Talenti Rron Pllana përfaqësoi Kosovën në Bullgari
Me rastin e ditës së Evropës, Ministria e Presidencës së Bashkimit Evropian në Bullgari, në bashkëpunim me Fondacionin e futbollistit të njohur bullgar Dimitar Berbatov “Dimitar Berbatov Foundation”, që përkrah talentet e rinj, organizoi ndarjen jubilare të çmimeve për talentet më të mirë nga Bullgaria për vitin 2017.
Me këtë rast, pjesë e kësaj ngjarje si mysafirë ishin edhe fëmijët e talentuar nga vendet e Ballkanit Perëndimor, ku Ambasada në Sofje fasilitoi pjesëmarrjen e përfaqësuesit nga Republika e Kosovës. “Si talent i ri, Republikën e Kosovës në këtë ngjarje e përfaqësoi Rron Pllana, nxënës i shkollës së muzikës “Misbah&Friends”, i cili performoi në kitarë veprat “Meadow Minuet” dhe “Vallja e Rugovës”, performimi i të cilit u përcoll me duartrokitje të fuqishme. Ngjarjen e përcollën Ambasadori Kallaba dhe diplomatët e Ambasadës. Rroni dhe mësimdhënësi i kitarës Kreshnik Berisha u pritën edhe në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Sofje nga Ambasadori Shpend Kallaba”, është thënë në njoftimin e ambasadës së Republikës së Kosovës në Sofje.