zgjidhë me zgjedhjen e katër kryetarëve shqiptarë në komunat veriore. Problemi i Draft-Statutit nuk u zgjidhë, duke e krijuar problemin me përdorimin e dinarit. Problemi i pronave të Manastirit të Deçanit nuk u zgjidhë duke e sulmuar Gjykatën Kushtetuese. Pra, problemet e vjetra kanë ngelë të pazgjidhura dhe janë komplikuar edhe më shumë, ndërsa problemet e reja nuk mund të zgjidhen pa u zgjidhë të vjetrat”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.
Ai ka thënë se përfundimisht, as problemet vjetra e as të rejat nuk mund të zgjidhen pa e kuptuar qytetarët se në çfarë realiteti jetojnë.
“Në kohën tonë qeveritë janë qeveri të opinioneve, pra ndjekin impulset e publikut, e jo logjikën e realpolitikës. Qeveria është peng i opinioneve, qytetarët janë peng të politikave populiste qeveritare. Nëse nuk dilet nga ky labirinth, dështimi i shtetit është i pashmangshëm”, ka shkruar Krasniqi.