Talenti Loris Kolgeci: Futbollin e kam jetë
Talenti i futbollit, Loris Kolgeci po i mahnit të gjithë me paraqitjet e tij të grupmoshave U-13. Sulmuesi 12-vjeçar i “Ballkan”-it të Therandës këtë edicion i ka shënuar 15 gola në 5 ndeshje. Ky djalosh nuk e ka problem të shënoj tregolesha, ai deri me tani ka shënuar disa sish. Me këto gola Kolegeci e ka ngritur klubin e tij të zemrës në vendin e parë.
Sulmuesi 12-vjeçar ka aftësi të përshtatjes edhe në pozitat e krahut dhe si mesfushor. Duke parë talentin e të birit, babai i tij, Nezir Kolgeci, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se po e shikon mundësinë ta dërgoj djalin në shkollat më profesionale të futbollit jashtë vendit.
“Investimi më i mirë është në fëmijë. Unë jam krenar që djali im ka një talent kaq të madh. Fjalët që më thotë trajneri i tij, janë më të mirat që kam dëgjuar. Andaj, nuk do të kursej asgjë që një ditë biri im të jetë një yll futbolli”, ka deklaruar Kolgeci për “Epokën e re”.
Kurse, vetë 12-vjeçari ka premtuar se do të punoj shumë për të depërtuar në arenën ndërkombëtare. “Kam dëshirë që të bëhem si Messi e Ronaldo. Shikoj vazhdimisht futboll në TV, derisa përveç në fushë të blertë me trajnerin e klubin, ushtroj çdo ditë edhe në shtëpi. Futbollin e kam jetë”, ka thënë talenti 12-vjeçari.
Ai ka shprehur dëshirën e tij qysh tani që në të ardhmen të jetë pjesë e përfaqësueses se Kosovës.