Talenti 14 vjeçar nga Kosova bëhet cak i shumë klubeve në Gjermani
Andi Kelmendi është 14 vjeçari shqiptar nga qyteti i Pejës i cili ka rrëmbyer zemrat e gjermanëve me talentin e tij si futbollist. Në moshën 5 vjeçare, Andi filloi hapat e parë në futboll në Klubin e qytetit të Pejës,ku edhe u trajnua dhe u zhvillua si futbollist nga Fisnik Gashi. Talenti i tij mori shumë vëmendje duke kaluar kështu edhe kufijtë e Kosovës.
Aftësitë e tij në këtë sport u pikasën edhe nga klube të ndryshme të shtetit të Gjermanisë dhe në moshën 13 vjeçare zhvillimin e tij të mëtutjeshëm e mori në duar klubi SSVG, i cili përfaqëson republikën Nordrhein – Westfalen në Gjermani. Andi, si një futbollist i talentuar dhe i mirëpërgatitur pas një periudhe shumë të shkurtër arriti ta plasojë klubin e tij në vendin e parë me 24 gola, moment pas të cilit 14 vjeçari u shpall edhe gollashenuesi i ligës.
Sukseset e Andit nuk u ndalën në këtë klub, i pasur me të gjitha elementet që një futbollist duhet të ketë ai tani më është gati të transferohet në Klubin e WSV dhe të vazhdoj edhe më tutje karrierën e tij në futboll në shtetin e Gjermanisë.
Mirëpo, bashkë me sukseset vijnë edhe vështirësitë, largimi për në Gjermani e ka lënë Kelmendin me mall edhe për klubin e futbollit dhe pjestarët e tij që kishte në Kosovë, mirëpo përkundër largimit të tij, përkrahja edhe këshillat nuk mungojnë nga ky klub, gjë e cila po e motivon edhe më shumë Andin në trajnimin si futbollist.
Përkushtimi dhe puna e tij e palodhëshme pa dyshim që ka për qëllim arritjen e majave në futboll mirëpo edhe përfaqësimi i vendit të lindjes , Kosovës në mënyrën më të mirë të mundshme është edhe një nga caqet tij.
Për momentin Kelmendi është duke u vëzhguar edhe nga dy klube të tjera të Bundesligës dhe është duke punuar pa ndërprerë në formësimin e tij të mëtutjeshëm si futbollist.
Të gjitha informacionet janë siguruar nga prindërit e Andi Kelmendit.
(Albina Selmanaj&familjajone)